Ali-bardhiIntervistë me Mr. Ali Bardhin lidhur me projektin “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin”

DËSHMI E PARAARDHËSVE TANË

Së shpejti, pritet të dalë nga shtypi, monografia “Varrezat në Anë të Malit-Ulqin”, edhe është publikimi i parë I këtij lloji për këtë trashëgimi kulturore.Zaten,kjo qasje më inkurajoj që të intervistoj autorin e librit, në mënyrë që lexuesi të ketë informacionin e parë.Libri botohet me firmën e SHAI “Art Club” të Ulqinit.

1.Cili ka qenë motivi që të bëni këto hulumtime interesante në një mjedis siç është Ana e Malit ?

baneri-web-sajte-origjinaliMr. Ali Bardhi:Sa herë që vija me pushime në vendlindje nga studimet në Stamboll, ballafaqohesha me varreza e gurvarre me mbishkrime arabe-osmane që dukeshin të vetmuara e të shkreta. Koha e gjatë rrezikonte që pasardhësit e tyre të zbehnin kujtesën rreth të parëve të tyre. Çdoherë që rrija me të moshuarit në ndeja apo tubime të ndryshme, gjeja rastin që t’i pyesja rreth këtyre varreve, por përgjigjja e tyre ishte se ato janë të moçëm dhe se në to janë të varrosur të parët e tyre, por që fatkeqësisht nuk dinin t’i lexonin. Duke e parë këtë gjendje të popullit, dëshira e madhe për të ditur më tepër rreth paraardhësve tanë, si edhe duke vërejtur se nuk kishte ndonjë studim rreth vendvarreve dhe varrezave në trevën e Anës së Malit për asnjë periudhë historike, më lindi kureshtja të nisi një hulumtim dhe studim të tillë.

2.Është i ndërlidhur me ndonjë institucion shkencor lokal,shtetëror, apo thjeshtë, personal i Juaji?

Mr. Ali Bardhi:Ky libër është rezultat i projektit tim privat “Hulumtimi dhe studimi i varrezave në trevën e Anës së Malit (Ulqin)”, i mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, që filloi në vitin 2012 dhe përfundoi në vitin 2015.

3. Jeni përqëndruar vetëm nëpër varret e besimit islam apo keni regjistruar edhe varret e riteve tjera fetare në Anë të Malit ?

Mr. Ali Bardhi:Si fillim duhet thënë se ky studim përfshin vetëm varrezat e pjesës së trevës së Anës së Malit që i përket Komunës së Ulqinit, kurse pjesa e Anës së Malit e mbetur brenda Bashkisë së Shkodrës nuk është përfshirë.

Në këtë pjesë të Anës së Malit ku është fokusuar studimi janë regjistruar të gjitha varret e riteve fetare që banorët e treves i njohin. Studimi detyrimisht që ka pasur si qëllim varret me mbishkrime. Sikur të na kishte rezultuar ndonjë gurvarri prej periudhave të ndryshme historike të shkruara me alfabet me mbishkrime që do të duhej të deshifroheshin apo transkriptoheshin të çfarë do lloj besimi dhe periudhe do të trajtoheshin në punim. Por duke qenë se studimi përfshin vetëm varret e ndodhura mbi siperfaqen e tokës na ka rezultuar që gurvarri i parë me mbsihkrim të jetë i vitit 1707.

Kështu që hulumtimi dhe studimi i varrezave të Anës së Malit (Ulqin) paraqet vendvarret dhe varrezat pa mbishkrime si edhe ato me mbishkrime.

Pra siç thamë, në kapitullin e parë kemi paraqitur varrezat dhe vendvarret pa mbishkrime, të hulumtuara nga grupe pune kërkimore në bashkëpunim me banorët e këtyre fshatrave, nëpërmjet dëshmive dhe kallëzimeve të të cilëve u evidentuan lloje të ndryshme varrezash në shumë fshatra të kësaj treve. Varret në Anë të Malit, mbështetur në rrëfimet e popullsisë dhe hulumtimet shkencore të bëra deri tani, u takojnë periudhave të ndryshme, prej të cilave përmendim vendvarret e periudhës ilire të cilat njihen me emrat mogile, tuma, kodra apo suka, pasi edhe sot ato i mbartin këto emra, varrezat e periudhës antike, të periudhës bizantine, që përkon me sundime të ndryshme, të periudhës së Balshajve, të periudhës veneciane, osmane dhe bashkëkohore. Këto varre janë ende të pastudiuara nga arkeologët dhe studiuesit. Për momentin ne jemi mjaftuar vetëm me gjetjen e vendndodhjes së tyre në mënyrë që në të ardhmen ky hulumtim për vendvarret pa mbishkrime të shërbejë si udhëzues për studiuesit.

