Shtresimet historiko – legjendare lidhur me Krajën e Sipërme (4)

Prof. Dr. Bahri Brisku

Pas 1924, ish pushteti jugosllav pat nisur aplikimin e disa formave të sllavizimit, por pa sukses sepse kranjanët posedonin bindje të lartë arbërore dhe nuk u sllavizuan.

Ish pushteti sllav hapi shkollat dhe administratën në gjuhën serbe. Lidhur me këtë gjeniu popullor ka ruajtur një kallëzim në të cilin pasqyrohet jeta e rëndë e shestanasve. Pushteti sllav kishte ndaluar rreptësisht përdorimin e gjuhës shqipe. Pushtetarët e tillë kishin porositur mësuesit që të ndëshkojnë familjet e nxënësve nëse në shtëpi përdornin gjuhën e vet. Kjo popullatë ishte e detyruar që të mbajë dhe t’i ushqejë mësuesit serbë. Një natë, një shestanas i Ljares, mbasi i dha darkë cilësore mësuesit, e përcolli atë deri te porta e oborrit. Mësuesi tinëzisht ishte kthyer dhe paska zënë vend nën dritare të bukëdhënësit. Aty paska dëgjuar që këto në familje flasin dhe përdorin gjuhën e vet – shqipe. Mësuesi menjëherë paska lajmëruar për këtë “faj” policinë, e cila për këtë ”delikt” e keqtrajtoi shtazërisht familjen… (tregoi Zef Kovaçi – Farkaj).

Ish pushteti serbosllav me qëllim të sllavizimit të kësaj popullate të Krajës së Lartë e gjetiu, mbiemrave shqiptarë të popullatës ia shtoi një sufiks sllav VIQ. Disa të tjerëve që e kishin mbiemrin me ndonjë domethënie shqipe, (aty për aty) ia përkthente në sllavisht si: Priftaj – Popoviq, Farkaj – Kovaçeviq, Brisku – Briskoviq etj. Zef Kovaçi është munduar radhazi ta kthejë mbiemrin në emërtimin e origjinës së zejes së tyre, por ende nuk ia kanë aprovuar.

Kranjanët e anës së Sipërme janë dëshmitarë të kulturës kombëtare dhe kur është fjala e çështjeve kombëtare, për trasimin e rrugëve të botimeve lidhur me identitetin shqiptar të tyre, asnjëherë nuk kurseheshin. Në vitin 2004 krijuan mundësitë materiale për botimin e një vepre kapitale për Shestanin. Vepra është nga fusha e studimeve filologjike gjithëpërfshirëse. Kjo vepër e formatit të madh, disponon me 1385 faqe. Autori është studiuesi i mirëfilltë Gjokë Dabaj, i cili si nga fusha onomastike, ashtu edhe nga sfera historike, folklorike dhe etnografike që i ka shtruar në këtë vepër, meriton që t’i jepet një gradë shkencore për secilën fushë që ka marrë në shqyrtim.

Në Krajën e Epërme gjenden dy emërtime të qytezave. Aktualisht në hapësirën e këtyre qytezave gjenden shumë gërmadha të cilat presin dorën e arkeologëve, për të cilën veprimtari kulturore shqiptare, shteti aktual nuk besoi që ka vullnet ta bëjë këtë punë, e cila ka rëndësi shkencore për kulturën tonë kombëtare.

Në ishujt e Liqenit të Shkodrës gjenden tri ndërtesa kishtare katolike, të cilat i kanë ngritur Balshajt, që ishin nga qyteza Bajzë, e cila ndodhet në breg të këtij liqeni në Shqipëri. Pushteti i ish Jugosllavisë i ka serbizuar. Kështu Kisha e Ishullit Plak është shndërruar në Kishë murgeshash sllave, të cilat aty vazhdimisht jetojnë. Gjithashtu edhe dy të tjerat janë sllavizuar.

Në librin ”Crnogorsko primorje i Krajina”, Andrija Joviqeviq shkruan që ka dëgjuar (gjoja) prej vendasve se tërë Kraja ka qenë serbe, ortodokse. Gjithashtu edhe për Shestanin thotë se kanë ardhur nga Shkreli i Shqipërisë dhe tërë kishat e tyre (sipas tij) na qenkan kisha ortodokse. Dihet që Shestani deri më 1913, si tërë Kraja dhe Ana e Malit, i takojnë Shqipërisë nën sundimin turk. Joviqeviqin e kishte dërguar qeveria e Serbisë (e asaj kohe) me pagë të majme që të bënte sllavizmin e tërësishëm të toponimeve në Shestan, pasi që ishin të besimit kristian, por nuk arriti për shkak të realitetit historik dhe gjendjes faktike të popullatës e cila ishte e brumosur me ndërgjegje të palëkundur shqiptare.

Është evidente që gjurmët e ndërrimit të emërtimeve, toponimisë që bëri oviqeviqi në hapësirën e Krajës, Anës së Malit dhe gjetiu, edhe sot çorodisin këtë hapësirë etnike shqiptare.

Shestanasit me dinjitet mbronin besimin e vjetër katolik. Personat që tentonin të islamizohen, nuk vëreheshin me sy të mirë. Në disa raste, të tillët i sillnin nga katundet e tyre. Ljarasit më 1810 në Vraninë zhvilluan një luftë për mbrojtjen e saj nga sulmet malazeze. Lufta e sulmuesve malazezë ishte shumë e ashpër. Në këtë përleshje, përveç grupeve të shqiptarëve nga rajonet e tjera, shestanasit e Ljares patën vrarë pesë malazezë.

Malazezët djegin Shestanin

Pas një sulmi që zhvilluan në Kërrnjicë kundër rojeve turke më 1862, malazezët e zaptuan atë dhe pa asnjë provokim të veçantë erdhën dhe e dogjën Shestanin. Kjo ngjarje e rëndë shkaktoi pezmatim te banorët e Krajës së Sipërme. Ky ishte shkaku që bajraktarët e Krajës së Sipërme dhe rajës së Poshtme e mobilizuan popullatën në mbrojtje dhe në ndërtimin e shtëpive të djegura nga komitët malazezë. Kësaj nismetë shestanasve, përkrahje të duhur i dha Ipeshkvia e Tivarit.

Organizimi vendor nga ana e të dy bajraktarëve ishte në nivel. Bajraktarët kishin caktuar në çdo katund nga një kapedan, plak katundi, i cili në rast të shpërthimeve organizonte tërë katundin e tij dhe i dërgonin ku e kërkonte nevoja e mbrojtjes. Në situata të rrezikshme, Ipeshkvia e Tivarit e kalonte selinë e vet në Shestan. Flitet që në kohën e mbrojtjes popullore në Shestan janë krijuar disa toponime si: Maja e Bajrakut, Logu i Kuvendit, Lama e Canhasës, ku Tahir Selmani vrau serdarin sllav etj. Gjatë kësaj periudhe pushteti malazez organizonte grupe komitësh. Për shkak të frikës së asgjësimit nga grupet kriminale malazeze, banorët e Mikuliqit të Sutormanit patën lëshuar shtëpitë e veta dhe u strehuan nëpër shpella të bjeshkëve sepse armiqtë ishin të pamëshirshëm, i thernin sikur kafshët personat që i gjenin brenda shtëpive.

Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” –  Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini