TEATRI KOMBËTAR NË TIRANË

Nga Frank Shkreli

Ditët e fundit jemi dëshmitarë të një përplasjeje tjetër në Shqipëri – jo të një natyre politike kësaj radhe, megjithse çdo gjë është politikë në Shqipëri – por sikur nuk ka mjaft konflikte dhe përplasje politike e të tjera – ja edhe përplasja e radhës në fushën e kulturës, midis artistëve më të njohur të Shqipërisë, të udhëhequr nga shumë i njohuri dhe ndër më të talentuarit artistë të kombit, Robert Ndrenika dhe Ministrisë së Kulturës, të Kryeministrit Rama.  Ndonëse është e vështirë të merret vesh e vërteta pasi ekziston një mungesë e theksuar transparence dhe askush nuk di asgjë, është e pamundur që njeriu të qëndrojë indiferent ndaj kësaj dukurie të kohëve të fundit. Duket se shpërthimi i Robert Ndrenikës dhe Bujar Asqeriut dhe kolegëve të tyre ndodhi pasi më në fund u “mbush thesi” dhe nuk durohet më arroganca e vendimeve ose mos vendimeve që ndërmerr ose dështon të ndërmarrë kjo ministri gjatë viteve — në mbështetje të artit, kulturës dhe të identitetit shqiptar.  A nuk është ky misioni i saj?

 

Për të tërhequr vëmendjne e publikut ndaj ankesave të tyre, përfaqsuesit e artit dhe kulturës shqiptare kanë nënshkruar një peticion kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për të zhvendosur Teatrin Kombëtar.

Por është e vështirë të mësohen faktet se çfarë e shtynë Ministrinë e Kulturës dhe qeverinë Rama të ndërmarrin një masë të tillë – pa konsultime me njerzit që preken drejtë për drejtë nga ky vendim – e që siç duket ka acaruar dhe alarmuar pjesën dërmuese të artistëve shqiptarë dhe një pjesë të shoqërisë.

 

Gjatë një diskutimi në njërin prej rrjetëve të televizionit shqiptar mbi këtë çështje parëmbrëmë, zevëndës ministrja e Kulturës dhe drejtori në detyrë i Teatrit Kombëtar nuk kishin asnjë informacion për këtë – njëri i binte çekiqit, tjetri patkoi — por duket se forca shtytëse për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar është ndërtimi i pallateve të reja në vendin ku qëndron sot ky teatër – është pra rezultat i një etjeje për më shumë pasuri, për fitime marramendëse, për dike.  Kjo është një vazhdimësi e tranzicionit ku arti dhe kultura dhe si rrjedhim edhe ata që përçojnë ketë veprimtari tek masat e gjëra të popullit, janë lënë pas dore dhe nepërkëmbur keq në periudhën e tranzicionit në Shqipëri. Shumë prej tyre fatkeqsisht janë larguar nga vendi.  Nuk e di se cilat janë meritat dhe të metat e ndërtesës aktuale të Teatrit Kombëtar — por a nuk meritojnë këta përfaqsues të kulturës shqiptare që të pakën të konsultohen dhe të kenë fjalën e tyre përsa i përket zhvillimeve të krijimtarisë së tyre të gjithanshme të zhvillimit shoqëror, shpirtëror dhe kulturor, tani dhe në të ardhmen – përfshirë edhe mjediset ku mundësisht do të zhvillojnë vepimtarinë e tyre?

 

Ndërtesat shumëkatëshe, sado të mahnitshme që të jenë — nuk janë simbole të thesarit të kulturës kombëtare as nuk janë monumente të identitetit kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe as nuk përbëjnë arritjet që mund të ketë shënuar Shqipëria në fushat e zhvillimit shoqëror dhe shpirtëror. Sado krenarë që të jeni për shumëkatëshet e ndërtuara në Tiranë, arritjet dhe sukseset e një kombi nuk maten me ndërtesa të mëdha, madje as me rrugë të gjëra e të asfaltuara, por me krijimtarinë e pikërisht të këtyre përfaqsuesve të kulturës shqiptare që janë revoltuar nga njoftimi i fundit i qeverisë Rama për të zhvendosur Teatrin Kombëtar dhe të cilët me të drejtë kërkojnë që, të pakën, të dëgjohen shqetësimet e tyre, si artistë shqiptarë dhe si njerëz.  Siç është shprehur edhe Anton Harapi në librin e tij “Vlerë Shpirtërore”, “Zotërinj, njerëzit e bëjnë Shqipërinë dhe jo sendet. Virtyti dhe zotësia janë dinamoja e atdheut dhe jo motorat e makinat.  Fuqia dhe madhështia e atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me sasinë e njerëzve krijues në dituri e art, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj, nuk është sendi as atdheu që e bëjnë njeriun, por janë njerërzit që e bëjnë atdheun, që i ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”

 

Fatkeqsisht, gjatë këtyre 28 vjetë tranzicion, thesari i kulturës kombëtare shqiptare sa ka ardhur e varfëruar ndjeshëm, në të gjitha fushat, madje shumë ekspertë thonë se është në një gjëndje të shëmtuar.  Shoqëria shqiptare në përgjithsi, përfshirë institucionet politike do bënin mirë që më në fund të lënë mënjanë deklaratat bombastike ofenduese kundër artistëve të kombit – dhe ashtu siç ka shkruar edhe Anton Harapi për një situatë të ngjashme në kohën e tij — të ndëgjojnë seriozisht dhe pa inate, “Gjamën e shpirtit të disa shqiptarëve vërtetë fisnikë, të cilët duke u lartësuar mbi këtë shëmtim, mbërrijnë aty ku janë vlerat e visaret e jetës njerëzore e shqiptare dhe me të tëra ndjesitë nuk flasin, por si vigaj ulurojnë.   Zëri i tyre është kushtrimi për kulturën e shpirtit shqiptar”.  Ky zë kushtrimi duhet të dëgjohet, të përfillet dhe të mbështetet nga mbarë shoqëria.

 

Frank Shkreli

 

 

By admini