Si mund të presim që ta respektojnë të tjerët gjuhën shqipe, nëse nuk e respektojmë ne vetë? Nëpërkëmbja e gjuhës shqipe nga vetë ata që do të duhej ta mbronin, përbën një akt jokombëtar. Nuk ka mëkat më të madh sesa të nëpërkëmbësh gjuhën amtare (shqipe), për të cilën shumë atdhetarë kanë dhënë jetën gjatë historisë apo për të cilën, në kohën më të re, edhe janë burgosur e dënuar shumë shqiptarë në Mal të Zi dhe në trevat e tjera të ish-Jugosllavisë
Shkruan Ismet Kallaba
Përdorimi i gjuhës amtare në komunikimin privat dhe publik është njëra ndër të drejtat themelore të çdo personi dhe komuniteti. Kjo e drejtë garantohet me konventat ndërkombëtare, siç është Karta Evropiane për gjuhët rajonale ose minoritare, dhe me aktet ligjore të shteteve përkatëse.
Edhe Mali i Zi e ka të sanksionuar përdorimin e gjuhëve të pakicave. Në paragrafin 3 të nenit 13 të Kushtetutës së Malit të Zi përcaktohet se gjuha shqipe, e cila flitet nga pjesëtarët e popullatës autoktone shqiptare, është në përdorim zyrtar në këtë vend. Krahas kësaj, Ligji mbi të drejtat dhe liritë e popujve pakicë e sanksionon akoma më qartë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe. Në nenin 11 të këtij ligji thuhet shprehimisht: “Popujt pakicë dhe komunitetet e tjera të pakicave nacionale dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre.
Në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale përbëjnë shumicën ose një numër të konsideruar të popullsisë, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit, në përdorim zyrtar është edhe gjuha e këtyre popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera të pakicave nacionale”.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “780” të revistës Koha Javore