Shkruan Gjekë Gjonaj

Dermatologu i njohur  prof.dr. Simë Gjon Dobreci lexuesit shqiptar i dhuroi  librin ”Krijime popullore shestanase”. Autori,   edhe pse me profesion mjek,  u fut  në historinë e folkloristikës me një  njohuri  teorike modeste, por me pikëpamje të drejta rreth karakterit të mirëfilltë  që duhej të kishin krijimet popullore.  Me këtë libër   dr. Dobreci u radhit ndër mbledhësit e hershëm të folklorit shqiptar  të cilët u nxitën nga Romantizmi Europian  për të vlerësuar  trashëgiminë folklorike dhe sidomos trashëgiminë e këngës popullore.

Libri  “ Krijime popullore shestanase” të autorit dr. Simë Gjon Dobrecit është një produkt  i vullnetit të tij të kahmotshëm  për grumbullimin  e thesarit  të pasur popullor  të shestanasve.  Autori i librit  është rritur e brumosur me përdorimin e prozës tregimtare popullore të Shestanit, një nga zonat    etnike të shqiptarëve në Malin e Zi, saqë kureshtja dhe vullneti  e tij i madh kanë bërë të mundshëm formimin, përdorimin dhe shënimin e  këtij thesari folklorik, nga i cili    bindemi se tradita folkloristike, si një dhunti e natyrës psikoetnike, është mjaft e pasur dhe e pashtershme.

Autori shkruan në hyrje të librit se “krijimtaria popullore e Shestanit më  ka gëzur dhe entuziasmuar. Botimi i saj në revistën BUZUKU, si dhe disa miq më dhanë idenë dhe më shtuan dëshirën që t’i bashkoj në një libër të vetme, ashtu që të lexohen më lehtë.E  bëra këtë punë me dashuri , sepse  kjo është pasuri e çmueshme që na e lanë të parët tonë”.

Materiali i bletës shestanase  në këtë libër është renditur sipas gjinive. Libri përfshinë pjesë  me këngë  dashurie, këngë dasme, kurbeti, balada e elegji,  vajtime, këngë humoristike, këngë kreshnike, të barinjve e krijime të tjera nga letërsia gojore  e Shestanit të botuara në revistën “ Buzuku”, sikurse edhe  për disa shestanas  të njohur.

Dr. Sima këto materiale të mbledhura të folklorit i ka regjsitruar ashtu siç jetonin këto thesare në përvojën aktuale popullore, pa bërë  përpunime   e shtesa të tyre  me ngjarje që nuk i kishin tekstet origjinale. Qëllimi i tij kryesor ishte objektiv: T’u siguronte shestanasve  një identitet kombëtar, për të forcuar dhe bashkuar kombin gjuhësisht dhe kulturalisht. Synimi tjetër i tij ishte të regjistronte  krijimtarinë folklorike të kësaj trevë folklorike dhe  për të rritur e ndërgjegjësuar atë, po dhe për ta ruajtur gjatë në kujtesë.

Urtësia popullore shestanase e  trajtuar në këtë libër është jo vetëm dëshmi  e trashëgimisë  së pasur shpirtërore, por edhe e dashurisë ndaj njerëzve dhe ndaj vendlindjes . Aty  është përdorur  një sistem i ngirtur dhe i pasur i të shprehurit poetik, janë gërshetuar krahasime dhe metafora, të cilat të njësuara e  të ndërlidhura mes veti, funksionalizohen mjeshtërisht në tërësinë kuptimore dhe shprehëse artistike të krijimeve përkatëse.

Ka rëndësi të përmendet fakti se dr. Sima  nuk nisi t’i mbledhë këto këngë si talent dhe pastaj të zbulonte vlerat e larta të atyre këngëve, por ai e nisi këtë punë me një qëllim të caktuar patriotik, i shtyrë nga dashuria e vendit dhe e gjuhës. Punoi në mënyrë autodidakte, pra ai nuk vinte nga ndonjë formim etnologjik dhe folklorik, por duke qenë përpara kësaj situate të habit fakti që vepra ka një karakter  të pranueshëm shkencor.

Këto krijime  gojore, epike, lirike, epiko-lirike, të cilat janë   ruajtur e zhvilluar që nga kohët e hershme e deri  në ditët e sotme,  në saj të kujdesit të përgjithshëm  të shestanasve, paraqesin një vlerë për mbarë folkloristikën tonë. Ato  përbëjnë një trashëgimi të vyer po edhe të pastudiuar sa e si duhet nga gjuhësia dhe folkloristika shqiptare. Prandaj, botimin e kësaj krijimtarie popullore e konsideroj si një vepër të rëndësishme  për letërsinë gojore shqiptare,   si një pasuri të përgjithshme kombëtare.

 

 

By admini