Ilustrim

Disa studentë dhe prindër të tyre, të shqetësuar dhe të pakënaqur me pasojat që po sjellin ndryshimet e fundit ligjore në fushën e njohjes dhe barazimit të diplomave kanë kontaktuar gazetën e përjavshme në gjuhën shqipe në Mal të Zi, Koha Javore. Sipas gazetarit dhe profesorit Ismet Kallaba, nga një shkrim i tij rreth kësaj problematike, ata theksojnë se, ndonëse kanë kryer me sukses procedurën e njohjes së diplomës, shumë kandidatë shqiptarë nuk po lejohen t’i nënshtrohen provimit profesional pa e përfunduar më parë procesin e barazimit të kualifikimit, një procedurë e ndërlikuar, e kushtueshme dhe shpesh e paqartë, shkruan Ulqini Online.

Sipas ligjit të ri, për barazimin e diplomës kandidatët janë të detyruar të paraqesin pranë komisioneve përkatëse në fakultete programet e studimit dhe planprogramet mësimore (syllabuset) e të gjitha lëndëve të ndjekura gjatë studimeve. Ky detyrim po i godet më së shumti studentët që kanë kryer studimet në gjuhën shqipe, pasi dokumentacioni duhet të përkthehet zyrtarisht në gjuhën malazeze.

Pasojat financiare të kësaj kërkese janë alarmante. Një prind ka treguar për redaksinë se fëmija i tij ka paguar rreth 1 000 euro vetëm për përkthimin e rreth 100 faqeve të planprogrameve mësimore, pa llogaritur shpenzimet e tjera dhe sorollatjet e shumta nëpër universitete dhe fakultete. Ndërkohë, studentë të tjerë kanë deklaruar se iu kërkohet të përkthejnë mbi 300 faqe dokumentacion, çka nënkupton një kosto minimale prej 3 000 deri në 4 500 euro vetëm për përkthime – një barrë e papërballueshme për shumicën e familjeve.

Por problemi nuk është vetëm financiar. Ndryshimet ligjore po krijojnë edhe pasoja serioze afatgjata për studentët shqiptarë. Në rast të mospërputhjes së programeve mësimore, komisionet kanë të drejtë të kërkojnë dhënien e provimeve shtesë, numri i të cilave mund të jetë i konsiderueshëm. Kjo nënkupton se studentët, përveç shpenzimeve të larta, mund të humbin së paku edhe një vit shtesë për të përfunduar procesin e barazimit të diplomës.

Këto pengesa po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në zgjedhjet e ardhshme arsimore të të rinjve shqiptarë. Shumë prej tyre, për të shmangur peripecitë, kostot dhe pasigurinë pas përfundimit të studimeve, mund të detyrohen të heqin dorë nga studimet në Shqipëri dhe Kosovë, pavarësisht dëshirës për të studiuar në gjuhën amtare. Si alternativë, ata mund të zgjedhin të studiojnë në Mal të Zi, në gjuhën malazeze, jo nga vullneti i lirë, por nga frika e pasojave administrative dhe financiare.

Në këtë mënyrë, ndryshimet ligjore rrezikojnë të kthehen në një mekanizëm diskriminues indirekt, që cenon të drejtën e studentëve shqiptarë për arsimim në gjuhën e tyre dhe kufizon lirinë e zgjedhjes akademike. Përballë këtyre shqetësimeve, mbetet e paqartë nëse institucionet kompetente do të reflektojnë dhe do të gjejnë zgjidhje që nuk i penalizojnë studentët, por i mbështesin ata në rrugën e zhvillimit profesional.

Në të kundërtën, pasojat e këtij ligji mund të jenë të thella dhe afatgjata, jo vetëm për individët, por edhe për ruajtjen e arsimit dhe identitetit gjuhësor të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.

By admini

Leave a Reply