Nikollë-CamajNga Nikollë Camaj                                                                                    

Duke falenderuar të gjithë ata, një për një, afër 1700 votuesë të denjë shqiptarë (edhe pse akoma rezultatet nuk janë përfundimtare dhe pritet që ky numër te jetë më i madh), të cilët patën guxim t’u rezistojnë të gjitha shantazheve, presioneve, kërcënimeve, ofertave joshëse dhe premtimeve për privilegja e benefite të tjera, si edhe situatës së krijuar me grushtshtetin e improvizuar, për të na frikësuar me “gogolin serb”, po ashtu duke falenderuar edhe bashkëpunëtorët e mi të fushatës #guxim, dëshiroj të jap një vështrim mbi rezultatin dhe efektet e këtyre zgjedhjeve, duke u referuar edhe opinioneve të deritashme.

Së pari, duhet vlerësuar se servilizmi i përfaqësuesve politik, gjatë mandatit të kaluar, ushtroi një ndikim tepër të madh mbi votuesin shqiptar,  i cili nuk arriti të shohë ndonjë dallim midis subjketeve nacionale dhe PDS-së, njëjtë sikur që as votuesi malazez nuk arriti të vërej këtë dallim te “Pozitivnës” me PDS-në, për çka ajo edhe e pagoi me mbetje jashtë Parlamentit, ndërkohë që njëri nga përfaqësuesit tonë, “pa bojë”, arriti të sigurojë atë që aspironte, pra një mandat.

Është ky një dëm që vje direkt nga mënyra e përfaqësimit, në përbërjen e kaluar të Parlamentit, e të cilin, “analistët” tonë shpëtimtarë dhe “fituesit” e zgjedhjeve ndër shqiptarë, nuk dëshirojnë ta vërejnë, por edhe tutje tentojnë t’i fajsojnë për djegie votash ata që ofruan mundësinë e vetme, që shqiptarët të mos “detyrohen” të votojnë PDS-në. Është intetresant se për këta “analistë” dhe për “fituesit”, votat e ikura te PDS, nuk paraqesin problem fare, dhe as që duen t’i shohin. Duhet pasur para syshë se, sikur propaganda e tyre për, gjoja, diegie votash, të mos ishte aq e rrebtë, madje edhe ditën e zgjedhjve, përmes mediave të korruptuara, ato vota do të kalonin te subjekti të cilit i ishin premtuar, pra te LDSH, dhe, me kalimin e cenzusit prej 0.7% të votave, ne do të siguronim edhe një manadat shqiptar. Pra vetëm edhe një mandat, se aq mund të prodhojnë votat e përgjithshme të subjekteve nacionale, e jo tre, siç po e paraqesin disa “analistë”. Por, “klithma” se dikush po djeg vota, pati efektin e vet. Kjo thirrje ishte interes madhor dhe instrument i pushtetit malazias, i cili duke i instrumentalizuar përfaqësuesit tonë të deritashëm, arriti të neutralizojë të vetmin subjekt që i prishte palnet, për të siguruar mbështetje pa kushte.

Prandaj, përgjegjësia morale, njerëzore e politike, për rezultatin e dobët të shqiptarëve në këto zgjedhje, në rend të parë bie mbi ata që në Parlamentin e Malit të Zi, votuan qeverinë, pa kushte, me çka shlyen dallimin midis PDS-së dhe partive nacionale; përjegjësia morale, politike e njerëzore u mbetet atyre që mashtruan dhe grabitën mandate, duke mos respektuar marrëveshjet e nënshkruara, me çka humbën besimin te marrveshjet e te koalicionet e reja; përgjegësia morale e politike do të bie mbi ata të cilët trumbetuan “djegien e votave”, me çka vërtet dogjën vota; përgjegësia morale e politike do të bie mbi ata të cilët, pasi që i formuan koalicionet e tyre lokale, në Ulqin, i ftuan të tjerët, për t’i shfyrytëzuar si karburant për të arritur destinacionin e vet, prehërin  Gjukanoviqit; përgjegjësia bie edhe mbi ata që, për inetersa të vogla e inate province, i çuan votat te PDS-ja dhe te koalicionet në Ulqin, të panevojshme për to, duke i lanë shqiptarët pa mandat të mirëfilltë, për 4 vitet e ardhshme, të cilin mund ta jepte vetëm Lista #guxim. Prandaj, është për të ardhur keq që shqiptarët nuk muarën mandatin që u takonte, atë të Listës #guxim, por jo edhe aq për faktin se numrit të mandateve të Gjukanoviqit nuk iu shtua edhe ndonjë mandat më shumë.

