Nga Frank Shkreli

Fjala i “papërlyer” ose e “papërlyer” mund të ketë një domethënje fetare në veshët e disave, sidmos të krishterëve, por fjalori shqip e përcakton si diçka që nuk është fëlliqur me lyrë a me diçka tjetër, me fjalë të tjera i pastër.  Për më tepër, një person i “papërlyer” është dikush që nuk është përzier a që nuk ka marrë pjesë në një punë të keqe, në një krim, e tjera.  I pastër në sjelljet e qendrimet në punë dhe në shoqëri!   Me biografi të pastër, thekson fjalori, dikush pa asnjë njollë në nder!

A ka Shqipëria njerëz të tillë, “të papërlyer”, të cilët mund dhe duhet të shërbejnë me kompetencë në ministritë dhe dikasteret më të larta të qeverisë dhe të shtetit?   Individë të cilët të pakën fillimisht nuk kanë ndonjë “njollë” që do t’i diskualifikonte nga konsiderimi për një post siç është posti i një ministri në qeveri.  Në fakt, si në shumë raste më përpara, edhe kësaj herë, as këto emërime nuk i shpëtuan sitës së kritikave të opinionit publik.  Opozita dhe grupe të tjera, siç janë grupet e të përndjekurve, kanë kritikuar këto ndryshime në qeveri, për arsye të “biografisë” thonë ata.  Sidomos ata ankohen për të kaluarën e njërit prej kandidatëve, atë të emëruarit për Ministër të Punëve të Mbrendshme.  Kritikët u shprehën se duke emëruar individë që kanë pasur lidhje — në një mënyrë ose në një tjetër — me ish-regjimin e Enver Hoxhës, Kryeministri i vendit po kërcënon “kohezionin shoqëror” dhe “luftën e klasave”, pretendojnë ata.  Kjo mund të jetë ose jo e vërtetë, por ky epizod i fundit tregon rishtas arrogancën e trashëguar të pushtetarëve të atij vendi, të cilët, në emërime të tilla, nuk marrin aspak parasyshë pasojat që kanë vendime të tilla në marrëdhëniet shoqërore të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe as historinë moderne të vendit, sidomos historinë e regjimit komunist në Shqipëri dhe përçarjet që ka shkaktuar ai regjim, pasoja të cilat ndihen edhe sot e kësaj dite.  Në vend që të emërohet personi më pak kontraversial, duket se ka më shumë rëndësi, që kandidatët e emëruar, qofshin ministra, qofshin deputetë — të aprovohen nga partia dhe të marrin bekimin e udhëheqsve të partive monopolizuese të politikës, se sa të jenë individë të përgatitur dhe të ndershëm, e pse jo të “papërlyer”, sipas formulës më sipër, persona që janë të pranueshëm dhe të cilët mbështeten nga një shumicë dërmuese e shqiptarëve, pa marrë parasyshë animet politike.

Pa dashur të futem në vlerësimin e “biografive” ose edhe të meritave dhe aftësive të tyre, pro ose kundër kandidatëve që shoqëria shqiptare i konsideron si të lidhur me ish-sistemin komunist — duket se një pjesë e madhe e publikut i konsideron si problematike kandidaturat e tilla, nga cilado parti qofshin, duke i pranuar si vendime nga lartë.  Edhe nëqoftse kandidatë të tillë i kanë përgatitjet e nevojshme për ato poste, ata mbeten gjithnjë — të pakën në pamje dhe dukuri të parë – si tepër problematike për një vend si Shqipëria me një të kaluar komuniste, si ansjë tjetër në Evropë.   Për një vend anëtar të NATO-s dhe për një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, është e pa pranueshme mos përfshirja në detyra kyçe e të pakën ndonjë pinjolli të përndjekurish të ish-regjimit, pa marrë parasyshë nëse emërimet e ministrave janë të pranueshëme ose jo nga ndërkombëtarët.  Pikëspari, ata duhet të jenë të pranueshëm për popullin shqiptar! Çdo qeveri duhet të jetë përfaqsuese e mbarë shoqërisë dhe kjo duhet të demonstrohet pikëspari për nga anëtarët e saj dhe nga ato që ata përfaqësojnë.

A është e mundur, që pas më shumë se 25 vjetë nga shëmbja e komunizmit, Shqipëria të mos ketë individë të aftë që duhej të konsideroheshin për poste të larta në qeveri e në shtet, e të cilët nuk kanë lidhje me trashëgiminë komuniste, me fjalë të tjera, njerëz të “papërlyer”?   Fatkeqssiht duket sikur të konsiderohesh për një detyrë të lartë, duhet domosdoshmërisht t’i kesh rrënjët, si individ ose si familje, në ish regjimin komunist.  Kjo të bën të kualifikuar për punë të lartë shtetërore.

Unë besoj se Shqipëria ka pasur dhe ka njerëz të përgatitur të kalibrit evropian për të shërbyer jo vetëm në politikë, por në çdo fushë të zhvillimit shoqëror, individë që edhe mund të jenë edukuar në universitetet më të mira perëndimore dhe të cilët nuk kanë pasur lidhje me ish-regjimin komunist.  Pse të mos u jepet këtyre personave rasti dhe mundësia t’i shërbejnë atdheut të vet?   Pse bandat politike dhe oligarkët e partive përjashtojnë njerëz të tillë nga jeta politike — të rinjë e të reja, të aftë dhe të zellshëm për t’i shërbyer vendit dhe shoqërisë, ndryshe dhe më mirë nga ç’kemi parë deri tashti?  Për më tepër, pse mos të jetë ndonjë prej tyre, madje edhe pinjoll i ndonjë familjeje të përndjekurish?  Shqipëria është e të gjithë atyre që jetojnë aty, pa marrë parasyshë historinë komuniste dhe pikpamjet politike.  A po mos vallë ata janë të përjashtuar përgjithmonë dhe përfundimisht nga pjesëmarrja në jetën politike, vetëm e vetëm se biografia e tyre nuk është e “pastër”.  Vazhdim ky i luftës civile, luftës së klasave, të shekullit të kaluar?   I madhi Faik Konica ka paralajmëruar se, “Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).

Në një shtet normal demokratik, bëhen sa është e mundur, përpjekje që në qeveri zakonisht të përfaqësohen ose të pakën të pasqyrohen pikpamjet e të gjitha shtresave të shoqërisë, pa dallime politike.   Lindë pyetja se pse edhe sot pas më shumë se një çerek shekulli nga rënja e komunizmit, besnikëria ndaj partisë konsiderohet si më e rëndësishme për të shërbyer në poste qeveritare se sa besnikëria e një kandidati ndaj interesave të Atdheut, sidomos kur bëhen emërime për poste të larta qeveritare?

Që Shqipëria dhe kombi shqiptar të udhëhiqen tani dhe në të ardhmen, nga bijtë dhe bijat më të mira të tij – nga më të papërlyerit — pa marrë parasyshë dallimet në pikpamjet ideologjike dhe politike, siç ka thënë edhe Faik Konica, mbetet shumë për tu bërë. “Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”. (Albania 2, 1897).

Ku është dashuria, ku është vëllazëria, ku është bashkpunimi midis shqiptarëve sot për të mirën e mbarë kombit, për të cilën ka bërë thirrje Faik Konica, më shumë se një shekull më parë?  Të ndarë e të përçarë ashtu si edhe në kohën e Konicës, më shumë se 100-vjetë më parë. Kështu nuk shkohet përpara.  Mjaft është mjaft!  Gjithnjë sipas Konicës: “Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity” (dinjitet tragjik), shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës.  Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë?  Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët”, ka shkruar Faik Konica. (Vepra 2, f 78).

Shqiptarët mund të jenë sot ndër popujt më të braktisur nga klasa politike e tyre. U takon vetë shqiptarëve të vendosin se kush dhe cilët janë levantinët e sotëm – jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, por anë e mbanë trojeve shqiptare — si individë dhe si parti, të cilët kanë bërë aq shumë për të sjell kombin në situatën jo të favorshme në të cilën gjëndet sot.

Mbetemi gjithnjë në pritje dhe në kërkim të papërlyerve, për një drejtim tjetër!

Frank Shkreli

By admini