Nga Sutki Malohoxha

C A F I I H A S A N A G Ë S
(1857 – 1935)

Qyteti i Ulqinit që nga viti 1393 kur u pushtua për të parën herë nga turqit osmanllinj, apo më drejt, që nga viti 1571 kur përfundimisht ra nën sundimin osmanllinj, hyri në sferën e ndikimit të kulturës dhe civilizimit orientalo-islam. Ky qytet ra nën pushtimin otoman shumë më vonë se disa territore fqinje. Nën ndikimin e kulturës dhe civilizimit islam, në këtë qytet u themelua një varg objektesh të karakterit fetar-arsimor.

Ulqini ka një traditë kulturore. Folklori i pasur burimor dëshmon se banorët e këtushëm e ruajtën dhe e begatojnë atë. Këto krijime folklorike janë dëshmi e gjallë e mrekullueshme që tregon se populli i këtij qyteti me fjalët më të bukura artistike ka shprehur ndjenjat e tij.

Në pasurinë folklorike vend të rëndësishëm zënë edhe bejtet. Ka kaluar një kohë mjaft e gjatë që nga koha kur letërsia e bejtexhinjve ishte në lulëzim e sipër, por edhe sot e kësaj dite bejtet ndihen tek e tuk edhe në këtë qytet bregdetar.

Bejtet janë krijuar prej njerëzve të ndryshëm dhe janë përhapur me lehtësi duke u mësuar përmendësh. Qyteti ynë Ulqini ka qenë edhe është qytet i humorit. Këtë humor e shprehnin me bejte, zakonisht në tubime të ndryshme fetare, dasma, apo festa familjare. Shpeshherë bejtet edhe këndoheshin, duke u përcjellur me vegla muzikore, zakonisht me dajre dhe violinë. Njerëzit bejtet i mbanin rmend, kështu që treguesit e tyre shpesh i recitonin në raste të caktuara. Treguesit zakonisht ishin njerëz analfabetë, por mendjemprehtë. Duke e adhuruar krijuesin, ata e kanë adhuruar edhe krijimin e tij poetik, si dhe porosinë që dilte prej tij, pavarësisht prej ideve dhe përmbajtjeve.

Ulqini ka dhënë disa bejtexhinj të njohur dhe të panjohur. Njëri prej tyre ka qenë padyshim edhe Cafi i Hasanagës, që sot e kësaj dite përmendet si “bejtexhi me nam”. Ky bejtexhi, në Ulqin i njohur si Mustafë-aga, i takon kryesisht frymës laike, por edhe asaj fetare.

Cafi i Hasanagës ka lindur në Ulqin në vitin 1857, në një familje ulqinake me traditë. Babai i tij qyhej Hasan, ndërsa nëna Bibe. Sipas trashëigimtarëve të tij, mësojmë se ishte djal dëshiri. Nuk kishte as motra, as vëllezër. Ka pasur dy djemë: Reshitin dhe Januzin, si dhe vajzën Junen.

Familja e Cafit ka jetuar në Pazar të Ulqinit. Tërë jetën Cafi e ka ushtruar profesionin e kafexhiut. Ka punuar në një kafene, e cila ishte në rrugën kryesore të qytetit. Thonë se kafenenë e tij e kanë quajtur “Kafehanja e Mustafë-agës”. Këtu zakonisht mblidheshin ulqinakët e moshuar, shokët dhe dashamirët e humorit ulqinak. Mblidheshin këtu sepse e dinin që, duke pirë kafe ose çaj, Mustafë-aga do t’i zbaviste me humorin e tij. Ishte ky një humor i pastër, që kishte të bëjë me jetën e përditshme të ulqinakëve, me të gjitha hallet dhe vështirësitë të cilat i sillte vetë ajo.

Kur bëhet fjalë për këtë bejtexhi, kemi të bëjmë, pra, me një person të shquar të humorit ulqinak. Pasi Cafi ka ushtruar profesionin e kafexhiut, në fillim po japim një bejte, që ka të bëjë mu me këtë profesion:

Usta Filip, mare usta Filip
Je i vogël e mas m’bërtit,
Se për një filxhan nuk kam vojt aq posht’
Par mu dhimt se qe i shnosht’.

Kjo bejte me rimën e përputhur të skemës AABB, trajton një motiv pune. Konkretisht bën fjalë për kafenenë e Mustafë-agës, ku mysafir shpesh ishte usta Filipi, i cili ushtronte profesionin e dyfekçiut (ndreqës i pushkëve).

Mendohet se ky “bejtexhi me nam” është autor i shumë bejteve që dëgjohen si dhe që nuk dëgjohen sot në Ulqin. Bejtet e tij të frymës laike kishin tematikë të ndryshme. Ja njëra prej tyre:

Puna marë, Mehmet!
Marë paç!
Nji rixha unë du me t’ba
edhe me gjithë njita shokë,
me mi gaditë njikta këpucë
se pa m’bijnë kamt n’tokë.

Kta janë fjalë si tyj qesh
par gjithkush i ka nyr men’,
për shollin mas shif bukuri
se kam qillu pa pare n’shpi.

Kta janë fjalë badihava
si ata gratë qi vejnë gërdele,
ti gaditi kur t’kesh nga
se nuk kam danji hexhele.

Emnit të thojnë Mehmet.
Për pa vdek nuk kemi çare
par na paçim ku me shku,
ti prej meje mas lyp pare
s’jam i zoti mij fitu.

Kjo bejte si motiv e ka poashtu punën. Njëkohësisht në mënyrë spirituoze pasqyron edhe varfërinë e personazhit, varfëri kjo e cila mbizotëron gjatë tërë bejtes. Sa i përket rimës, këtu hasim rimë të skemave të ndryshme. Rima ndryshon në çdo strofë, dukuri kjo e rrallë në bejtet ulqinake.
(vijon)

By admini