Pra, “fituesve” as që u bie ndërmend të ankohen që aspërafër nuk iu afruan manadtit të dytë, dhe se votat i ikën mu PDS-sës. Por, si duket, kjo atyre u shkon në favor, pasiqë eviton obligimin që ka ndaj partnerëve, dhe krijon mundësi të re, e arsyetim, për shkelje eventuale të marrëveshjes. Kurse ankesa e tyre për mandatin e humbur të koalicionit tjetër paraqet “lotë krokodili”, pasi që qëllimi i dytë kryesor i tyre, në këto zgjedhje, ishte neutralizimi i rivalit lokal.

T’i shtojmë kësaj edhe dëshminë e fundit, e cila i çierri të gjitha maskat. Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, të dy përfaqësuesit e dy koalicioneve shqiptare, votojnë kundër përsëritjes së zgjedhjeve dhe kundër mundësisë që njëri të fitojë mandatin e dytë, aq të përfolur, apo që tjetri të hyjë në Parlament. Kaq sa i përket interesimit të tyre për çështjen shqiptare!

Del sheshit se ky është çmimi i servilizmit të ishpërfaqësuesve, të cilin e paguan shqiptarët, kurse mosdepertimi ynë ishte çmimi që e paguam ne, për shkak të mos pranimit për të qenë pjesë e kalkulimeve politike të kryeshqiptarit të sotëm Nazif Cungut, i cili çdo gjë e sheh me syrin e tregëtarit. Por jo çdë gjë, e çdo kush, është në shitje!

Në fund edhe një njoftim;  ne nuk jemi listë e re, e organizuar disa ditë para zgjedhjeve, siç tenton të na paraqesë z. Cungu në tekstin ku merret me “gjuajtjen e shtrigave”, por jemi subjekti më i vjetër politik i shqiptarëve  në Mal të Zi, njerëzit e të cilit u mbetën besnikë parimeve programore që nga viti 1990, e të cilët nuk pranuan të koruptohen në koalicionet e projektuara nëpër kabinetet e Podgoricës. Pra, ne nuk jemi  avanturier politikë që shetisin nga një subjekt në tjetrin, apo nga kolaicioni në koalicion, vetëm  për të siguruar ndonjë copë mandat apo pjesë në buxhet. Në vend të tyre, ne u orjentuam për një Listë unike, e cila nuk do të bëjë kompromis me askë, në dëm të popullit të vet.

Përfundimisht, nga këto zgjedhje ne dualëm lista më e fortë unike shqiptare dhe shumë shpejtë do të dëshmohemi se jemi faktor, sikur shumë shpejtë do të dëshmohen edhe  hilet, pasinqeriteti e prapaskenat e koalicionit fitues, i cili asnjëherë nuk e pa të udhës të shpreh indinjatën e vet me suksesin e paparë të PDS-së në tervat shqiptare,  madje edhe në trevat ku ata dominojnë.

Prandaj, ne nuk do t’i humbasim shpresat. Lista kombëtare #guxim do të vazhdojë rrugëtimin e vet në ndërgjegjësimin politik e kombëtar të breznive të reja, të cilat,  nëse me veprimet e veta ndjekin shembullin e përfaqësuesve të deritashëm, i pret asimilimi i sigurtë dhe shpërbërja e trungut etnik, njëjtë si në Rozhajë e në Tivar.

Shpresojmë që këto zgjedhje, shqiptarëve në Malin e Zi, t’u shërbejnë, së paku si mësim i ndërgjegjësimit kombëtar.

By admini