Luk Toma dhe Kolec Uci kishin pranuar “ Besëlidhjen e Malësisë së Madhe” në Tuz, më 30 maj 1943, ku morën pjesë bajraktari i Hotit, kolonel Mul Delia, major Llesh Marashi, major Dodë Nikolla, kapiten Gjelosh Luli, patrioti dhe prijsi e komandanti popullor i Kelmendit, Prekë Cali, Andon Përdoda e të tjerë, të cilët u zotuan se do ta mbrojnë si gjithmonë malësinë nga të papriturat e mundshme, sidomos nga politika e forcave komuniste shqiptare, të nxitur nga ajo e shovinistëve sllavë dhe të orientojë Malësinë që të mos bjerë pre e e përfshirjes në ndonjë luftë vëllavrasëse. Por, kur partizanët shqiptarë shkelën gjithë territorin e Malësisë, në anën tjetër të lumit Cem, për të propaganduar “ bashkimn-vëllazërimin” dhe kërkuan që shqiptarët të marrin pjesë patjetër në radhët e partizanëve të Josip Broz Titos, malësorët, pra edhe Luk Toma dhe Kolec Uci, vendosën të mbrojnë Kelmendin nga komunistët.
Luku e Koleci me disa malësorë antikomunistë nga Gucia, nga Trieshi, nga Dukagjini me banim në Plavë e Guci etj. ishin pjesëmarrës të kuvendit historik të burrave të Kelmendit, në janar të vitit 1945 në shtëpinë e Mark Bikut në Kalcë të Brojës, në të cilin morën pjesë edhe Prekë Cali, Fran Kolë Deda, Lucë Gjorapuka, Ndue Gjo’ Rapuka, vojvodë i Vuklit, Ndue Gjon Smajli, Gjekë Selca, Kolë Gjoni, bajraktari i Vuklit, Fran Zefi, Tomë Dushi, Maç Luca, Tomë Dushi, Ndue Nika, Mark Toma, Prekë Gjekë Luli, Gjergj Lulë Toma, Dodë Marku , Zef Kolë Luca, Marash Kola, Ndue Pepa, Fran Zef Nikçi, Fran Lleshi, Prekë Gjekë Luli, Rrok Pretash Zogu, Preng Biba etj., që ishin kundra nënshtrimit komunist. Të gjithë pjesëmarrësit e këtij kuvendi u pajtuan se nuk duhet të vriten vëllezërit e një gjaku, të një gjuhe, të një vendi, të një zakoni, të një flamuri. “ Jemë vra, jemë pre dhe jemi djegë herë me turq, herë me bullgarë, herë me serbë e malazezë dhe më shumë të tjerë, por kurrë ndërmjet vedi. Unë nuk jam me u derdhë gjak shqiptari. Unë nuk jam me u vra vëllau me vëlla”, u shpreh Prekë Cali para malësorëve në kuvend. Por, shpirti epik i malësorëve dhe ndjenja e moscënimit të nderit, fesë, zakoneve dhe traditave të tyre nuk mundën të pranonin të lidhin besë me ata (komunistët- partizanët shqiptarë), që kanë bërë krushqi me armikun e përjetshëm të popullit shqiptar, serb e malazez, andaj në këtë situatë i dhanë fjalën njëri-tjetrit për të luftuar deri në vdekje kundër cilitdo që guxon të prekë trojet shqiptare dhe për t’i dalë zot Kelmendit, ashtu siç ua kishin lënë amanet të parët, të bindur se komunistët s’kanë vend në Malësinë e Madhe.
Rrugës së tyre kundër komunizmit nuk iu ndanë deri në vdekje.
