Edhe në Parlamentin e Malit të Zi përplasjet dhe polemikat mes palëve kanë kaluar kufijt e një komunikimi normal e të civilizuar. Këtë e dëshmon ajo që pamë në ekranet televizive të premten e shkuar në Parlament, në sallën ku duhej të debatohej për propozimet e ministrave nga radhët e opozitës për qeveri kalimtare. Incidenti nisi kur kryeminsitri Millo Gjukanoviq doli në foltore për të propozuar ndryshimet në përbërjen e Qeverisë. Deputetët e Frontit Demokratik në këtë moment nga bankat e Kuvendit të ngritur në këmbë i brohoritën me zë të lartë kryeministrit malazez me fjalët“ Millo hajn ”! E menjëhershme ishte edhe përgjigjja e kryeminsitrit të nervozuar po me këtë lloj gjuhe të pahijshme, agresive dhe fyese në raport me kundërshtarët politikë: “ Ju lumtë budallenjë”! Kjo ndikoi në ngritjen shtesë të klimës së tensionur politike në sallë. Deputetët e Frontit Demokratik dhe kryeminsitri Millo Gjukanoviq iu drejtuan njëri-tjetrit me një gjuhë shumë agresive, fyese e diskriminuese, e cila nuk e nderon asnjërën palë. Këto fyerje personale u kthyen në një duel verbal në mes të dy krahëve, i cili për fat të mirë përfundoi pa ndonjë përleshje fizike e përdorim grushtash.
Kjo atmosferë shumë e tensionuar në Pralamentin e Malit të Zi e shprehur me një fjalor vulgar mes atyre që janë votuar nga zgjedhësit për të qeverisur e për të debatuar mbi hadhet e tyre në sytë e opinionit publik u duk pothuaj më keq se sa një betejë burrash me grushta. Kjo luftë fjalësh të pahijshme, sharjet dhe fyerjet e klasës politike malazeze edhe 26 vjet pas ndryshimit të sistemit në përceptimin tim pa dyshim na lanë një shije të hidhur. Ato në një farë mënyre, më shumë se sa kundërshtarin kanë fyer publikun – qytetarin në Mal të Zi. Profesioni tepër i lartë i tyre (lexo politikanëve malazez) e bën të pajustifikueshëm këtë lloj niveli komunikimi. Ky stil i zgjedhur i komunikimit të politikanëve malazez në zhvillimet e të premtes nuk duhet të jetë model komunikimi i një shoqërie moderne të cilën e ëndërrojmë të gjithë. Tensionimet e këtilla politike janë krejt të panevojshme. Standarde të këtilla komunikimi janë të papranueshme le të themi për vende normale dhe demokratike. Aktorët politikë malazez sikur nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë pasojën që prek edhe ata vet, kur përpiqen të delegjitimojnë kundërshatrin. Madje vëmë re se publiku, përjashto një pjesë ekstreme që e dëshiron këtë gjuhë, në pjesën më të madhe të rasteve dënon më shumë atë politikanë që artikulon sharjen, se sa atë që e pason sharjen. Është e pamundur të mendosh e të besosh që, njerëz të cilët nuk e kontrollojnë veten, diskursin e tyre, ligjërimin dhe trurin e tyre, të mund të ndërtojnë sisteme vlerash të cilat qeverisin shoqërinë.
Ky skandal është një mesazh i keq për Malin e Zi, i cili nuk duhet të përsëritet.Parlamenti është një vend ku duhet të shkëmbehen argumentete dhe idetë, ku partite duhet të konkurrojnë me projektet dhe vizionet e tyre për zgjidhjen më të mirë të problemeve, por jo me sharje e fyerje. Ky nivel i ulët i komunikimi nuk e ka vendin në Parlament. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me demokraci.
Sigurisht, ky nuk është incidenti apo sherri i parë në Parlamentin malazez, por s’është as i vetmi i ndodhur në një parlament. Në mbarë botën ka mjaft precedentë të sherreve me përmasa të mëdha, si ato të kohëve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Turqisë, Ukrainës,Italisë, Çekisë, Tajvanit, Meksikës, Indisë etj.Sherre të bujshme në historinë e jetës parlamentare ka patur madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në kontekstin e shoqërisë sonë zhvillimet e fundit në Parlamentin e Malit të Zi komentohen ndryshe nga ato me demokraci më shumë të zhvilluara se sa është kjo e jona.
Neve qe nuk jemi kurrefare faktori na ka mbet me ju shit mend malazezve?! Na nuk kemi per vehte.