
Ditën e hënë, në moshën 86 vjeçare u nda nga jeta Kabil Mehmeti, një prej figurave më të shquara të folklorit ulqinak dhe një personaliteti të rrallë të artit tonë tradicional.
Kabil Mehmeti ishte shumë më tepër sesa një valltar: ai ishte një virtuoz i folklorit, një mjeshtër i “Vallës së Peshkatarëve”, një njeri i thjeshtë, i butë dhe jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore, shkruan Ulqini Online.
Kontributi i tij është i pakrahasueshëm. Që nga fillimet në vitin 1962 me ansamblin “B. Strugar”, e deri te dekadat e punës me SHKA Zana, Kabili mbeti shtylla e folklorit të qytetit tonë, duke përfaqësuar Ulqinin me dinjitet e mjeshtëri në skena brenda dhe jashtë vendit. Ai u arsimua në fushën e vallëzimit dhe koreografisë në Zagreb për shumë vite, duke sjellë në Ulqin profesionalizëm të rrallë.
Në vitin 2013 u nderua me Licencën Folkloristike nga Shoqata e Ansambleve Popullore të Malit të Zi, ndërsa në Festivalin Mbarëkombëtar të vitit 2015 në Tiranë, me “Vallën e Peshkatarëve”, ansambli që ai udhëhiqte mori vendin e parë, një dëshmi e qartë e nivelit të tij artistik.
Kabili la gjurmë të pashlyeshme edhe në aktivitete të komunitetit, duke qenë një nga veteranët që kontribuoi në rikthimin dhe fuqizimin e traditës së folklorit në shoqatat kulturore të Ulqinit.
