29 vjeç dhe i pari trajner shqiptar në Mal të Zi, kush është tekniku shkodran që trajnon prej 12 vitesh
Është i pari trajner shqiptar që është në krye të një skuadre në Mal të Zi. Bëhet fjalë për Rudi Piraniqin, 29-vjeçarin nga Shkodra që ka marrë përsipër të stërvisë ekipin e Ulqinit. Ai zotëron një licencë të UEFA A.
Në vitet 2004 deri në 2006-tën Piraniqi nisi të arbitrojë ndeshjet e Kategorisë së Dytë, ndërsa më vonë vendosi të niste një profesion të ri, trajningun. Në Akademinë e Shkodrës, që themelues është babai i tij, 29-vjeçari filloi për herë të parë të stërvisë moshat. Që nga grupmoshat, Piraniqi ra në sy për shkak të rezultateve pozitive.
Neësport.al është interesuar për Piraniqin dhe ka mësuar se ai ka plot 12 vite punë si trajner. Sigurisht fillimet e tij janë në nivele amatore, por gradualisht me përkushtimin dhe durimin e një trajneri të së ardhmes, Piraniqi arriti të merrte të drejtojë skuadrën U-17.
Në këtë ekip, ka 3 vite që bën pjesë dhe rezultatet kanë qenë të kënaqshme. I kontaktuar nga redaksia jonë, 29-vjeçari u shpreh: “Jam mjaft i lumtur me punën time. Jam mjaft i kënaqur këtu në Mal të Zi dhe dita kur do të ndahem nga këto djem do të jetë mjaft e vështirë“.
Dëshirat dhe ëndrrat e tij janë të shumta, por më e madhja është: “Një ditë dua të drejtoj një nga kombëtaret e moshave të Shqipërisë. Puna e mirë që ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit të ofron komoditet“, thotë ai.
Është mirë që punën tënde ta bësh me qef, por është e mrekullueshme kur pasioni yt është puna. Tekniku shkodran është koshient dhe hë për hë nuk dëshiron të drejtojë një ekip të rriturish, pasi për këtë shprehet: “Drejtimi i skuadrës së të rriturve ndryshon. Duhet një menaxhim i mirë“, përfundon për newsport.al Rudi Piraniqi. /Newsport.al./