dom-nik-ukgjiniKleriku Gjonlleshaj nga Kosova në selinë e primatit të Serbisë

Nga Dom Nikë Ukgjini – Shkodër

E kaluara historike na dëshmon se jo vetëm ne rajonin tonë, por edhe në vende të tjera të Evropës, ka pasë ngatërresa ndërkishtare rreth epërsisë së njërës apo tjetrës palë se kush është primat e kush jo. Në këto raste është dashur intervenimi i Selisë së Shenjtë për të qetësuar shpirtrat e ndezur për pushtet. Sherre të kësaj natyre në mesjetën e hershme, shënohen në Britani të Madhe, Francë, Spanjë etj.

Pa hyrë në hollësira, të gjithë ipeshkvijtë pos Papës, me shugurimin si të tillë janë të barabartë mes veti. Por disa ipeshkvij, në momente të caktuara, në vende të caktuara dhe kohëra të ndryshme, arrijnë të kenë më shumë pushtet mbi disa ipeshkvij, pushtet ky i dhënë nga pushteti i përgjithshëm i papatit të Romës si ipeshkëv i parë nder të barabartët. Në këtë mënyrë në Kishën Katolike kemi, Patriarkë, Ekzarkë, Primat (në Perëndim) dhe Kryeipeshkëv dhe Kryeipeshkëv Metropolitan.

Primat ishte pushtet i dhënë drejtpërsëdrejti nga Papa i Romës, dedikuar vendeve të caktuara për shkak të kushteve rrethanore. Primatët, në mesjetën e mesme kanë luajtur rolin e një Vakariati, siç ka qenë më parë, ai i Selanikut apo Justinian Prima shek..VI, dhe qenë të barabartë me Patriarkët. Primatët kanë pasë pushtet në rajonin kishtar të caktuar të mbikëqyrnin zbatimin e ligjeve kishtare nga ipeshkvijtë e metropolitët, zgjidhjen e problemeve ligjore eventuale në mes tyre, mbajtjen e Koncilëve vendorë dhe vajosjen e vendosjen e kurorës mbretërve të një rajoni të caktuar. Këto të drejta, Primatët i kanë gëzuar deri në Koncilin e Parë të Vatikanit ( 1869). Më pas, për shkak të rrethanave historike roli i primatit kishte filluar duke u zbehur.

Me të drejtë shtrohet pyetja, nga e mori Tivari këtë të drejtë. Studiuesit mendojnë se primati i ipeshkvijve të Tivarit ekziston të paktën që nga koha e Nemenjiqëve shek. XII. Dhe ndër arsyet ka qenë, se Tivari, i cili e mori vazhdimësinë e Dioklës antike, kishte në gjirin e tij popullin sllav, i cili në shek. XI-të , ishte i posa pagëzuar. Me këtë rast Primati kishte përgjithësi para papatit që sllavët, shpirtërisht të posarilindur të mos kalojnë në ndonjë herezi. Një arsye tjetër ishin rrethanat e ndërlikuara politike në Ballkan, që shfrytëzoheshin nga Kisha ortodokse si kundërshtare e përbetuar e Romës, për zgjerimin e hapësirës në favor të saj në gadishullin e Ballkanit. Primati mbeti aktual edhe gjatë pushtimeve osmane, kur Kisha ortodokse dhe Perandoria osmane të lidhur në koalicion, në vitin 1453 kishin qëllim zvogëlimin e hapësirës kishtare të Kishës Romake, ndër popujt të Ballkanit.

Shënime të dokumentuara për primasinë e Tivarit kemi nga Arqipeshkvi Filip Gaj, (1485-1509), i cili është quajtur “ Primas totius Serbiae” (Primat i gjithë Serbisë). Këtë shënim e gjejmë te të gjithë ipeshkvijt e Tivarit me radhë, si: Gjon Bruno Harapi (1551- 1571), Marin Bici (1608-1624), Pjeter Massreku (1624-1634), Gjergj Bardhi (1635- 1644), Zmajeviqët, Vlladanji, Radovani, Pooten, Shimun Milinoviq (1886-1910) etj. Imzot Vinçenc Zamjeviqi, në saje të primatit që gëzonte, në vitin 1703, mblodhi Kuvendin e Arbrit, në Melqi të Lezhës. Po kështu ndodhi edhe me kryeipeshkvin Karlo Pooten, i cili mblodhi Kuvendin e II-të të Arbrit në vitin 1871, në Shkodër etj..

Me ardhjen në krye të Selisë Kryeipeshkvore të Tivarit të Nikolla Dobreçiq, i cili e kreu këtë detyrë nga viti 1912-1955, çështja e primatit edhe pse për Selinë e Shenjtë tashmë ishte më tepër honorik, u gjallërua duke marrë madje edhe përmasa politike. Më Konkordatin e lidhur në vitin 1914, në mes Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë Serbe, ishte paraparë që Beogradi të ngrihet në rangun e kryedioqezës dhe Shkupi të shndërrohej në dioqezë. Por, për shkak të kundërshtimit të kryeipeshkvit Lazër Mjeda, kjo gjë u arrit vetëm në vitin 1924, kur në krye të kësaj selie ishte ipeshkvi slloven Franjo Gnidovec dhe nga viti 1918, funksiononte mbretëria Serbe, Kroate e Sllovene, me qendër Beogradin.

Beogradi nuk do ndalonte me kaq. Me rastin e përgatitjes së projekt konkordatit mes Selisë së Shenjte dhe Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene, politika e Beogradit, në vitin 1924 u përpoq që më çdo kusht, nëpërmjet ligjeve të projekt konkordatit, ta marrë titullin shumëshekullor të primatit nga kryedioqeza e Tivarit, për t’ia dhënë kryedioqezës së Beogradit. Me këtë rast Beogradi do t’i ofronte Selisë së Shenjte edhe riorganizimin e dioqezave të tjera brenda territorit të mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene. Beogradi në këmbim të marrjes së primatit, i ofronte Selisë së Shenjtë edhe formulimin e emërtimit të ri për kryedioqezën e Beogradit, me emrin Kryedioqeza katolike serbe me qendër në Beograd.

Nikolla Dobriçiq, meqenëse ishte ndër protagonistët e ngjarjes, kushtëzonte kalimin e primatit nga Tivari në Beograd, me kusht që edhe ai vetë personalisht të kalonte në selinë e Beogradit. Pas bisedimeve të stërgjata e të vështira, kundërshtimit të Kishës kroate dhe kundërshtimeve të popullit në Mal të Zi pa dallime nacionaliteti dhe besimi, nuk erdhi deri te finalizimi i kësaj ideje e as konkordatit në këtë formë, i cili me siguri do të krijonte kokëçarje të reja për Selinë e Shenjtë në këtë pjesë të Ballkanit. Por e gjithë kjo nuk e ndalonte imzot Nikolla Dobreçiqin, që si primat i Serbisë të bënte vizita te ndryshme në Evropë, Azi e deri në Amerikë, duke kërkuar ndihma për Malin e Zi dhe duke iniciuar shkëmbime tregtare mes Malit të Zi, dhe shteteve evropiane.

Kryedioqeza e Tivarit edhe pse në kohën e Dobreçiqit kishte 25.890 katolikë, prej tyre 80% ishin shqiptarë, pjesa tjetër ishin shqiptarë që e ndjenin veten Malazezë dhe një pakicë kroate, kishte arritur nëpërmjet titujve honorikë të Dobreçiqit, të jetë faktor i rëndësishëm në politiken rajonale deri në instalimin e sistemit komunist në Jugosllavi në vitin 1945.

Mali i Zi, duke qenë se vazhdimisht ka qenë i rrezikuar nga hegjemonia serbe, kryedioqeza e Tivarit, si pasardhëse e Dioklës, për ta ka qenë pikë referimi për mbrojtjen e nacionaliteti dhe shtetit të tyre gjatë historisë se vjetër dhe asaj të re. Prandaj titullin “ Primas totius Serbiae”, malazezët, pa dallime besimi, e kanë ruajtur me fanatizëm si një relikte të çmuar për kryedioqezën e Tivarit. Edhe pasardhësit e Dobreçiqit, e kanë ruajtur këtë titull si: Aleksandër Tokiq ( 1955-1979) Petar Perkoliqi (1979- 1998 ) dhe Zef Gashi ( 1989-2016).

Kryeipeshkvi i porsazgjedhur imzot Rrok Gjolleshaj, vjen në një ambient me një histori gri, ku akoma ka përleshje mes të vjetrës dhe historisë se re. Ka një grupim njerëzish me në krye Ivan Jovoviqin i cili botoi dy libra për historinë e Kryedioqezës së Tivarit, duke tentuar krijimin e Kishës Katolike Malazeze dhe duke mohuar çdo gjë shqiptare. Ka dhe një politikë reale serbe të cilët nuk e durojnë dot, që Tivari akoma ta mbajë titullin e Primatit të Serbisë.

Sipas statistikës zyrtare të vitit 2006, besimtarë katolikë janë 14.174, ose 2. 65 %, kurse shqiptarë në përgjithësi, janë 47. 682,ose 7.09% . Mali i Zi si shtet i pavarur nga viti 2006, pos malazezëve ka 30 %, serb dhe 16 %, Boshnjakë e Myslimanë. Ka dhe një pakicë kroate. Pa marrë parasysh se shqiptaret në Mal të Zi sot janë pakicë, në kontekstin gjeografik e demografik shqiptarët në përgjithësi sot janë faktor të rëndë- sishëm në Gadishullin e Ballkanit.

Kryeipeshkvi i Tivarit Gjonlleshaj me titullin honorik, “ Primas totius Serbiae” do të shugurohet më 14 maj të këtij viti në Prishtinë dhe më 28 të po këtij muaji, do të këtë hyrjen zyrtare në fronin e kësaj selie sa të lavdishme aq edhe problematike. Nuk di se si do e ndiej veten në këto çaste politika e Beogradit?! Por e di se kryeipeshkvi i ri e ndjen veten shumë mirë . Prandaj, uroj që punën e tij baritore Gjonlleshaj ta kryej me ndihmën e Zotit e më urtinë e mbretit Salomon. /Koha Javore/

By admini