Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, së bashku me Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, z. Fatmir Gjeka, zhvilluan një takim me Shefin e Delegacionit të BE-së në Mal të Zi, z. Slatter, Ambasadorin e Republikës së Gjermanisë, z. Felten, dhe Ambasadoren e Republikës së Italisë, znj. Marsella.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit i informuan misionet diplomatike mbi zhvillimet aktuale që lidhen me Plazhin e Madh, duke theksuar shqetësimin e tyre për planet e Qeverisë, të cilat po hartohen dhe po implementohen pa konsultime me autoritetet vendore, planet hapësinore të miratuara dhe, më e rëndësishmja, pa përfshirjen e popullatës së Komunës së Ulqinit.

Përfaqësuesit e Komunës theksuan se:

  1. Ulqini mbetet i hapur për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por në mënyrë transparente dhe në përputhje me interesat e qytetarëve të tij.
  2. Të gjithë këshilltarët e Komunës, pavarësisht përkatësisë politike, kanë votuar njëzëri për mbrojtjen e interesave të Komunës në raport me këtë çështje.

Gjithashtu, gjatë takimit, përfaqësuesit e Komunës i dorëzuan misioneve diplomatike përfundimet e Kuvendit Komunal, të cilat reflektojnë qëndrimin zyrtar të përfaqësuesve të qytetarëve të Ulqinit lidhur me këtë çështje.

Në rast të realizimit të këtij projekti në formën e propozuar, priten pasoja të konsiderueshme për komunitetin lokal, ekonominë e vendit dhe ekosistemin natyror të zonës. Për këtë arsye, përfaqësuesit e Komunës kanë kërkuar mbështetjen e përfaqësuesve të BE-së dhe ambasadave për të parandaluar dhënien e të gjithë Plazhit të Madh pa një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës konsultimi.

Komuna e Ulqinit mbetet e përkushtuar për të mbrojtur interesin e qytetarëve të saj dhe për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me ligjet dhe standardet evropiane.

By admini