
Të vetëpëlqyerit që shohin ëndrra në pikë të ditës, kur rreth e përqark të mbyt zhurma e tmerrshme, nuk ka kush i kthjellon. Dhe këta që shohin ëndrra me sy hapur, nuk i përdorin as frenat e ndërgjegjes e as semaforët e turpit. Çka u thotë mendja, atë dhe e bëjnë, duke i rënë edhe murit me kokë. Të përgjakur e të thyer, ata vazhdojnë në misionin e tyre të vetëpëlqimit.
Shkruan: Qani Osmani
Për çka formohen dhe për çka shërbejnë partitë tona politike.
Praktikat e deritanishme dëshmojnë se ato janë vetëm si “zyra ndërmjetësuese” për punësim të militantëve partiakë! Janë totalisht pa platforma politike kombëtare! Struktura e tyre kadrovike, ajo në vende udhëheqëse, pesha, personaliteti, autoriteti i këtyre strukturave jo që lë shumë për të dëshiruar, por thjesht, janë turpi ynë që nuk po vërejmë assesi tek po na devalvon dhe degjeneron në qenie që vegjetojnë duke e helmuar habitatin e përgjithshëm!
Vjen partia shqiptare në pushtet dhe emërtimet kadrovike bëhen me persona anonimë, me persona me të kaluar jo të pastër, me persona që veçse të gërvallen nëpër mitingje, nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër! Gati në të gjitha sferat e jetës “lideri” mund të kërkojë ndihmë, madje edhe nga ndërkombëtarët për t’ia ngritur ndonjë platformë ekologjike, për arsim, shëndetësi, teknologji, ekonomike, platformë për zhvillimin dhe hapjen e tregtisë, për punësime të reja etj. Megjithatë, është një dikaster që duhet të peshojë ekskluzivisht mbi supet e personaliteteve të kombit! A mundet, për shembull, në udhëheqje të kulturës institucionale të emërohen militantët, “aktivistët e kulturuar” partiakë, besnikët e lidershipit? A mundet që lidershipi ynë të dalë përtej “borxhit” ndaj militantëve dhe këtë dikaster ta lë në duart e ekspertëve kulturor kombëtar?
Nëse ua hedhim një sy programeve partiake, do të shohim se aty mund të ketë lloj-lloj ofertash partiake, gatishmëri “shumë të sinqertë” për të lidhur kontratë me popullin, por ama, për kulturë nuk kemi kurrfarë qëndrimi, kurrfarë platforme, kurrfarë programi! Në asnjë parti nuk funksionon ndonjë komision i veçantë për kulturë, i cili do të përbëhej nga ekspertët dhe më të mirët në fushën e kulturës nga aktorë, regjisorë, shkrimtarë, këngëtarë, valltarë, nga kulturologë, etnologë, antropologë, të cilët, në rast të marrjes së dikasterit të kulturës do të punonin si ekip në realizimin e programit kulturor të partisë gjegjëse!
Fatkeqësisht, ky qëndrim kaq mospërfillës ndaj kulturës kombëtare vërehet te mbarë lidershipi shqiptar, kudo qoftë ai! Prandaj kultura jonë kombëtare sot është mijëra vite larg kulturës së periudhës së Rilindjes Kombëtare! Nëse i bëhet një ekzaminim dikasterit të kulturës, në të gjitha viset etnike, madje edhe institucioneve nacionale kulturore, do të konstatojmë se kultura jonë është në duart e amatorëve, “entuziastëve”, aktivistëve militantë partiakë dhe në duart e kuadrit udhëheqës të partive, paçka që këta mund të jenë politikanë të mirë e që nuk ia kanë haberin kulturës!
Po pse nuk vihen në krye të këtyre dikastereve personalitete me integritet, me vlera të larta kombëtare, të dëshmuar si shtylla të kulturës kombëtare? Sepse, të tillët nuk mund të shantazhohen, nuk mund të jenë “të dëgjueshmit e partisë”, nuk do të pranonin që të vjedhin apo të ndajnë tenderë për interesa partiake, nuk do të mund korruptohen e kështu me radhë… Ndaj, partia e ka më lehtë që të emërojë anonimë e servilë, të cilët do të jenë të gatshëm që në kontinuitet të dëshmojnë se janë “të dëgjueshmit”, militantët që për parti janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, madje edhe ta varfërojnë kulturën kombëtare deri në amatorizëm e diletantizëm!
