Të dhëna onomastike dhe demografike për Shasin dhe vendbanimet e nahijes së Bunës së Përtejme sipas defterëve osmanë të shekujve XV dhe XVI (5)

Prof. dr. Iljaz Rexha

Arbanas – Arbneshi i Krajës përmendet herët në burimet mesjetare sllave, qysh në vitin 1296. Më vonë del i regjistruar në defterin e Sanxhakut të Shkodrës në shek. XVI në nahijen e Krajës dhe kishte 38 shëpi, 1 beqar, 3 çifte, 3 myslimanë dhe 2 benakë, me këta kryefamiljarë: Mustafa Petri me çiflig, Mehmet Osmani – benak, Sefer Prendi me çiflig, Xhafer Doda me çiflig, Bajram Marini, Mehmed Kola – benak, Nika Koka, Bisha Doda, Gjon Nika, Andreja Nika, Prend Kala, Nika Marini, Nika Ivani, Nika Gjoni, Gjin Ili, Prend Gjoni, Marin Andre, Tol Bisha, Goga Toli, Bili Toli, Bisha Toli, Prend Vuka, Gjon Bisha, Vuka Doda, Gec Pisha, Gec Pisha – tjetër, Prend Gjoni, Gjon Prendi, Doda Bisha, Nika Vula, Andrea Marini, Vuka Kola, Mark Andrea, Mark Vuka, Prend Vula, Koka Petri, Prend Petri, Ivan Koka, Petre Ivani, Andrea Marki, Prend Dora, Dabo Proni Troni (mysliman), shërben në Kalanë e Shkodrës, Goga Luli (mysliman), shërben në Kalanë e Shkodrës, Andre (pa mbiemër), Pren Prendi nga fshati Merkot, Pren Gjini nga Merkoti, Bisha Stepani, bashtina (Toka) në zotërim të Prend Ivanit. Antroponimia e këtij vendbanimi ishte kryesisht e sferës së krishterë tradicionale shqiptare, përveç 3 kryefamiljarëve shqiptarë që kishin marrë emrin sllav Vuka me formën shqipe: Vuka Kola, Vuka Doda dhe Mark Vuka si dhe 3 emra orientalë.

Fshati Arbanasi – Arbneshi tjetër, po ashtu i shek XIII, që pas tre shekujve bënte pjesë në njësinë administrative të nahijes së Rijekës, përmendet edhe në defterin osman të shek. XVI, që e botoi akademiku Branislav Gjurgjev në Sarajevë në vitin 1968. Në atë kohë kishte 65 shtëpi. Antroponomia e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishte krejtësisht me antroponimi krishtero-sllave, përveç dy kryefamiljarëve arbneshë, Llesh Nikollës dhe Dimitri Petrit që posedonin bashtinën e gjyshit Gjonit. Të gjithë kryefamiljarët e tjerë të këtij vendbanimi – Arbneshit qysh herët, para depërtimit osman në Ballkan, ishin konvertuar në fenë ortodokse gjatë sundimit mesjetar serb në Mal të Zi.

Dallimi në mes këtyre dy vendbanimeve me etnonimin popullor Arbanas -Arbnesh qëndron në atë se Arbneshi i nahijes së Krajës ishte nën jurisdiksionin e Ipeshkvisë katolike të Tivarit, vendbanim ky në të cilin u ruajt antroponimia e krishterë tradicionale shqiptare deri në ditët e sotme, ndërsa Arbanasi – Arbneshi tjetër i nahijes së Rijekës së Malit të Zi ishte nën dominimin dhe administrimin e Kishës Ortodokse (pravosllave), andaj antroponimia e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi, qysh herët, në kohën e Nemanjiqëve, ishte veshur me antroponimi tipike sllave dhe ishte bërë konvertimi i shqiptarëve katolikë në fenë ortodokse dhe natyrisht ata gradualisht u asimiluan në sllavë.

