Komuna e Tuzit ka njoftuar se do të vazhdojë edhe këtë vit me mbështetjen konkrete për fëmijët dhe familjet, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Sipas njoftimit të publikuar nga Komuna, çdo nxënës që do të regjistrohet në klasën e parë në shkollat që veprojnë në territorin e Komunës së Tuzit do të përfitojë një ndihmë financiare prej 100 eurosh, e dedikuar për blerjen e mjeteve dhe materialeve shkollore.

Nga pushteti lokal bëjnë të ditur se qëllimi i kësaj mase është lehtësimi i shpenzimeve të familjeve gjatë përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, si dhe mbështetja e fëmijëve në hapat e tyre të parë në arsim.

“Me këtë mbështetje dëshirojmë t’ua lehtësojmë familjeve përgatitjet për vitin e ri shkollor dhe t’u urojmë vogëlushëve tanë fillim të mbarë e plot suksese”, thuhet në njoftimin e Komunës së Tuzit.

Komuna thekson se investimi në arsim dhe tek brezat e rinj mbetet një nga prioritetet e saj, duke vlerësuar se mbështetja e fëmijëve është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e Malësisë.

By admini

Leave a Reply