Shtresimet historiko-legjendare lidhur me Krajën e Sipërme (2)

Prof. Dr. Bahri Brisku

Anomastika është një shkencë interesante ë merret me zanafillën, prejardhjen e emërtimeve të vendeve të vogla dhe atyre të mëdha, pra të mikro dhe të makro toponomastikës. Këto emërtime studiohen nga aspekti gjuhësor duke i lidhur në sinkroni dhe diakroni me të kaluarën historike dhe në domethënien e saj teme që merret me shqyrtim si p.sh. Liburnët ndërtonin anijen sipas emrit të fisit të vet: Liburnën; Dalmatët sipas berreve me të cilat merreshin – Dele, Dalmat; Dardanët nga pema Dardha, Dardanelja etj.

Katundi Pinç në Shestan, në kohën e lashtë gjendet që është quajtur Binç, sipas zotit të ilirëve Bind-i, që është zoti i burimeve. Në afërsi të Binçit (Pinçit) gjendet Shpella e Sqapit e cila disponon me një burim të rrjedhshëm uji. Lidhur me këtë, një legjendë e lashtë na shpjegon që pranë burimeve të pasura, për të kujtuar zotin Bindi banorët e kësaj ane, te burimet e tilla, flijonin bagëti, kryesisht qep. Kjo bamuri do të jetë aplikuar edhe te kjo shpellë me burim uji të përhershëm, ndaj e quajtën Shpella e Sqapit.

Lidhur me këtë burim të shpellës përflitet edhe një legjendë tjetër. Thuhet që një bariu, për ditë në zheg i ikte diku një sqap. Një ditë bariu e vërejti sqapin (që i ikte) duke ardhur nëpër zabel të dendur. Ky e hetoi që sqapi kishte mjekrën e lagur.

Të nesërmen, në kohën e caktuar, ai nuk i largonte sytë nga sqapi. Iu qep atij prapa nëpër gërma të zabelit derisa mbërriti te shpella ku hyri sqapi dhe piu ujë… Ne duke u nisur nga faktet historike, të flijimit, të kurbaneve, sqepëve kushtuar zotit të burimeve dhe të ujrave – Bindit, prej të cilit banorët kërkojnë mëshirë që këtë burim mos ta ndalojë së rrjedhuri sepse ishte faktor me peshë për jetesën e tyre. Të dhënat historike dëshmojnë që pranë burimeve të tilla janë gjetur eshtra bagëtish.

Mendojmë që legjenda e parë lidhur me këtë burim shpellor, disponon me reflektime historike. Këtë meditim na forcon, jo vetëm toponomastika e fshatit Pinç – Binç, por edhe fakti që për nderë të këtij zoti ilir janë prerë kurbane, kryesisht sqepët. Pranë burimeve të tilla si edhe te Shpella e Sqapit (mbi Brisk), janë gjetur brirë sqepësh…

Gjithashtu lidhur me gjallërimin e ilirëve në Krajën e Sipërme, ekzistojnë Mogilet – varret ilire – Tumuloret në shpatijet e të dy anëve të Rumisë (prej anës së liqenit dhe të detit). Këto të dhëna qartas dëshmojnë vazhdimësinë iliro-shqiptare në tërë rajonin e Krajës. Ruajtja e emërtimit humë të lashtë Arbnesh, logjikisht begaton rrënjët e etnosit të kombit tonë duke e lokalizuar ekzistencën e shqiptarëve në epokën jo vetëm parasllave, por edhe pararomake.