Partisë në pushtet i ka hije që ta urdhërojë një personalitet kombëtar që të jetë bartës dhe promovues i vlerave të larta kulturore të kombit dhe, nëse nuk do të pranonte, nëse nuk do të ofronte arsyetime të forta për mospranim të një detyre kaq të lartë kombëtare, atëherë lidershipi partiak e ka gjithë të drejtën e Zotit për ta denigruar atë vlerë deri në paçavurë! Parti pa një sektor me emra të respektueshëm nga sferat e ndryshme të kulturës kombëtare, nuk është parti por thjesht, një tabelë muri ku shënohen emrat e militantëve dhe aktivistëve servilë të partisë që ia kanë arritur të shpërblehen me punësim nga partia të cilës i shërbejnë me “besnikëri” (natyrisht, të njëjtit, nëse nuk rehatohen dhe nuk gjejnë interesa personale, sakaq rebelohen, e shuajnë “besnikërinë” dhe e shantazhojnë partinë)!
Të vetëpëlqyerit.
Të vetëpëlqyerit që shohin ëndrra në pikë të ditës, kur rreth e përqark të mbyt zhurma e tmerrshme, nuk ka kush i kthjellon. Dhe këta që shohin ëndrra me sy hapur, nuk i përdorin as frenat e ndërgjegjes e as semaforët e turpit. Çka u thotë mendja, atë dhe e bëjnë, duke i rënë edhe murit me kokë. Të përgjakur e të thyer, ata vazhdojnë në misionin e tyre të vetëpëlqimit.
Është e drejtë e secilit ta pëlqejë veten dhe të mendojë se s’ka si ai. Është e drejtë e secilit që t’i zgjasë këmbët përtej jorganit, pavarësisht se do t’i bëhen akull. Është e drejtë e secilit të bëjë çfarë të dojë, por me kusht që të mos i kalojë vijat e kuqe, aq më tepër të thirret dhe të mbulohet me vellon e kombëtares apo në emër të popullit, pa pasur mandatin e popullit. Është e drejtë e secilit të mendojë se shkruan bukur, se bën vepra letrare, të botojë, por askush nuk ka të drejtë që letërsinë e sotme shqipe ta përdorë se leckë për shërimin e komplekseve të disa individëve, të cilëve u është bërë mendja top se janë pjesë e elitës se artistëve shqiptarë, ndërkaq për fatin e tyre të keqe, nuk i njeh as mëhalla e tyre.
Nëse me fjalën ELITË kuptojmë pjesën më të mirë të zgjedhur të një tërësie, atëherë nuk duhet ngatërruar shapin me sheqerin. Projektet madhore duhet të mbështeten institucionalisht dhe jo kjo t’u lihet grupeve të ndryshme të interesit dhe matrapazëve që kanë qëllime meskine dhe të mbështjella me letër gënjeshtre. Institucionet përkatëse të kulturës duhet të reagojnë, sidomos kur vërehet se në mënyrë klandestine tentohet që antivlerat jashtë hapësirës shqiptare të paraqiten si vlera letrare. Të pretendosh të depërtosh te një lexues i huaj me anonimë dhe me ata që nuk e dinë as kuptimin e nocionit letërsi, vërtet është një punë thjesht e kotë dhe mbi të gjitha, e dëmshme. Në fakt, edhe ata që abuzojnë me letërsinë e dinë të vërtetën e elitës së letërsisë së sotme shqipe. Pra, nuk janë elitar ata,të cilët letërsinë e përdorin si lecke për shërimin e komplekseve të atyre që pa nevojë futen aty nuk e kanë vendin. Dhe, këta është mirë që çdo mëngjes, sa herë të zgjohen nga gjumi, të shikohen në pasqyrë dhe të binden se nuk e kanë harruar kokën në shtrat. Kjo sidomos është e mirë për shëndetin e tyre të brendshëm.
Elitat i përcakton suksesi, kritika dhe interesimi i artdashësve. Me “elitën” e anonimëve nuk shkojmë askund, sepse janë të tejdukshëm dhe lehtësisht të zbërthyeshëm. Kemi nevojë për një rend dhe jo për ëndrra të ëndërruara me sy hapur në pikë të ditës…