Fshati Brija – Berja i takon nahijes së Bunës së Përtejme. Në vitin 1485 nuk del i regjistruar, ndërsa në vitin 1582 ishte timar i Mustafait të lartpërmendur. Fshati kishte 21 shtëpi, 2 beqarë, 1 çiflig, me këta kryefamiljarë: Jusuf Abdullah-u (benak), Mustafa Lika me çiflig, Kola Andrea, Toma Lika, rika Uli (Ylli), Doda Andrea, Kola Pisha, Doda Doda, Marin Gika, Prend Suka, Pal Prendi, Andre Gika, Nika Doda, Mark Labi, Vuka Kola, Vasil Mateja, Pejo Lazari, Pal Gjoni, Doda Nika (beqar), bashtina Bisha Kola në zotërim të Prend Petrukas, Nika Marin-i, Nika Gika (beqar), Shkura Guri, bashtina Prela në zotërim të Pal Gjon Uka-s me ortak, bashtina Dredza (Dredhëza) në zotërim të Pal Gjon Uka-s dhe Mustafa Dikliut.

Fshati Zogani (Zogaj) i Madh (Zogan-i Bozorg) i takon nahijes së Bunës së Përtejme. Në vitin 1485 nuk ishte i regjistruar, ndërsa në vitin 1582 bënte pjesë në zeametin Ispahi Ket’hydait dhe kishte 24 shtëpi me bashtina, 1 benak dhe 9 çifligje, me këta kryefamiljarë: Shkura Zogani, Niko Zogani, Kola Zogani, Mark Berja, Hasan Berja, Peter Gjingjini, Doda Gjingjeri, Kola Gjingjeri, Vasil Pelukani me çiflig, Ali Alpari me çiflig, Jusuf Pepaçi me çiflig, Mark Rada, ali Peluhani me çiflig, Sinan Gurkuqi me çiflig, Kola Krroçi, Gjinka Mateja, Andreja Mateja, Ismail Alpari me çiflig, Hizir Madogush me çiflig, Gjon Vuka, Bili Vuka, Gjergj Bisha, Pepa Pali, Kola Andrea, Dom Deda, Vaso Milin, Ahmet Tola me çiflig, Hasan Sula me çiflig, Todor Gjinezi, Doda Doçi, Palush Doda, Kola Ulkash, bashtina Koka në zotërim të Mustafait, i biri i Pervanes, mbrojtës i Kalasë së Ulqinit (me tapi, sipas Vendimit të kadisë).

Fshati Bardon-i (Bardhoni) i takon nahijes së Bunës së Përtejme. Në vitin 1485 kishte 4 shtëpi, me këta kryefamiljarë: Petri – i biri i Midha-s, Lazer Nokçeli, Gjon Bonçi dhe Nuo Midha, ndërsa në vitin 1582 kishte 6 shtëpi dhe 2 çifligje, me këta kryefamiljarë: Prend Tushka, Mustafa Iveza me çiflig, Doda Nikoliq, Hysrev Tushka, Andreka Petra, Duka Nikoliq.

Fshati Kryqi – Krruçi i takon nahijes së Bunës së Përtejme. Në vitin 1485 nuk del i regjistruar, ndërsa në vitin 1582 ishte timar i Aliut të përmendur dhe ishte krejtësisht i braktisur, ndërsa banorët e tij në atë kohë ishin në arratisje e sipër. Toka e këtij fshati punohej nga banorët e tjerë të nahijes së Merkodit dhe të dhjetat ia jepnin poseduesit të timarit.

Fshati Kryeti – Krythi(a) i takon nahijes së Bunës së Përtejme dhe në regjistrin e Venedikut të vitit 1416 përmendej me formën italiane Cruetio, me 3 shtëpi. Në vitin 1485 kishte 3 shtëpi, me këta kryefamiljarë: Vladi – i biri i Krythit, Shuku – i vëllai i tij, Andrea – i vëllai i tij.

Në vitin 1582 ky vendbanim ishte regjistruar me formën Krysa si timar i Mehmet Hasanit dhe kishte 2 shtëpi dhe 1 çiflig, me këta kryefamiljarë: Behram Krysa, Tisha Krysa, Andreja Krysa. Mbiemrat e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishin regjistruar me formën turke Krysa në vend të asaj shqipe Krytha, meqë në këtë gjuhë mungon shkronja -th, e cila rregullisht alternohet me shkronjën -s.

Temë nga projekti “Fol, shkruaj dhe përdore gjuhën tënde, gjuhën shqipe” –  Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2025”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini