Kryetari Nimanbegu kërkon transparencë dhe respekt për vetëqeverisjen lokale

Në një deklaratë për mediat, Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka përshëndetur publikisht reagimin e Komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Evropian, znj. Marta Kos, lidhur me marrëveshjen e diskutueshme ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo marrëveshje, që përfshin zona të të mirave detare përgjatë vijës bregdetare të Malit të Zi, ka ngjallur shqetësim të gjerë, sidomos në komunat bregdetare si Ulqini, që ndihen të përjashtuara nga procesi vendimmarrës, shkruan Ulqini Online.

Nimanbegu e cilësoi qëndrimin e Komisioneres Kos si një “mesazh të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, duke vlerësuar gatishmërinë e saj për të mbrojtur parimet e transparencës, ligjshmërisë dhe interesit publik. Në të njëjtën linjë, ai falënderoi Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, për përfshirjen e tij institucionale në këtë çështje përmes një shkrese zyrtare dërguar Komisionit Evropian.

Kreu i komunës shprehu shqetësimin e tij për mënyrën se si është menaxhuar procesi i miratimit të Programit për objektet e përkohshme në zonën e të mirave detare për periudhën 2024–2028, pa përfshirjen apo konsultimin e komunave përkatëse. Ai e quajti këtë një “shkelje klasike të të drejtës për vetëqeverisje lokale”, e garantuar me Kushtetutë, dhe kritikoi pushtetin qendror për përvetësimin e kompetencave lokale, duke anashkaluar parimet e decentralizimit dhe të qeverisjes demokratike.

Përtej aspektit institucional, Nimanbegu theksoi edhe dimensionin e të drejtave të pakicave. Sipas tij, mënyra si është zhvilluar ky proces përbën një kërcënim serioz për strukturën multietnike të Malit të Zi, veçanërisht në Ulqin ku popullsia shumicë është shqiptare. Ai ngriti shqetësimin se mosrespektimi i obligimeve ligjore për konsultime me përfaqësuesit e pakicave dhe ndërmarrja e masave që mund të ndikojnë në strukturën etnike të popullsisë janë në kundërshtim të hapur me Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave.

“Jo vetëm që vetëqeverisja lokale nuk është konsultuar, por edhe e drejta për dialog institucional është ndërprerë brutalisht në parlament,” tha Nimanbegu, duke bërë thirrje për rikthimin e transparencës dhe pjesëmarrjes demokratike në procese që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Në përmbyllje të deklaratës, Kryetari i Ulqinit u bëri thirrje të gjitha institucioneve kombëtare dhe partnerëve ndërkombëtarë që të mos e shohin këtë çështje vetëm përmes prizmit ekonomik apo ekologjik, por si një sfidë madhore për të drejtat e njeriut, vetëqeverisjen dhe karakterin multietnik të vendit.

“Ulqini nuk kërkon asgjë më shumë përveç respektimit të ligjit, dinjitetit dhe barazisë,” u shpreh ai, duke i dhënë kështu zë një shqetësimi që tejkalon kufijtë lokalë dhe që tashmë ka hyrë në agjendën evropiane.

By admini