Dje në Ulqin është arritur marrëveshja për formimin e koalicioni të ri për të qeverisur me këtë komunë, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e rregullta në fillim të vitit 2026.
Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Partisë Demokratike (PD) Fatmir Gjeka, kryetari i Forcës Genci Nimanbegu, kryetari i KK të Partisë Demokratike të Socialistëve Arijan Lamoviq, kryetari i KK së socialdemokratëve Qazim Hoxhiq, kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi Saubih Mehmeti, kryetar i KK të Partisë Socialdemokrate Naser Resulbegoviq dhe kryetari i KK të Partisë Boshnjake Muamer Rashçiq, shkruan Ulqini Online.
Shumica e re në Kuvendin e Ulqinit do të ketë 21 mandate, nga 33 këshilltarë sa janë gjithsej. Në opozitë, përveç Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) dhe Demokratëve, të cilët nuk ishin pjesë e qeverisë as në dy vitet e mëparshme, do të jenë kolegët e tyre nga Lëvizja Qytetare URA dhe Alternativa Shqiptare, të cilët deri më dje ishin pjesë të koalicionit qeverisës me PD, SD, SDP dhe Forcën.