Kjo atmosferë, e krijuar në masë të madhe nga vetë shqiptarët, ishte një ogur i zi për ata e sidomos pas mbajtjes së seminarit në Ulqin, më 26 shtator 1981. Shihej qartë se ç’po u përgatitej atyre e sidomos arsimit shqip.

Nga Muhamet Nika

(vijon nga numri i kaluar)
Nga ana tjetër, një gazetar, duke qarë hallet e anamalasve në një reportazh për Anën e Malit, të publikuar gjithashtu në “Ulcinjske novine”, deklaroi: “Nuk jemi të kënaqur në përfshirjen e programit tonë televiziv, por shohim që në Kodrën e Mozhurit po ngritet releu, atëherë do të kemi program më të mirë. (Në këtë kohë në Anë te Malit rrokej vetëm Radio Televizioni Shqiptar, v. j.). Ashtu siç kemi qëndruar të paluhatshëm në luftë për çlirimin e vendit, ashtu do të veprojmë përjetë për të mposhtur çdo njeri që bën përpjekje të helmojë bashkësinë tonë socialiste vetëqeverisëse, të vëllazëruar e të bashkuar”.
Nuk do të na shihet për të madhe nëse rikujtojmë fjalët e një mendimtari arab, i cili ka thënë: “Mos i nënçmoni mëkatet e vogla se në të vërtetë nga ato degëzohen mëkatet e mëdha”.
Në aktgjykimin PK, nr. 31/82, më 8.03.1982, lëshuar nga Gjykata e Qarkut të Podgoricës, Hajredin Kovaçi u dënua me dy vjet burg, bashkë me Muhamet Nikën, sepse përveç tjerash kishte thënë: “…Në territorin e Komunës së Prishtinës kanë bërë përpjekje për të penguar të shikuarit e Televizionit të Shqipërisë dhe kanë pasur sukses, por jo edhe këtu në Anë të Malit – Ulqin. Njeriu i pashkollë kur ka forcën në duar të shkelë e kështu po na ndodh edhe neve. Besoj që më kuptuat, por kemi shpresë që një ditë prej ditëve, pëllumbi do të fluturojë i lirë, kurse skifterët do të hanë njëri-tjetrin.
Kur isha në Ulqin, është mbajtur seminari dyditësh për mësimdhënësit e gjuhës shqipe. Në të morën pjesë të gjithë arsimtarët dhe profesorët nga tërë Mali i Zi. Në të u fol gjatë dhe bukur për çdo imtësi. Mua më njoftuan për këtë. Disa diskutuan shumë mirë për disa probleme të rëndësishme, si: Bajram Rexha, Mehmet Bardhi, Syme Kokaj, Omer Çobaj e të tjerë”.

Gjendja e tillë politike e arsimtarëve shqiptarë në shkolla ka vazhduar deri në fund të vitit 1989, me heqjen e deliktit verbal, kur pushoi frika personale për propagandë kundërshtetërore dhe problemet e mbetura hapur pas diferencimit politik duket se u mbyllën përgjithmonë


