Përfaqësuesit e Partisë Popullore Demokratike (DNP) në Qeveri, Maja Vukiqeviq dhe Milun Zogoviq, do të paraqesin nesër dorëheqjet nga funksionet e tyre në pushtetin ekzekutiv. Kjo do të zyrtarizohet nesër në mbledhjen e Kryesisë së DNP-së. Këtë e bëri të ditur Zogoviq në konferencën e sotme për media, shrkuan rtcg, transmeton Ulqini Online.

Zogoviq theksoi se në mbledhjen e sotme të Qeverisë, lidhur me iniciativën e tyre për normimin kushtetues të gjuhës serbe si gjuhë zyrtare, normimin ligjor të shtetësisë së dyfishtë, normimin ligjor të trengjyrëshit historik dhe përdorimin e tij, si dhe nisjen e një dialogu gjithëpërfshirës ndërmjet Kryeqytetit, Komunës së Zetës dhe banorëve të Botunit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi që do të rezultonte me një lex specialis, ata kanë marrë përgjigje se Qeveria nuk merret me çështje identitare, por Parlamenti.

Siç theksoi ai, iniciativa është plotësisht e bazuar në marrëveshjen e koalicionit, ndërsa është kërkuar që kryeministri t’i propozojë Qeverisë formimin e një trupi të përkohshëm pune, i cili brenda një afati të përcaktuar bashkërisht do të përgatiste modalitetet për realizimin e këtyre iniciativave.

“Sot kemi pasur një mbledhje të Qeverisë ku nuk ka pasur mundësi për propozimin e ndryshimeve të rendit të ditës, pasi kryeministri ka mbajtur një qëndrim të tillë, por më pas kemi pasur një shkëmbim mendimesh lidhur me iniciativën tonë. Milojko Spajiq theksoi se mendon se me këtë iniciativë duhet të merret Kuvendi i Malit të Zi dhe jo Qeveria, dhe se ai na jep një lloj drite jeshile dhe shpreh njëfarë mirëkuptimi”, theksoi Zogoviq.

Ai kujtoi se në Kushtetutë shkruan qartë se iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës mund ta nisin presidenti i shtetit, Qeveria ose 25 deputetë, ndërsa në arsyetimin e iniciativës është theksuar se është kërkuar vetëm pranimi i saj dhe formimi i një trupi këshillimor të përkohshëm, me qëllim që të dalë me propozime për ndryshimet kushtetuese dhe dy zgjidhje ligjore – Ligjin për shtetësinë dhe Ligjin për simbolet shtetërore dhe Ditën e shtetësisë.

“Kështu do të arrihej që korniza ligjore të marrë parasysh atë që është realitet në Mal të Zi. Të gjithë qytetarët e Malit të Zi e dinë mirë se në tri regjistrimet e fundit shumica e qytetarëve janë deklaruar se flasin gjuhën serbe. Pavarësisht këtij fakti objektiv dhe të konfirmuar në mënyrë demokratike, gjuha serbe nuk është gjuhë zyrtare dhe ne kemi konsideruar se, në përputhje me standardet evropiane, kjo është diçka që i nevojitet Malit të Zi”, theksoi Zogoviq.

Ai shtoi se kjo është edhe në funksion të tejkalimit të ndarjeve shumëvjeçare dhe eliminimit të diskriminimit ekzistues, të cilin e cilësoi si trashëgiminë më të keqe ideologjike dhe pasojë të regjimit të mëparshëm diktatorial.

“Kryeministri Spajiq shprehu një lloj mbështetjeje personale dhe pajtim parimor me iniciativën tonë, por nuk shprehu gatishmëri që këtë iniciativë ta përcjellë në Kuvendin e Malit të Zi. Nuk shprehu gatishmëri as të marrë pjesë në të, qoftë edhe aq sa ta dërgojë në Kuvend. Nesër do të kemi mbledhjen e Kryesisë së DNP-së, ku në përputhje me premtimet tona, sepse jemi njerëz përgjegjës, do të paraqesim dorëheqjet nga funksioni i ministrit dhe i zëvendëskryeministrit”, theksoi Zogoviq.

Vukiqeviq ushtron funksionin e ministres së transportit, ndërsa Zogoviq atë të zëvendëskryeministrit për infrastrukturë dhe zhvillim rajonal.

Ata theksuan se dorëheqjet e tyre do t’i dorëzojnë edhe Kuvendit.

By admini

Leave a Reply