Ulqin, 26 janar 2026

Në Komunën e Ulqinit dje u mbajt Shqyrtimi Publik Qendror mbi Draftin e Strategjisë Lokale për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë me Plan Veprimi për periudhën 2026–2030. Shqyrtimi publik mblodhi përfaqësues të organeve të vetëqeverisjes lokale, institucioneve publike, bashkësive lokale, organizatave joqeveritare, sektorit privat si dhe qytetarë të interesuar, të cilët morën pjesë aktive në diskutim dhe dhanë komentet, propozimet dhe sugjerimet e tyre mbi tekstin e Draft-Strategjisë dhe Planit të Veprimit, mësohet nga kabineti i kryetarit të Komunë së Ulqinit, transmeton Ulqini Online.

Strategjia Lokale për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë me Plan Veprimi është hartuar në partneritet ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes projektit “Menaxhimi i Integruar i Rrezikut nga Përmbytjet në pellgun e zgjeruar të lumit Drin”, i financuar nga Fondi i Adaptimit. Dokumenti përfaqëson një kornizë për parandalimin, përgatitjen, reagimin dhe rimëkëmbjen nga fatkeqësitë, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë afatgjatë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit lokal. Vizioni është që Komuna e Ulqinit deri në vitin 2030 të bëhet një komunitet dhe destinacion turistik i qëndrueshëm dhe i përgatitur, që në mënyrë proaktive zvogëlon rreziqet nga fatkeqësitë, mbron jetën, pronën dhe mjedisin, dhe siguron një mjedis të sigurt për qytetarët dhe vizitorët.

Qëllimi kryesor i Strategjisë është rritja e qëndrueshmërisë së Komunës së Ulqinit ndaj fatkeqësive përmes zvogëlimit të rreziqeve ekzistuese dhe të ardhshme, forcimit të kapaciteteve lokale dhe koordinimit, integrimit të masave për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë në planifikimin dhe zhvillimin lokal, si dhe sigurimit të funksionimit të vazhdueshëm të komunitetit dhe ekonomisë turistike dhe një rimëkëmbjeje më të shpejtë pas fatkeqësive. Strategjia bazohet në katër objektiva operativë që përfshijnë një kuptim dhe vlerësim më të mirë të rrezikut, forcimin e qeverisjes lokale, investime të synuara në masa strukturore dhe jostrukturore mbrojtëse (veçanërisht nga përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e dheut dhe tërmetet), si dhe përmirësimin e gatishmërisë, paralajmërimit të hershëm dhe kapaciteteve për reagim dhe rimëkëmbje.

Për zbatimin e 44 aktiviteteve të planifikuara është paraparë një buxhet indikativ prej 2.331.000 euro për periudhën 2026–2030, i cili do të sigurohet nga buxheti i Komunës së Ulqinit, institucionet shtetërore, projektet donatore, sektori privat, subjektet lokale dhe burime të tjera. Strategjia do të zbatohet nga administrata e Komunës së Ulqinit, në partneritet me aktorët lokalë dhe kombëtarë të sistemit të mbrojtjes dhe shpëtimit, ndërsa monitorimi i zbatimit do të organizohet përmes raportimit të rregullt vjetor, si dhe përmes një vlerësimi afatmesëm në vitin 2028 dhe një vlerësimi përfundimtar në vitin 2030.

Pas përfundimit të shqyrtimit publik, Sekretariati për Veprimtari Komunale dhe Banesore do të shqyrtojë të gjitha komentet, propozimet dhe sugjerimet e pranuara dhe do të përgatisë Raportin mbi Debatin Publik të Zhvilluar me qëndrime lidhur me pranimin ose mospranimin e rekomandimeve, pas së cilës Strategjia, së bashku me Raportin, do t’i dërgohet Kuvendit të Komunës së Ulqinit për shqyrtim dhe miratim.

Komuna e Ulqinit falënderon të gjithë pjesëmarrësit e debatit publik për kontributin konstruktiv në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.

By admini

Leave a Reply