Shkruan  Gjekë Gjonaj

Portalet dhe mediat lokale  në Ulqin   publikuan lajmin se  Ardian Mavriqi, dhuroi rrogën e këshilltarit në Kuvendin e Komunës së Ulqinit për  fëmijët e Qendrës Ditore  të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara „ Sirena“ dhe Punishtes Artistike për Fëmijë „Art Dulcinium“. Ky është një gjest fisnik, i një politikani  të gjeneratës së re.

Të mos keqkuptohemi. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është t’i thurim lavdi autorit të këtij akti njerëzor, por që të kujtojmë shembullin e njerëzishëm  të secilit  prej nesh, që  bën  vepra  të mira në shërbim të të tjerëve. Fakti që ndihmon nje person në nevojë do të thotë shumë. Jo vetem për atë që do ta di për nder, por edhe për vete. Sepse,  ndihesh mirë që ke bërë një gjest humanitar.Në momentin që ndihmon dikë ai nga ana tjetër do të gjendet pranë nëse do ndodheshim në vështirësi. Të ndihmosh njerëzit qëndron përtej të qenurit dikush. Njeriu i mirësisë , meriton respekt.

Bamirësia  është  një vlerë dhe virtyt i shoqërisë sonë të cilën duhet ta  përhapim.  Sidomos sot. Kur  dukshëm janë zbehur vlerat morale  dhe dominojnë antivlerat. Andaj  shoqëria  e sotme, e rrezikuar nga kriza e humanizmit ( vlerat universale të njerëzimit) , ka nevojë për mirësi , për njerëz të vullnetit të mirë. Të jeshë i mirë domethënë t’i t’i kundërpërgjigjesh me ndjeshmëri, njerëzillëk e ngrohtësi ndaj  nevojave të të tjerëve.

Qoftë edhe një  përpjekje e vogël bamirësie mund të lehtësojë një shpirt të rënduar dhe të lodhur.  Ajo  mund të ndryshojë  jetën e njerëzve.  Çdonjëri nga ne e ka obligim  të kontribuojë në këtë drejtim.  Nuk duhet të harrojmë se një pjesë  e qytetarëve  ka nevojë për përkrahje dhe mbështetje, jo vetëm  nëpërmjet institucioneve shtetërore, por edhe donatorëve, vullnetarëve e  njerëzve zemërmirë e dorëdhënë.  Të gjithë ata që  sot ndihmojnë të tjerët , nesër do të ndihmojnë veten. Nëse i ndihmojmë të afërmit dhe të varfërit, kjo edhe më shumë do të na ofrojë mes nesh, do të na shtojë dashurinë dhe respektin e ndërsjelltë.

Qëllimi ynë kryesor në jetë duhet të jetë t’i ndihmojmë të tjerët. E nëse  nuk mund  t’i ndihmojmë  të paktën mos t‘i  lëndojmë.  Në këtë mënyrë të tjerëve do t‘u  mundësojmë  një kënaqësi. Një buzëqeshje. Një lumturi. Një gëzim. Një shpresë. Një optimizimëm. Një shans që të rikapin rrugën e lënë përgjysmë apo në vetëm pak kohë. Si qenie humane nuk duhet kursejmë asgjë  asgjë për të ndihmuar. Është me të vertetë bukur të ndihmosh të tjerët dhe ia vlen t’i ndihmosh.

Të kujtojmë vetëm misionaren e dhembshurisë  njerëzore -Nënë Terezën dhe  njërën prej dhjetë shprehjeve  më të bukura të sajë : “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha,vetëm gjera të vogla me dashuri të madhe”.

E kaluara jonë  na bën të besojmë se me gjithë vuajtjet e dhimbjet, gjithmonë humanizmi triumfon mbi barbarinë, e mira triumfon mbi të keqën, e drejta mbi padrejtësinë.

By admini