Sipas të gjitha dokumenteve arkivore dhe dëshmive gojore
O ‘ska Zot,
O, s’ka Krisht,
O, s’ka komunist
Forcat partizane të Batalonit të tretë të Brigadës së Parë Sulmuese, të nxitur dhe të mbështetur nga politika bolshevike, pasi dështuan përjekjet e Prekë Calit për një marrëveshje me udhëheqësit e forcave partizane, me pabesi sulmuan me armë Kelmendin në janar të vitit 1945. Në kulmin e dimrit, të dëborës dhe acarit në luftën e Tamarës derdhej gjak shqiptari i pafajshëm. Malësorëve nacionalistë, në mesin e të cilëve edhe Luk Toma e Kolec Uci, nuk u mbeti tjetër përveçse të mbrojnë trojet e tyre shkeullore. Pa dëshirën dhe vullnetin e tyre filluan rrugën e tyre kundër komunizmit të cilës nuk iu ndanë deri në vdekje. Sepse i mbaheshin betimit ndaj thirrjes së prijësit të tyre Prekë Calit. “ Trojet e të parëve tanë nuk guxon kush t’i nëpërkëmbë. Komunizmin nuk e durojmë mbi shpina”.
Në mbledhjen e tri bajraqeve: Selcës, Nikçit e Vuklit u vendos që malësorët e këtyre të dalin të parët për t’i bërë hovin ndëshkimor e terrorist Brigadës së Parë. Kelmendasit trima zunë vend në bregun e djathtë të Urës së Tamarës, ku edhe u zhvillua një luftë e përgjakshme në mes vëllezërish shqiptarë, e cila vazhdoi më se një muaj. Ishte kjo kryengritja e parë e armatosur në Malësi të Madhe kundër diktaturës komuniste në Shqipëri dhe e para e këtij lloji në gjithë hapësirën komuniste pas Luftës së Dytë Botërore. Atë Kolë Berishaj në librin e tij “ Nder e burrni ndër malet tona”, në këngën e tij epike kushtuar luftës së Kelmendit shkruan:
“… Por kur hini partizani
Krisi pushka, kërdi bani,
Krejt Kelmendi n’kambë asht çue
I madh e i vogël, trim e grue,
Kin demek me ia ndal hovin,
Hovin toskve me jua ndalë
S’dinë ata gja për babe as nanë,
S’duen me dijt për Zot as fe
K’ta s’asht kenë kurr’ ndër ne!
Duen me prish’ kish’ e xhami,
Duen ata fen krejt me zhbi,
Kurrkush ma me pagzue fmi,
Kurrkush ma në kishë me hi.
Emnat t’tanve m’u tërrnue,
S’guxon kush ma m’u pagzue.
S’guxon kush n’kishë me shkue,
As në kishë, as në xhami,
Toska don vetëm Parti!”
“ … Sikur shtasa me jetue!
I pa Zot dhe i pa fe
Shteti ynë ( Shqipëria shënimi im) u shpall ndër ne!..”
Kjo luftë ende ka mbetur e panjohur nga historiografët shqiptar, por ka mbetur e pashlyer në kujtesën e Kelmendit, në rrëfimet e luftëtarëve dhe të pasardhësve të tyre. Ish luftëtarët në luftën e Tamarës në dëshmitë e tyre thonë se “ komunizmi na ka mësyrë heshtas, pa ditur, natën, e ne s’donim luftë. Mirëpo kur ata na kanë gjuajtur të parët ne u kthyem pushkën, kemi luftuar sa kemi mundur, pa u dorëzuar për së gjalli, bashkë me kryengritësit malësor të Kelmendit, Vuklit, Nikçit, Brojës e fshatrave të tjera të Malësisë së Madhe të ndihmuar edhe nga vullnetarët e tjerë antikomunistë nga Gucia, të bindur se po t’i lëmë të futen komunistët në Kelmend ata do të na zhduknin”.
Preç Luku, 93 vjeç ish luftëtar në luftën e Kelmendit dëshmon:
“ Ishte ditë e ftohtë janari, me borë e ngrica. Oh, lufta si lufta, plagët ishin të rënda, humbjet të dhimbshme. Malësorët kryengritës, të shpërndarë në Tamarë, Brojë, Nikç, Vukël e fshatra të tjera luftonin kundër uzurpimit komunist. Bashkë me kryengritësit malësorë, në luftën e Kelmendit luftuan edhe Luk Toma, me dy djem, Preçin dhe Noun, me kushririn Gjokë Prëlën (kryeplak i Vishnjevës dhe pjesëmarrës në mbledhjen e Tiranës me nacionalistët e tjerë kelmendas), djalin e tij, Gjeto Gjokën Curanaj si dhe me kushëririn Kolec Ucin, vëllain e tij, Lucë Ucin, dhe nipin Nikollë Palin.
