Rrëfimi i  Luigj  Camaj  për rrugëtimin jetësor të  Kolë  Pjetrushit Dedvukaj

 

Gjekë Gjonaj

Vitet kalojnë e kohët ndryshojnë.  Me kalimin e moteve  shumëçka edhe   harrohet. Por jo edhe kujtesa kolektive e malësorëve   për njerëz e ngjarje  të rëndësishme.  Rrëfimet  dhe dëshmitë   për burrat e respektuar në Malësi  ruhen dhe përcillen nga brezi në brez.  Edhe ky shkrim  për rrugëtimin jetësor të Kolë Pjetrushit Dedvukaj  vjen për lexuesin shqiptar  falë  rrëfimit  të Luigj   Camaj, nga fshati Vuksanlekaj. Nga biseda miqësore  që zhvilluam  muajin e kaluar   në restorantin “ Trojë” në Tuz mësuam se  Kolë Pjetrushi i takon   plejadës së burrave të mirë në  Hot ( Malësi)  me tipare të besës, burrërisë , mikpritjes  e bamirësisë.

Ky malësor i  fisit të njohur në botën   shqiptare  Dedvukaj, të heroit tonë kombëtar   Dedë Gjo’ Lulit, lindi  në  fshatin Bardhaj të Hotit në vitin 1890.   Ai kishte një vëlla Gjokën  dhe një motër  Mrikën. Edhe pse ishte  djali  i vogël i çiftit bashkëshortor Pjetrush Nikut  Dedvukaj dhe Lenë Gjurashaj  nga mali i Trieshit,   në moshë të re u  dallua për zgjuarësi, për çka  babai i tij e caktoi  për zot shtëpie, kur ai kishte vetëm njëzet vjet. Roli i kryefamiljarit, siç rrëfen Camaj,  i ka mundësuar Kolë Pjetrushit që në moshë të re të marrë pjesë në  kuvende me Dedë Gjo’ Lulin  dhe me burrat e tjerë të Malësisë qyh  në vitin 1911.

Shtëpia e tij ka qenë e hapur për çdo mysafir e kalimtar.  Ka qenë strehë dhe vatër e ngrohtë për çdo njeri në nevojë pa dallim feje e kombi.  Ndonëse pasanik i madh (  toka apo malli  tij  shtrihej  nga  maja e malit Bukoviq në kufi me Shqipërinë e deri  në breg të Liqenit të Shkodrës ) në kohë të vështira ekonomike i ka ndihmuar njerëzit nevojtarë  në  mënyra të ndryshme, me para, ushqim, vegla bujqësore e gjëra të tjera të nevojshme për jetesë.  Asnjëherë nuk ka hezituar  t’u  bëjë mirë njerëzve.  Në   livadhin  e  tij , në sipërfaqe prej  një hektari , në fshatin Vuksanlekaj, të cilin e jep falas,  ka qenë  ndërtuar Kooperativa Bujqësore pë nevojat e Malësisë.   Kola, madje, ka shpëtuar edhe jetë  njerëzish. Rrëfimtari  Camaj  veçon  tri  raste të tilla, që meritojnë  të mos harrohen kurrë,  dhe të shërbejnë si shembull

Rasti i parë ndodhë  në vitin 1915  në fshatin Vuksanlkeja, ku  Austro- Hungaria kishte  ngritur një kamp në afërsi të shtëpisë së  Kolë Pjetrushit. Askohohe ky  bir i  denjë i Hotit,  falë miqësisë që krijoi me drejtorin dhe oficerët e këtij kampi, i shpëtoi nga vdekja disa malësorë e malazez . Në mesin e tyre ishte edhe gjyshi nga nëna i ish-kryeminsitrit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq, i cili  as sot e kësaj ditë nuk e ka harruar këtë vepër  të madhe njerëzore  të Kolë Pjetrushit.  Gjukanoviq, miqësinë e vet me këtë familje  e dëshmoi edhe me rastin e vizitës së tij të fundit, që i bëri asaj ( familjes së Pjetër Kolës Dedvukaj  në  Vuksanlekaj,  në muajin nëntor të këtij vititm  në  kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale për Komunën Urbane të Tuzit.   Ja se çfarë tha me këtë rast në fjalën e tij falënderuese, Millo Gjukanoviq: “Dëshiroj të falënderoj familjen Dedvukaj  në mikpritje    që na ofroi.  Mua personalisht veçmas më imponon ajo çfarë ka  ndarë Pjetri për miqësinë tonë. Për ata që nuk e dinë  kjo familje  përgjithmonë  e ka  obliguar familjen tonë. Kolë Dedvukaj e ka shpëtuar  gjyshin tim. Në këtë mënyrë ka shpëtuar fisin ( familjen)  Maksimoviq, që janë dajët e mi. Falë kësaj kjo familje është e suksesshme. Të gjithë ne që jemi pasardhës të asaj familje, përherë  i jemi mirënjohës kësaj  familje. Dhe pikërisht  për këtë këtu e  ndjehem se jam në mes të miqve”.   

