
Legjenda thotë se në vitin 1858, në grykëderdhjen e lumit Buna në det, u mbyt anija “Merito”, pronë e Antun Alegretit nga Trogiri, e drejtuar nga kapiteni Naporeli. Pikërisht kjo anije, sipas gojëdhënave lokale, luajti rol kyç në formimin e ishullit të sotëm Ada – duke mbajtur rërën dhe sedimentet që lumi sillte nga brendësia, mes dy ishujve ekzistues, kështu ndër të tjerave shkruan aktivisti Aleksandar Dragiqeviq në një postim të shoqëruar me një fotografi, shkrim që ka ngjallur shumë reagime në rrjetet sociale, transmeton Ulqini Online.
Më shumë se një shekull më vonë, në vitin 1972, vëllezërit Halgat nga Gjermania, pronarë të agjencisë “Miramare” e specializuar për turizëm nudist, investuan mbi 500 mijë marka në ndërtimin e 50 bungalove druri në këtë zonë unike. Për shkak të kërkesës së madhe, ata vazhduan investimet dhe zgjeruan kapacitetet akomoduese.
Në fillim të viteve ’80, Ada ishte në gjendje të priste deri në 2.000 naturistë në një sezon që zgjaste nga prilli deri në fund të tetorit. Ajo ishte kthyer në një nga destinacionet nudiste më të famshme në botë – një simbol i bashkëjetesës së njeriut me natyrën, pa ndërtime të egra, pa zhvatje dhe pa shkatërrim.
“Në atë kohë dikush kishte vizion… një vizion afatgjatë dhe të qëndrueshëm – pa vjedhje, pa falje tokash, pa uzurpime. Pa ndërtime banesash për treg dhe gjithçka në të mirë të përbashkët,” përfundon Dragiqeviq.