
Sot, 17 vite më parë, Kosova, shteti më i ri në Europë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.
Shteti i Kosovës tashmë është njohur nga 117 shtete.
Ndër shtetet e para që kanë njohur pavarësinë e Republiklës së Koaovës ka qenë edhe Mali I Zi.
Urimet për këtë datë të rëndësishme të Kosovës vinë nga të gjitha anët.
Urim për këtë datë ka dërguar edhe Genci Nimanbegu, kryetar i Forcës së Re Demokratike. Urimin e plotë të Nimanbegut mund ta lexoni më poshtë.
Gëzuar 17 Shkurti – Pavarësia e Republikës së Kosovës
Sot, 17 shkurti, është një ditë e veçantë për të festuar dhe uruar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë.
Pavarësia e Republikës së Kosovës hapi një faqe të re në historinë e kombit shqiptar, ku kujtojmë me mirënjohje të thellë vizionarët dhe heronjtë që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Është detyrim dhe obligim që sakrificës së tyre t’i përgjigjemi me përulësi, përkushtim dhe përgjegjshmëri politike për të ardhmen e Kosovës.
Sot, në fund të dekadës së dytë të pavarësisë dhe lirisë, Kosova ka një perspektivë të qartë përparimi. Më e rëndësishmja, ajo ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e integritetit territorial.
Me krenari mund të pohojmë se Republika e Kosovës është një histori suksesi në Ballkan për respektimin e të drejtave të njeriut. Ajo ka një proces zgjedhor demokratik sipas standardeve evropiane, një kulturë të lartë politike dhe ofron siguri e stabilitet afatgjatë për rajonin dhe më gjerë.
Gëzuar 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!
Gëzuar 17-vjetorin e Pavarësisë!
Genci Nimanbegu
Kryetar i Forcës së Re Demokratike