 

Rasti tjetër bujar i Kolë  Pjetrushit ka ndodhur disa vite më vonë  kur pushteti i atëhershëm jugolsllav  i kishte marrë   në ushtri  ( Kampin e Titogradit) afro 47 djem të ri malësorë, pa vulnetin e  prindërve të tyre, për të luftuar kundër gjermanëve.  Me të dëgjuar këtë lajm Kolë Pjetrushi, i brengosur për jetën e tyre, shkon te kumbara i tij  malazez ,Gjoko Mirasheviq, general  i ish- Ushtrisë  së  Jugosllavisë, për të kërkuar lirimin e tyre.  Për fat të mirë  pas  pak ditësh  të gjithë u  kthyen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre.

Këtë vepër  të madhe njerëzore të Kolë Pjetrushit e ka përjetësuar  në vargje Palokë Luni : “…  Kolë Pjetrushi i paska thanë/ Po i kjajë hallin kësaj rini/ Që i pruna me i çua në uhtri/ Me  ba luftë me Gjermani/ Drua kta djelm i kam mahiret/ Se kjo lufta po ka adet/ Krena njerëzish  dekë i qet/ Se janë të ri  e t’pa mësua/Të pa stërvitun me luftua  / Por gjeneralit i janë drejtua/… Predsjednik mos  m’u ngushtua/ Se vesht po  e marrim mirë çka thua. Njetash djelmtë  duem me i lirua/ Në shtëpia të veta ata me shkua./Sa prej gjeneralit ka ndigjua/ Se djelmoçat i ka lirua./ Në ushtri ata mos me i çua/ Kol Pjetrushi fort u gëzua/ E gjeneralit i ka falënderua/Ee duert me ta fort i ka shtrengua/ Priherë Kola ka dalë jashtë/ Gjithë rekrutat i tubon bashkë/ E me gzim i ka lajmua/ Jeni të lirë në shpi me shkua/…

Vepra e tretë  fisnike e  Kolë Pjetrushit ka ndodhur pas  përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare, kur ai me autoritetin e tij arrinë t’i shpëtojë nga pushkatimi 11 vetë në Hot,  të  cilët pushteti i kishte akuzuar për bashkëpunim me okupatorin. ” … Se merrni gjinden pa farë hakut/ Për me i zhdukë prej ktij bajrakut/ E e me i vu doni në grykn’ e çarkut/ Se nuk janë anmiq të Karadakut / E kta 11 vetë lidhë i keni marrë/ Janë të pa faj e t’lirë me i lane/ Kolë Pjetrushi sa u ligjëroj/ Operacioni hoqi dorë/ E i lanë të lirë në shpi me shkua/ Që sa prej tyne  i panë zatet/ Për me i vra me i ba mushket/ Por  Kol Pjetrushi i pshtoj pa dekë…” shkruan  Palokë Luni , në librin e tij.

Nga rrëfimi i   bashkëbiseduesit tonë po ashtu mësojmë se Kolë Pjetrushi,  falë peshës së fjalës dhe forcës së argumentit,  ka qenë pajtimtar gjaqesh  në Hot, Grudë, Triesh, Kojë, Krajë e  Guci. Veç kësaj,  Kola   ka qenë i angzahuar edhe në Besëlidhjen e Malësisë bashkë me   Gjergj  Dakun Gjokaj, Nua Vuksanin Junçaj, Nikë Vasin Camaj, Iso Mujin, Kolë Markun Lulgjuraj, Fran Maçin Lucaj, Gjokë Prëtashin  Ulaj, Patër Gjergjin, Martin Ivezaj, Liko Manin Çunmulaj, Pjetër Dreshaj, Nikollë Lucën Gjonaj, Rrok Pjetrin Gojçaj, Pashko Markun Dushaj e shumë burra  të tjerë të dalluar në Malësi.

Për këto dhe shumë   tipare e  vepra të tjera të mira të Kolë Pjetrushit të cilat e përcollën  prej lindjes, rritjes, burrnimit  e deri  në pavdekësi,  për  të cilat do të duhej një gjurmim  serioz, ai ka gëzuar autorit dhe respekt të veçantë  në mesin e bashkëkohësve dhe  bashkëvendasve të tij.   Vajtori i mirënjohur nga Traboini i  Hotit, Nikollë Prëka Dushaj,  në vajtimin e tij kushtuar Prëtash Nikë Zekës, ish-kryetarit të  Komunës së Tuzit, ndër të tjera u shpreh: “ Nuk e ke lanë të shoqin në këtë fushë/ Veç ni ka met edhe ni  Kolë Pjetrush”.

Domethënë  se Kolë Pjetrushi ishte dhe mbeti i  nderuar  në Malësi. Si njeri që nuk rrahte gjoks, e kryente punë. Si  burrë i të vërtetës, i fjalës dhe i besës. Dhe nuk ka se si  të harrohet ky malësor që në kushte  e rrethana të rrezikshme shpëtoi shumë jetë njerëzish.

Në botën e qytetëruar  njerëzit që shpëtojnë  jetë  njerëzish  ( qoftë edhe një  të  vetme njeriu)  pasurojnë kombin që i takon,  shërbejnë si model për të rinjtë në botë dhe cilësohen si hero. Pse mos të jetë kështu edhe në shoqërinë shqiptare!?

Dhe fare në përfundim të këtij shkrimi m’u kujtua  njëra prej shprehjeve  më të bukura të  një filmi  për mua të paharrueshëm “ Lista e Shindlenit”, në të cilin Oskar Schindler thotë : “Kushdo që shpëton një jetë, shpëton gjithë botën”.

 

 

 

By admini