Kurse në kapitullin e dytë janë përfshirë varrezat me gurvarret me mbishkrime arabe-osmane, të cilët ndodhen mbi sipërfaqen e tokës. Ky kapitull është trajtuar më gjerësisht edhe për arsye të nevojes që paraqet transkriptimi dhe përkthimi i tekstit të gurvarrit.

4.Ku i keni gjetur varret më të vjetra në Anë të Malit, në zonën fushore apo atë më të lartë ?

Mr. Ali Bardhi:Ashtu siç u cek edhe më lartë vendvarret dhe varrezat në Anë të Malit, mbështetur në rrëfimet e popullsisë dhe hulumtimet shkencore të bëra deri tani, u takojnë periudhave të ndryshme, duke filluar nga periudha ilire e më rradhë deri në periudhen bashkohore. Këto varre ndodhen në të gjithë trevën e Anës së Malit dhe se janë ende të pastudiuara nga arkeologët dhe studiuesit. Për momentin ne jemi mjaftuar vetëm me gjetjen e vendndodhjes së tyre në mënyrë që në të ardhmen ky hulumtim për vendvarret pa mbishkrime të shërbejë si udhëzues për studiuesit.

Duke qenë se këto varre janë pa mbishkrime nuk mund të flitet se në cilën zonë janë më të vjetër. Varret e këtyre periudhave të hershme parahistorike nuk janë të hulumtuara edhe në lokalitetin e Shasit ku janë bërë gërmimet arkeologjike. Kështu që krnologjia e hershme e varreve në Anë të Malit mbetet të studiohet. Kurse gurvarri më i hershëm me mbishkrim është gjetur në pjesën fushore, në varrezat e xhamisë së fshatit Shtodër dhe që i përket vitit 1707. Duhet theksuar se për periudhën që shtrihet para gurvarrit të parë të gjetur me mbishkrim, prej hulumtimeve tona në terren, nuk ka rezultuar ndonjë gurvarr tjetër më i hershëm me mbishkrim se gurvarri i vitit 1707.

5.Në cilën gjuhë, çfarë mbishkrimesh dhe simbolesh vërehen në gurët e varreve?

Mr. Ali Bardhi:Gurvarri me mbishkrim i gjetur mbi siperfaqe i përket periudhes osmane.

Epitafet në Perandorinë Osmane janë të shkruara në osmanisht, me shkrim arab-osman, pasi gjuha zyrtare e kësaj perandorie ka qenë osmanishtja me shkronja arabe ashtu siç kanë qenë gjuhë zyrtare latinishtja në Perandorinë Romake dhe greqishtja në Perandorinë Bizantine.

Në ndonjë rast janë përdorur edhe shprehje apo fraza në gjuhën arabe të cilat janë vendosur për arsye fetare me qëllim lutjeje, ashtu sikurse latinishtja dhe greqishtja që kanë qenë gjuhë liturgjie në Perandorinë Romake dhe Perandorinë Bizantine (Romeje).

Ndonjëherë ndodh që në gurvarret me mbishkrime arabe-osman të mos përcaktohet gjuha e epitafit të varrit, pasi përveç emrit dhe datës së vdekjes së të ndjerit janë cekur edhe fjalët fetare si merhum, fatiha etj., të cilat janë të shkruara si të vetme. Kjo gjë e bën të vështirë përcaktimin e gjuhës së epitafit, pasi shprehje të tilla janë përdorur nga të gjithë myslimanët e kombeve të Perandorisë Osmane. Në këtë mënyrë, këto shprehje janë bërë edhe pjesë e lutjeve edhe për myslimanët shqiptarë.

Një element tjetër me rëndësi në gurvarret me mbishkrime arabe-osmane në trevën e Anës së Malit janë edhe simbolet dhe motivet dekorative të gdhendura, nga të cilat, në ndonjë rast mund të kuptohet edhe statusi që ka pasur i ndjeri gjatë jetës së tij, por ndodh që të ketë edhe simbole të gdhendura me qëllim dekorimin e gurvarrit. Gati rreth gjysma e këtyre gurvarreve i kanë të gdhendura simbolet e trajtuara, si: gjysmëhëna, ylli me gjashtë cepa apo vula (myhyri) e Sylejmanit, ylli shumëcepash, svastika, suavastika, shpata, kama (thika), selvia, lulja e jetës. Gjithashtu janë gjetur edhe dekorime të tjera, si gjerdani, lule dhe motive të ndryshme bimore etj.

6.Gjatë punës suaj kërkimore, keni siguruar ndonjë informacion se kush kanë qenë gurgdhenësit e varreve edhe nga janë furnizuar me lëndën e parë?