Tani, t’i kthehemi prejardhjes së emërtimit të Briskut.
Briskanjorët si edhe katundarët tjerë, me shekuj janë marrë me ndërtime të ndryshme i të kullave, saranxhave, ublave, lerave dhe pusave. Mungesa e ujit, burimeve të rrjedhshme i ka detyruar që të merren me sigurimin e tij duke hapur gopa të thella. Gjatë hapjes së këtyre objekteve, briskanjorët kanë zbuluar një seri të konsiderueshme të mjeteve të ndryshme bujqësore, mjete dhe orendi shtëpiake si dhe armë të cilat nëpër shekuj përdoreshin për mbrojtje. Këto gjeturina me peshë të posaçme historike, briskanjorët i kanë ruajtur si relike të shenjta të të parëve të tyre. Brez pas brezi sendet e tilla kanë mbetur si një amanet i shenjtë nëpër sanduqet e tyre.

Zef Kovaçi (Farkaj) duke qenë mirë i informuar me peshën e madhe historike të tyre që përthekojnë në të vërtetë këto mjete të gjetura në Brisk e gjetiu në Krajën e Sipërme, ju është përveshur mbledhjes së tyre për të cilat nuk është kursyer as në aspektin financiar duke i shpërblyer pronarët e tyre. Në këtë mënyrë fisnike ka arritur që të tubojë një mori eksponatesh të tilla, të cilat i ka sistematizuar duke i vendosur në një kthinë të lokalit të vet. Në këtë koleksion të Zef Kovaçit gjenden eksponate me vlerë të pallogaritshme muzeale. Këto relike i ka konservuar me kujdes. Në mesin e këtyre objekteve të gjetura në Brisk dhe në disa katunde për rreth Briskut, ndodhen tri objekte të hekurta në të cilat fare qartë është farkuar gjarpri i cili është një fakturë e gjallë e kontinuitetit të vazhdimësisë së etnosit tonë iliro-shqiptar.

Të dhëna të qëndrueshme na dëshmojnë se në katundin Brisk ka ekzistuar një lagje e cila quhej lagja e mjeshtrave Farkatarë; këtë ekzistim qartas na e përforcon një toponim me emrin Farkaj. Këta farkëtarë prodhonin dhe farkonin nga hekuri e çeliku vegla të ndryshme bujqësore, orendi shtëpiake si dhe armë të kohës për mbrojtje duke filluar prej shigjetave, shpatave, heshtave, kllaçave etj. Në vazhdimësi janë marrë edhe me prodhimin e armëve të zjarrit si dhe me meremetimin dhe përtëritjen e tyre. Farkatarët e Briskut kishin krijuar emër si mjeshtra të dalluar në tërë këtë hapësirë. Thikat, vërcakët, kmesat, sakicat, shetyjt, pallat, fuzhnjet, kurthat, unurët e ndezjes të duhanit, çarqet e grirjes së duhanit, vargojt dhe brisqet e tyre me të madhe shiteshin në Shkodër dhe në qytetet për rreth Krajës.

Lidhur me praninë e prodhimeve të farkave të Briskut ka mbetur një kallëzim shumë i lashtë, në të cilin thuhet që ngarkoheshin lundrat me prodhime të farkëtarëve të Briskut dhe transportoheshin në qytete për rreth, por më tepër në Shkodër. Një kallëzim të tillë na tregoi i moshuari Nikë Kovaçi, tani me banim në Plazhin e Madh. Një kallëzim që dëshmon për një fakt ekzistues lidhur me farkëtarët e Briskut e shënuam edhe nga koleksionisti i këtyre objekteve në të cilat veçuam edhe tri orendi të hekurta, si mbajtësin e druve të vatrës, një çelës dhe një mashë në trupin e të cilave hijeshëm është i farkuar gjarpri për të cilin i madhi historian me prejardhje nga Brisku – akademiku Aleksandër tipçeviqi, i ka kushtuar një studim të tërë fenomenit të kultivimit të gjarprit te shqiptarët.

Tani pa hamendje dhe pa fije dyshimi, në bazë të farkëtarëve që kanë ekzistuar në katundin Brisk dhe prodhimeve të thikave, brisqeve etj., emërtimi i këtij katundi na del nga farkimi, prodhimi masovik i thikave dhe brisqeve nga farkëtarët e tyre.

Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” –  Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini