Paradrekën e së enjtës kanë dalur në një konferencë të përbashkët kryetari i Forcës Genci Nimanbegu dhe kryetari i PD-së Fatmir Gjeka. Tema e kësaj konference ka qenë situata aktuale politike në Komunën e Ulqinit.
Fjalën e plotë nga kjo konferencë mund ta lexoni më poshtë.
Të nderuar qytetarë,
Në majin e vitit 2022, kemi dalë në zgjedhje me moton “ndershëm dhe drejt” dhe kemi marrë 5 mandate. Kemi bërë fushatën nga opozita edhe në nivelin shtetëror edhe në nivelin lokal. Nuk kemi asfaltuar rrugë e as shëtitur në Ulqin me xhipat e shtetit.
Vizioni i jonë për Ulqin mbetet i qartë dhe parimet tona janë të qarta. Ulqini është kryeqendra shqiptare në Mal të Zi dhe kështu duhet të jetë edhe në vazhdim. Ulqini duhet të jetë qytet i kulturës, mirëkuptimit, mirëbesimit, tolerancës dhe bashkëjetesës, ashtu siç ka qenë gjithmonë dhe duhet të jetë qyteti më i zhvilluar në bregdetin e Malit të Zi.
Më datën 21 maj 2022, kryetari aktual i Komunës Omer Bajraktari në emër të Koalicionit “Fillimi i Ri” të cilin e përbëjnë Partia demokratike, Ura, SDP, SD dhe ASH, ka nënshkruar marrëveshjen me Forcën e Re Demokratike për të bërë shumicën stabile në mandatin 22-26. Sipas kësaj marrëveshje, pas shumë mundimeve për ta ndalur këtë nga opozita e sotme, më datën 2 qershor 2022 kemi zgjedhur kryetarin e Komunës Omer Bajraktari.
Sipas kësaj marrëveshjeje, postin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të kryetarit të Komunës do ta ndërrojnë Forca dhe URA pas dy vjetësh, pra më 2 qershor të këtij viti.
Duke iu afruar kësaj date, po shohim se një pjesëtar i koalicionit FILLIMI I RI ka plane të tjera për Ulqinin, dhe pa u konsultuar me partnerët ka nisur formimin e një shumice të re. Kështu nuk thotë marrëveshja! Përderisa kjo shumicë me plot 12 këshilltarë ka stagnuar në rritje, kryetari Omer Bajraktari në formë të jashtëligjshme ka shkarkuar sekretarët e Komunës që vijnë nga radhët e Forcës.
Gjatë këtyre dy viteve të këtij pushteti është arritur të bëhen gjëra madhore për Ulqinin dhe kjo falë stabilitetit dhe kontributit të secilit pjesëtar të koalicionit pa marrë parasysh se cili e ka qitë në fejsbuk. Siç thuhet te ne, suksesi ka shumë nana e faji është jetim.
Ne duam ta vazhdojmë trendin e konsolidimit të Ulqinit. Punët e filluara duam t’i mbarojmë. Na vjen keq që URA, gjegjësisht lideri i saj don ta çrregullojë tërë qytetin përpara sezonit turistik. E ka bërë këtë edhe me shtetin.
Në vend që të organizojë tryeza me bizneset dhe operatorët turistikë për të nxitur ekonominë në qytet, kryetari në largim i Komunës bisedon tinëz e pas shpinës së anëtarëve të koalicionit të vet (PD, SD, SDP dhe ASH) me ata që në vitin 2022 ndërprisnim seancën e kuvendit për të mos e realizuar emërimin e Bajraktarit në krye të Komunës.
Në vend që të kërkojë përgjegjësi dhe veprim nga kontraktorët që kanë lënë rrugët e paasfaltuara në tërë qytetin në prag të sezonit turistik, ky humbet kohë për të gjetur faje imagjinare të Forcës.
Në vend që të merret me përgatitjet për sezonin turistik, për mbarimin me sukses të projekteve madhore të infrastrukturës, kryetari po shkarkon me jokorrektësi njerëzore sekretarët që për dy vite kanë punuar për suksesin e kryetarit, ata që i kanë hapur mbi 30 tendera për 1 vit dhe sukseset e të cilëve mundohet t’i përvetësoje për vete dhe me këta suksese është mburrë këto dy vite.
Pa marrë parasysh këto, ne, Forca e Re Demokratike dhe Partia Demokratike së bashku duam që të prodhojmë stabilitet, zhvillim ekonomik dhe duam ta kemi çdo qytetar të Ulqinit të kënaqur që jeton në këtë vend. Sot ne jemi këtu së bashku si pjesëtarë të Aleancës Shqiptare që është një koalicion parlamentar. Është koalicion shqiptar që bazohet në pajtim dhe zhvillim. Ne duam të veprojmë kështu së bashku edhe në vazhdim në të gjitha fushëbetejat politike dhe ekonomike.
Prandaj, ftoj qytetarët që me qetësi të përcjellim ndërrimin e pushtetit në Komunë dhe të bëhemi gati për sezonin veror. Lidhur me këtë, e ftoj edhe kryetarin në largim të Komunës Omer Bajraktarin që të mbledhë guximin dhe t’i rezistojë urdhërave që i vijnë për ta destabilizuar Ulqinin në prag të sezonit turistik. E vetmja gjë që mund të prishet me këta veprime të t’ia është imazhi i tij në qytet e më gjërë.
Për hirë të qytetarëve dhe koalicionit kemi qenë të gatshëm edhe në lëshime të disa funksioneve, por fatkeqësisht, Ju nuk e keni parë të arsyeshme AS QË TË ULENI E TË FLITNI ME PARTNERËT E KËTIJ KOALICIONI.
Të nderuar qytetarë,
Forca e Re Demokratike ka qenë dhe do jetë partner stabil për qeverisje të pastër dhe të ndershme. Siç kemi qenë konstruktiv dhe bashkëpunues, kemi njerëz profesionistë që janë dëshmuar në jetën private dhe publike. Nëse miqtë, shokët e partnerët tonë deri dje nga URA kanë mision ngritjen e tensioneve, përçarjeve dhe shamatave në qytet për të ndarë popullin shqiptar dhe për të krijuar kaos në qytet para sezonit veror për interesa të dikujt tjetër, ne do t’i bëjmë ballë në mënyrë demokratike me vullnet politik dhe qytetar.