Mr. Ali Bardhi:Sa i përket gurit të përdorur në varret e kësaj zone, mbi bazën e pohimeve të mjeshtërve të varreve aktuale në Ulqin, ato janë disa llojesh, si gur vendas dhe i importuar. Kurse sa i përket punimit të gurit nuk kemi fakte se ku mund të jenë gdhendur ato. Vetëm se në varrezën e vjetër afër xhamisë së Katërkollës kemi gjetur një gurvarr të vitit 1865, në të cilin është shkruar “Amele Adem Dibra”, që d.m.th. “E punoi Adem Dibra. Duke iu referuar mbiemrit Dibra, paraardhësit e tij mund të kenë qenë nga Dibra. Në Shtodër ka jetuar imam Jashar Dibra, me origjinë nga Dibra, i cili ka vdekur në Shtodër në fillim të vitit 1910. Aktualisht këtu jetojnë edhe trashegimtarët e tij.

7.Projekti Juaj ka vetëm fotografi e fjalë apo edhe eksponate tjera që cilësojnë përmbajtjen e tij?

Mr. Ali Bardhi:Ky libër i cili vjen si rezultat i projektit të cekur më lartë përmban fjalë dhe fotografi. Përveç vendvarreve dhe varrezave pa mbishkrime të cilët janë trajtuar me fjalë, për varrezat me mbsihkrime kemi paraqitur gjithsej 1240 fotografi, ku bejnë pjesë fotografitë e gjashtëqind (600) gurvarreve me mbishkrime arabe-osmane të gjetura në trevën e Anës së Malit (Ulqin), si vendvarre në varreza apo të veçuara. Pranë fotografisë epitafet e gurvarreve pas transkriptimit janë oaraqitur në gjuhën shqipe. Në pjesën e fundit të punimit janë dhënë disa tabela që tregojnë numrin e gurvarreve me mbishkrime arabe-osmane në total për të dyja gjinitë, llojet e pjesës së kokës së gurvarrit – tyrbanëve, simbolet, tekstet e shkruara me të gjitha temat dhe karakteristikat tjera. Gjithashtu në shtojcë kemi paraqitur edhe harten e hulumtimeve tona në terren.

8.Dorëshkrimi tashmë ndodhet në shtyp. Kur do të jetë në duart të lexuesve?

Mr. Ali Bardhi:Tani kanë përfunduar të gjithëa përgatitjet e librit për botim dhe se shpejti pritet që të dal nga shtypi për lexuasit.

9. Keni pasur ndonjë përkrahje financiare institucionale apo individuale, apo vullneti juaj i ka sfiduar të gjitha vështirësitë?

Mr. Ali Bardhi:Së pari ka qenë vullneti dhe përkushtimi im për fillimin e këtij studimi. Por nuk duhet lënë pa përmendur Fondin për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi si mbështetësin e këtij projekti ku gjejë rastin ta falenderoj, , redaktorin Phd. (c) Ermal Nurja, recensentin Dr. Nail Draga, konsulentët Phd. (c) Behlul Kanaqin për çështje fetare dhe studiuesin Gazmend Kovaçi për ndihmesën e dhënë në sigurimin e raporteve arkeologjike dhe trajtimin e kronologjisë, lektorin Phd. (c) Ismet Kallaba, fotografin Krenar Kurti, dizajnuesin Bledar Xamën, Muho Dushkun i cili përgatiti hartën e hulumtimeve, të gjithë ata që më ndihmuan gjatë hulumtimeve të vendvarreve në terren, emrat e të cilëve janë shënuar në listën përkatëse të mirënjohjes në libër, si edhe OJQ Horizontin.

10. Do ta vazhdoni këtë formë të evidentitmit të trashëgimisë kulturore edhe në mjediset tjera, apo projekti Juaj ishte vetëm një nxitës për hulumtuesit tjerë?

Mr. Ali Bardhi:Ky studim i këtij lloji është i pari në trevën Anës së Malit (Ulqin). Shpresoj që ky studim në të ardhmen do të nixisë dhe hap rrugën e studiuesve të tjerë (historianëve, arkeologëve, etj.) në vendvarret dhe varrezat pa mbishkrime që kemi identifikuar duke filluar nga raportet arkeologjike të lokalitetit të lashtë të Shasit dhe gjithë fshatrave të tjerë të kësaj treve.

Nëse Zoti na jep shëndet dhe mundësi ,në të ardhmen kam plan që të filloj një hulumtim të tillë edhe për varrezat brenda pjesës urbane të Ulqinit, e më pas do të ishte mirë një studim i tillë të vazhdohet edhe në trevat tjera.

Intervistoi: Ibrahim Berjashi

By admini