Unë isha nishanxhi në minahedhës, të cilin profesion e kisha ushtruar edhe në kohën e shërbimit ushtarak. Në këtë luftë të përgjakshme Koleci plagoset rëndë në gjoks nga forcat e tërbuara partizane shqiptare dhe menjëherë e dërgojnë të ngrirë në shtëpinë e Ujk Mark Bikut, ku ishin edhe paria. Të kota ishin përpjekjet e tyre për t’ia shpëtuar jetën dhe ai ndërroi jetë mëngjesin e 17 janarit të vitit 1945. Të nesërmën e marrin kushërinjtë dhe vullnetarët e Prekë Calit dhe e çojnë në Vukël te kisha. Aty e ruajnë një natë në shtëpi të Pretash Bicit dhe pastaj e varrosin në varrezat e Vuklit. As babi im Luku nuk mund i shpëtoi plumbave të bishave të egra komuniste. Luku plagoset në këmbë të njëjtën ditë kur edhe Koleci. Babën e kam bajtë vetë i treti deri në shtëpinë e mikut të kresë Llesh Tomës në Nikç, te motra e tij Pashkë Tomja, kurse më vonë strehohet në shtëpinë e Fran Zef Pëllumbit. Ai edhe pse i plagosur rëndë nuk u dorëzua por nga kjo kullë luftoi trimërisht me malësorët e tjerë deri në vdekje. Sepse ata nuk e njihnin “ artin” e dorëzimit e të rënies në gjunjë para askujt sado i armatosur të jetë. Forcat komuniste djegin kullën e malësorit të ndershëm Fran Zefit në Nikç. Bashkë me të hedhin në flakë edhe trupin e babait tim me shokë të tjerë. Këta malësorë trima u dogjën në shtrat dhe të plagosur nga dora gjakatare e komunistëve shqiptarë, sikur u dogj nga ushtarët e Krajl Nikollës Oso Kuka në Vraninë. Këtë akt barbar, jonjerëzor e makabër, të djegies për së gjalli të malësorëve trima antikomunistë, Atë Kolë Berishaj e përshkruan me këto vargje rrënqethëse:
“Ty, o Zot, të kjoshim falë,
Ku ke pa me i djegë për të gjallë,
Ku ke pa a ku ke ndi
Kurrkund n’botë, as çifutni.”
Eshtrat e tij, rrëfen Preçi, i kanë varros kushërinjt e grues sime në varrezat e tyre në Nikç, ku kanë qëndruar deri në vitin 1990, prej nga i kemi sjellë në vendlindjen e tij në fshatin Vishnjevë, të Gucisë.
“Bashkë me Lukë Tomën plagoset edhe Dedë Gjon Bajraktari, nga Vukli, kurse bashkë me Kolec Ucin vriten edhe Zhuk Toma nga Broja e Lucë Gjon Uci nga Vukli”, pohon Preçi.
Poeti i njohur popullor nga Kelmendi, Ndoc Dedë Vulaj, i cili që nga viti 1968 jeton në Amerikë, këta trima të lirisë nga Vishnjeva i ka përjetësuar në vargje, në librin e tij me shumë vlerë “ Lufta e Kelmendit”, botuar nga Shtëpia Botuese “ Atë Gjergj Fishta” , Shkodër 1999:
“ .. Kshtu me Mirash Fran Kolë Dedën,
Kolec Ucin prej Curanajsh
Të tan flije e banë vendin
Tue qindrue si t’ishin Danajsh
Kishin ardhë ‘fill prej Gucijet
Kudo t’lypej për t’i qëndrue
N ‘tana anët kundra ushtrijet
Ma mirë me dek se me i durue…” dhe vijon:
“ … Fran Zef Nikçit tue i djeg’ shpinë,
Prej Curanajsh, nji trim trimit,
Luk’ Tomë Trieshin, mbrendë ia shtinë
E i dhan’ flak’ pa far’ trishtimit…
“ …
Zotit : martir feje
Para robit, pa dy fjalë,
Ata janë dëshmorë atdheje
Për të jetën e kanë falë…”