
NË DITËLINDJEN E ANDON ZAKO ÇAJUPIT
“S’ka pra m’i lehtë zanat se politika, o vëllezër shqiptarë…zanati më i lehtë është të bënesh minister…” (Andon Zako Çajupi)
Nga Frank Shkreli
Gjatë viteve më ka pëlqyer të sjell, nga koha në kohë, shkrime, artikuj ose përmbledhje, të fillim shekullit të kaluar, si për shembull nga At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli e të tjerë, të cilët ndonëse kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre në fillim të shekullit XX – mendimet dhe qëndrimet e tyre të shprehura atëherë, tingëllojnë mjaft aktuale edhe për ditët e sotme, përballë zhvillimeve politike në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare gjatë gjithë vitit, por sidomos në prak të zgjedhjeve parlamentare, siç janë ato të 11 majit, 2025.
Mënyra se si përzgjidhen “përfaquesit e ardhëshëm të popullit” çdo 4 vjet, është kthyer, vërtetë, në një situatë komike për zgjedhsit shqiptarë. Mjafton të shikoni listat e fundit (të hapura dhe të mbyllura) të njoftuara nga partitë e ndryshme në Shqipëri për zgjedhjet e majit, 2025. Ditëlindja e Çajupit (27 mars, 1866) më kujtoi një shkrim të tijin – që e kam pasqyruar edhe njëherë tjetër e që mban datën 22 Shkurt, 1922 shkruar në Kairo – si parathënie në krye të dramës, “E Thëna” të Milo Duçit – ribotuar në numrin e parë të revistës “Shejzat” të Ernest Koliqit (Viti i Parë, gusht -1957) në Romë me mbishkrimin, “Zane të Kalesës”.
Na ishte një kohë, shkruante ndër të tjera, Çajupi, një shekull më parë, kur populli kërkonte nga qeveritarët dhe përfaqsuesit e tij, që të jenë, “sidomos, atdhetarë të vërtetë”. Në atë artikull, Çajupi përshkruante situatën politike të kohës së tij duke pasqyruar realitetin e atëhershëm politik – deri diku, në përputhje me të sotmen, 100-vite më vonë — se të jesh “një atdhetar i vërtetë”, nuk merret aspak në konsideratë si një vlerë ose cilësi për një deputet ose për cilindo do politikan të niveleve më të larta, përfshir ministrat në shërbim të popullit duke theksuar se për tu future në politikë, të jesh atdhetar nuk është e nevojshme për “aspirantët” politikë: “Jo, sot s’është nevojë! Ndë Shqipëri, një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtor, tokon të bënet, pa vesvese, regjent, ministër, depytet, prefekt, faqe me nder dhe mbret.”
Artikulli i Çajupit, është shkruar prej tij një shekull më parë, në formën e një parathënieje të dramës “E Thëna”. E përzgjodha këtë shkrim të Çajupit, në përvjetorin e tij të lindjes (27 Mars, 1866) sepse sjell edhe sot një freski të gjëndjes politike dhe kulturore, që mbretëronte në atë kohë, anë e mbanë trojeve shqiptare, por duke marrë parasysh, sidomos, zhvillimet aktuale politike në Shqipëri në prak të zgjedhjeve të majit, e bën atë shkrim mjaft aktual për botën politike shqiptare sot. Ngjan sikur Çajupi të përshkruante pothuaj, ekzaktërisht, duke pasqyruar me mjaft përpikmëri, sidomos, gjëndjen aktuale politike në Shqipëri para zgjedhjeve të ardhëshme. Përzgjedhja e kandidatëve të partive të ndryshme politike shqiptare nuk bëhet duke u bazuar në meritat e kandidatit ose kandidatëve. Në të vërtetë, ashtu si në kohën e Çajupit, një shekull më parë, as sot, të jesh kandiddat për ofiqe të larta në shtet e qeveri, pore dhe në parliament, “S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel.”
Ndonëse kanë kaluar mbi 100-vjet nga botimi – sa të vërteta janë fjalët e Çajupit! Ato pasqyrojnë edhe sot shqetësimet dhe trishtimet e patriotëve të vërtetë të asaj kohe në lidhje me gjëndjen politike dhe kulturore të shqiptarëve atëherë. Por sa aktuale janë edhe sot. Ato janë në përputhje të plotë dhe, përpikmërisht, me gjëndjen e sotme komike politike dhe kulturore në rrafshin politik dhe shoqëror shqiptar, si në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri tjetrin ashtu dhe me të tjerët.
“Për shumicën e shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel… Si shpjegonet kjo pasuni në pikëpamje të politikës?… Ministri i bujqësisë, bie fjala, tokon të mos çquaj qepët nga prasët; ministri i luftës tokon të mos ketë marë një pushkë në dorë; ministri i financës tokon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit tokon të mos dijë as shqip, veç të mundi të shkruaj një ë me dy pika mbi krye; ministri i punëve të përjashtëme tokon të jetë prift a hoxhë…., dhe puna të vejë mbarë gjithmonë…” (Çajupi)
Përveç kritikës ndaj gjendjes politike të kohës së tij, Çajupi, ka shprehur gjithashtu zhgënjimin dhe trishtimin e tij mbi gjëndjen e atëhershme dhe për mungesën e zhvillimeve letrare e kulturore, në nivel të duhur, të gjuhës shqipe, në përgjithësi, në Shqipërinë e 1920-ave. Ndërkohë që “shqiptarët janë të lindur për politikë”- sipas Çajupit, të pakët janë njerëzit e kulturës. “Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë. Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu…Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët.” Megjithse kanë kaluar mbi 100-vjet nga botimi – fjalët e Çajupit në ditëlindjen e tij — pasqyrojnë edhe sot shqetësimet dhe trishtimet e patriotëve të vërtetë të asaj kohe në lidhje me gjëndjen politike dhe kulturore të shqiptarëve atëherë, por që, pothuaj, përputhen aq përpikmërisht edhe me gjëndjen e sotme politike, shoqërore dhe kulturore në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri tjetrin dhe me të tjerët.
Demokracia e vërtetë nuk pret! “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”, ka thënë dikur i Madhi Faik Konica. Mendonim se 35-vite tranzicion nga sistemi diktatorial komunist do sillte më në fund atë që shpresonin brezat e shqiptarëve, një sistem puralizmi të vërtetë politik e demokratik, me të drejta të barabarta të njeriut, me drejtësi dhe me përgjegjësi qytetare e politike. Por, për fat të keq, falë edhe kësaj “bote të rreme” ndoshta — siç është shprehur edhe Çajupi 100-vite më parë — demokracia përfaqsuese shqiptare – me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk ka prodhuar politikanë me nder e integritet, “atdhetarë të vërtetë”, sipas Çajupit, shqiptarë në shërbim të popullit të vet, të cilët mbi interesat personale dhe partiake, vendosin gjithmonë interesat madhore të Kombit. 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe 6-javë javë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, populli shqiptar – ashtu si në kohën e Çajupit 100-vjet më parë – kërkon nga qeveritarët dhe përfaqsuesit e tij në Kuvendin e ri shqiptar, mbi të gjitha dhe sidomos “Atdhetarë të vërtetë”, për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar.
Frank Shkreli