Si duket, në këtë kohë të mallkuar, disa vuajtën për të tjerët, kurse të tjerët u krijuan vuajtje atyre. Kështu ngjante që kur disa kërkuan lirinë, të tjerët kërkuan lavdinë. E liria kërkon që asnjë të mos dënohet për të drejtën e saj. Ajo duron të preket vetëm me duar të pastra, e të tjerët, kur i brenë ndërgjegjja mund të fisnikërohen, por vuajtja e brejtjes do t’i ndjekë në shpirt tërë jetën.
Kjo atmosferë, e krijuar në masë të madhe nga vetë shqiptarët, ishte një ogur i zi për ata e sidomos pas mbajtjes së seminarit në Ulqin, më 26 shtator 1981. Shihej qartë se ç’po u përgatitej atyre e sidomos arsimit shqip. “Provokimi” nisi pikërisht me këtë seminar.
Për këtë, Dr. Nail Draga, në librin “Komente dhe opinione” shprehet: Duke parë se askush nuk distancohej nga diskutimet dhe kërkesat e parashtruara në atë seminar, sepse realisht ato nuk kanë qenë as “armiqësore” e as “nacionaliste”, KK i LK të Ulqinit jep urdhër të prerë që OTHLK pranë QSH “Vëllazërim-Bashkim” t’iu japë masa ideopolitike të përgjegjësisë, përjashtim nga LK për profesorët Bajram Rexha, Qazim Rexha, Tahir Pereziqi dhe Mejreme Maraj. Më 12 XII 1981 u mbajt mbledhja e OTHLK pranë QSH, e cila aprovoi dekretin e dhënë nga lart. Nga ana tjetër, më 15. 12.1981 është mbajtur mbledhja e komisionit disiplinor pranë Qendrës, e cila konkludon se ata të cilët janë larguar nga partia duhet larguar edhe nga procesi mësimor, andaj iu ndërpritet edhe marrëdhënia e punës. Nga ana tjetër, prof. Mehmet Bardhi, ndonëse nuk ishte anëtar i partisë, komiteti famoz jep urdhër që të largohet nga procesi mësimor për shkak të “eksponimit nacionalist në seminarin e punëtorëve të arsimit”. Mu me këto motive u përjashtuan nga LK dhe nga procesi mësimor arsimtarët e shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë – Rexhep Kokaj dhe Mehdi Alaj. Ndërsa për oportunitet u përjashtua edhe drejtori i shkollës, Idriz Kallaba. Të njëjtin fat e pësoi edhe arsimtari i muzikës Kadri Doda, për shkak të papërgjegjësisë së përgatitjes së programit muzikor me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Bibliotekës “Mirko Sërzentiq”, ku, sipas tyre, është bërë krim sepse në vend të himnit “Hej slloveni” është intonuar “Internacionalja”, me ç’rast nga komunistët “u dekorua” me përjashtim nga vendi i punës. (Teksti i plotë i këtij skenari antishqiptar të KK LK të Ulqinit është botuar në revistën “Fati”, nr. 14/1996, ff. 16-17.)
Gjendja e tillë politike e arsimtarëve shqiptarë në shkolla ka vazhduar deri në fund të vitit 1989, me heqjen e deliktit verbal, kur pushoi frika personale për propagandë kundërshtetërore dhe problemet e mbetura hapur pas diferencimit politik duket se u mbyllën përgjithmonë.
Këtë e dëshmon shkrimi i Pobjedës, më 8.6.1989, kur një mosmarrëveshje në shkollën fillore në Katërkollë, e cila sipas gazetares Lubenko (Jovanka Ljubenko, v. j.) rrënjët i kishte në vitin 1983 që kishte qitur krye përsëri. Në këtë shkrim flitet për raportet tepër të tensionuara ndërmjet arsimtares së gjuhës serbe, Nada Golloviq, dhe arsimtarëve të shkollës fillore. Kjo arsimtare disi s’po kuptohej përkundrejt “argumenteve” të veta.
Rasti kishte përfunduar në organet e sigurimit shtetëror. Për këtë rast Pobjeda shkruan: “Ka hasur në shumë të papritura. Herën e fundit e kishte paraqitur nxënësin e saj të klasës së tetë, sepse në orën e gjuhës serbokroate kishte vizatuar shqiponjën me dy krerë, simbolin e flamurit shqiptar. Ngjarja kishte ndodhur më 13 mars të këtij viti, e për këtë kishin reaguar menjëherë punëtorët e sigurimit të shtetit duke ndëshkuar fëmijën me paralajmërim të fundit, kurse në shkollë kishin vënë masa disiplinore. Nada Golloviq gjithashtu kishte konstatuar se ditën kur ishte vizatuar shqiponja, në oborr të shkollës kishte hetuar se dikush kishte vendosur gurët e bardhë në formë të shqiponjës, por në ecje e sipër i kishte tretur me këmbë. Mirëpo përveç konstatimit të saj nuk kishte dëshmitarë të tjerë, prandaj punëtorët e sigurimit nuk kanë mundur ta ndriçojnë rastin”. Në raportin e Sekretariatit të Punëve të Brendshme – Ulqin, për këtë rast, lexojmë se mosmarrëveshjet e arsimtares me kolegët e saj shqiptarë ishin rezultat i pakujdesisë në punë. Kjo paraqet një dekurajim të personave të kohës të cilët ishin mësuar që gjatë kësaj kohe të bënin obstruksione të ndryshme.

(vijon)

/Koha Javore/

By admini

Leave a Reply