
Kryetari i KVF “Barbana”, Valdet Kurti, thotë se ky klub për momentin ka të regjistruara 68 vajza, prej të cilave 46 janë aktive. “Sa i përket djemve, numri është inkurajues, 22 djem”, pohon ai, duke shtuar se një numër i tillë është shumë i mirë.
Nga Ismet Kallaba
Klubi i Volejbollit për Femra “Barbana” ka filluar punë para katër vitesh dhe nga viti në vit ka shënuar rritje. Që prej vitit të kaluar, në kuadër të këtij klubi kanë filluar të stërviten edhe djemtë.
Kryetari i KVF “Barbana”, Valdet Kurti, thotë se ky klub për momentin ka të regjistruara 68 vajza, prej të cilave 46 janë aktive.
“Sa i përket djemve, numri është inkurajues, 22 djem”, pohon ai, duke shtuar se një numër i tillë është shumë i mirë.
Ajo që e dallon këtë klub është se anëtarësia, pjesëmarrja në gara dhe në ndeshjet e kampionatit, uniformat sportive, ushqimi i shpejtë në ditët e ndeshjeve dhe çdo gjë tjetër për të gjitha vajzat dhe djemtë është pa pagesë, falë donatorëve.
Vajzat dhe djemtë janë të ndarë në tetë seksione sipas grupmoshave. Kështu aktualisht Klubi i Volejbollit “Barbana” ka pesë seksione të vajzave dhe tre seksione të djemve, prej të cilëve tre seksione të vajzave: pionieret (vajzat e datëlindjes 2010 dhe më të reja), minivolejbolli I (vajzat e datëlindjeve 2012 dhe 2013) dhe minivolejbolli II (vajzat e datëlindjes 2014, 2014, 2015), si dhe një seksion i meshkujve – minivolejbolli I (djemtë e datëlindjeve 2012, 2013 dhe 2014) marrin pjesë në gara në Ligën e Malit të Zi.
Rezultatet e ekipeve të këtij klubi në sezonin 2024/2025 janë të kënaqshme, ku shquhet ekipi i minivolejbollit I.
“Ekipi i minivolejbollit I, vajzat e datëlindjes 2012 dhe 2013, deri tani ka shënuar të gjitha fitore dhe kjo kategori është ekipi më i mirë i yni deri tani”, tregon kryetari i KVF “Barbana”, Valdet Kurti.
Trajneri i vajzave, Kadri Sinani, vlerëson ecurinë e deritashme të këtij klubi.
“Duke marrë parasysh faktorët e ndryshëm, ecuria është e kënaqshme. Kushtet janë të mira për këto grupmosha. Është e domosdoshme mbështetja më e madhe e prindërve”, thekson ai.
Ndërsa duke folur për synimet për këtë vit, Sinani thotë se tani për tani qëndrojnë mirë në kampionat.
Stërvitjet mbahen në sallën e shkollës fillore ‘’Bedri Elezaga’’ në Katërkollë, ku kushtet janë shumë të mira.
“Në këtë sallë kemi edhe hapësirat shtesë për mbarëvajtje pa probleme të procesit stërvitor. Po ashtu Klubi ka siguruar edhe ambientet për punët administrative, të pajisura me pak mjete të domosdoshme për punë”, shprehet kryetari Valdet Kurti.
Stërvitjet realizohen sipas orarit standard, ku vajzat kanë tri seanca stërvitore, kurse djemtë dy seanca stërvitore në javë. Krahas trajnerit Kadri Sinani, i cili merret me stërvitjen e vajzave, stërvitjet me djemtë i zhvillon trajneri Herodit Sinani.
E gjithë kjo punë madhore realizohet falë donatorit kryesor – Fondit Humanitar “Trojet Tona” nga Nju Jorku, dhe mbështetjes së Komunës së Ulqinit dhe Familjes Hajdari.
Vajzat dhe djemtë e KVF “Barbana” premtojnë se prej tyre duhet të pritet shumë dhe se një ditë mund t’i shohim në gara dhe liga më prestigjoze.
Planet për të ardhmen
Rrugëtimi i deritashëm i KVF “Barbana” ka qenë në përputhje me planin e projektuar që në fillim.
“Fillimi i shkollës së volejbollit për vajza në vjeshtën e vitit 2021, marrja pjesë në gara me vajza që nga shtatori i vitit 2022, rritja e numrit të kategorive që marrin pjesë në gara nga shtatori i vitit 2023 si dhe marrja pjesë në gara edhe me djem nga shtatori i vitit 2024 ishin disa nga planet tona të deritanishme të cilat i kemi përmbushur”, shprehet kryetari Valdet Kurti.
Megjithatë, ai nuk i fsheh ambiciet e tyre për të ardhmen.
“Duam të kalojmë tani në një stad më të lartë. Përveç mbajtjes së gjendjes aktuale dhe rifreskimit të çdovitshëm me vajza dhe djem të rinj, nga ky vit kemi edhe një plan tjetër që do t’ia shtojmë mozaikut tonë. Për vitin sportiv 2025/2026, i cili fillon në shtator të këtij viti, planifikojmë që të formojmë grupin e vajzave të rritura, senioreve, të cilat do të marrin pjesë në garat e Ligës së Parë të Malit të Zi, që për neve do të ishte edhe një hap tjetër i rëndësishëm i rritjes së klubit”, thotë drejtuesi i KVF “Barbana”.
/Koha Javore/