Flamuri kombëtar shqiptar, që gjendet në një rreth-rrotullim në hyrje të Prishtinës, u kthye në mollë sherri, në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj urdhëroi më herët heqjen e tij dhe zëvendësimin me flamurin e Kosovës, por komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Shpend Ahmeti, ishte kundër kësaj iniciative. Mbrëmjen e së martës, persona të autorizuar nga qeveria, arritën më në fund ta hiqnin flamurin kuq e zi, e ta zëvendësonin atë me një flamur më të vogël shtetëror, pavarësisht kundërshtive të qytetarëve dhe problemeve me energjinë elektrike.
U desh ndërhyrja e zjarrfikëses dhe policisë për të zhbllokuar situatën e krijuar. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri i vendit doli në mbrojtje të vendimit të tij për vendosjen e flamurit shtetëror në rreth-rrotullim.
“Flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë. Me shekuj kemi rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duam dhe do ta respektojmë. Vendosja e flamurit të shtetit bëhet në respekt të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë. Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombëtare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Urdhërin për zëvendësimin e flamurit, ai e dha më herët, gjatë së hënës. /Top Channel/