Ilustrim: Nxënësit dhe mësuesi Prankë Jakova para Kishës së Shën Gjonit në Shas
Faik Luli ,”Doktor Honoris Causa”
Zhvillimi i arsimit shqip në zonën e Ulqinit dhe Krajës gjatë Luftës së Dytë Botërore
Çdo periudhë ka veçoritë dalluese dhe përmbledh kontributin e vet në historinë e arsimit. Kështu ngjet edhe me zhvillimin e arsimit shqip në zonën e Ulqinit e të Krajës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me gjithë situatën e rëndë, vështirësitë, mungesat e pengesat në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore, nga synime e qëndrime të ndryshme, në vitin shkollor 1941-42 nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë, u vendos që të dërgohen nga Shqipëria në krahinat me popullsi shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi 400 mësues për hapje shkollash fillore e të mesme, 200 nga të cilët ishin mësues të rinj të përgatitur në shkollat pedagogjike. Veprimtaria arsimore e këtyre mësuesve u zhvillua në këto drejtime: Së pari, në shkollat e rregullta; së dyti, në kurset e para të shqipes ose në kurset verore; së treti, në kurset e punës së dorës; së katërti, në kurset kundër analfabetizmit; së pesti çdo periudhë ka veçoritë dalluese dhe përmbledh kontributin e vet në, në kurset e grave. Në vitin shkollor 1941-42 Jahja Domnori , mësues i përgatitur nga ana shkencore, kulturore e profesionale, nga Shkodra u emërua drejtor i shkollës fillore të Ulqinit dhe përgjegjës për shkollat që përfshinte në atë kohë komuna e Ulqinit, si Shtoj, Darsë, Pistull, Selc, Peçuricë, Goranë, Kosiq, Katërkollë e Sukobinë. Puna organizative, pedagogjike e propagandistike e drejtorit dhe e mësuesve dha rezultate të kënaqshme. Kjo vërtetohet nga pasqyra e nxënësve të shkollave fillore për vitin 1941-42 në komunat e Qendrës, Mërkotit, Katërkollës, Krajës e Tuzit ku rezultojnë 14 shkolla me 1809 nxënës dhe me 30 mësues. Në këto shkolla arsimoheshin fëmijët e 65 fshatrave. Në burime të ndryshme rezulton se në shkollat fillore kanë shërbyer këta mësues: Në Ulqin: Jahja Domnori, Zef Tarnaku, Angjelina Pistulli, Xhemal Lopçi, Hasan Brahimi, Mina Nikollë Gega, Ganije Baçi e Zekije Golemi; në Peçuricë: Luigj Shkjezi e Viktor Kiçi; në Katërkollë: Prenkë Jakova e Prekë Shiroka; në Sukobinë: Shuk Shllaku; në Kosiq: Ramadan Milla; në Ostros: Gaqo Pisha e Nuk Kuçi; në Martiq: Ilija Xhavara; në Muriq: Qazim Kraja; në Dedaj: Vatë Gjeloshi. Mësuesit i kushtonin kujdes të posaçëm realizimit të programeve të gjuhës shqipe, të leximit, të historisë e të gjeografisë së Shqipërisë. Për mësimin e gjuhës amtare ata shfrytëzuan përveç tekstit edhe materiale nga këngët, legjendat, kallëzimet, përrallat e pjesë të tjera të folklorit. Paralelisht me mësimin e gjuhës u punua edhe për leximin. Puna me përmbajtjen, idenë, veçoritë e personazheve e bukuritë artistike të copave letrare, ku shpreheshin ndjenjat e pastërta të nxënësve.
Në qytetin e Ulqinit përveç shkollave fillore ka funksionuar edhe një shkollë me drejtim bujqësor që ka pasur 4 klasa me 64 nxënës, nga të cilët 11 vajza. Këtu funksiononte gjithashtu një shkollë e punës së dorës, ku frekuentonin ato pak vajza që kishin mbaruar shkollën fillore dhe që kishin dëshirë të fitonin mjeshtrinë e rrobaqepsisë. Kurset e para të shqipes ose kurset verore funksiononin në pushimet verore. Aty mësonin të vegjël e të rritur sipas grupmoshave 7-12 vjeç, 13-18 vjeç. Një pjesë e pjesëmarrësve përgatitej për t’u futur në fillore ose në cikle më të larta, ndërsa një pjesë vetëm për të mësuar për të shkruar e për të lexuar në gjuhën amtare. Nxënësit mësonin në formën e klasave kolektive. Mësuesit bënin punë të diferencuar. Mësimi zhvillohej paradreke e pasdreke. Në këtë mënyrë përgatitej kontigjenti i nxënësve për klasat e rregullta. Veç kurseve për të vegjëlit funksiononin edhe kurset kundër analfabetizmit, në të cilat punohej pasdreke ose në mbrëmje, për të mos penguar punët e ditës. Në këto kurse veç lëndës së gjuhës amtare mësohej edhe histori kombëtare dhe gjeografi e Shqipërisë. Kurset kundër analfabetizmit në zonën e Ulqinit funksionuan në Ulqin, Salç, Peçuricë, Goranë, Ljare e Shestan. Krahas këtyre formave të shkollimit të të rriturve kanë ekzistuar edhe kurset e grave që frekuentoheshin nga femrat, të cilat nuk i kapte detyrimi shkollor. Këtu ato mësonin shkrim-këndim e disa njohuri të përmbledhura të historisë, të gjeografisë e të diturisë së natyrës të bashkërenditura me elemente të ekonomisë shtëpiake.
Mësuesit që punuan në shkollat e ndryshme të zonës së Ulqinit krahas veprimtarisë mësimore-edukative zhvilluan edhe një veprimtari atdhetare e antifashiste me nxënës, prindër e popull. Mësuesit shqiptarë (shumica ishin shkodranë) në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, larg familjeve e vendbanimeve të tyre, në rrethana kritike përballuan vëshrtirësi e sakrifica të panumrta vetëm për të përhapur arsimin shqip në popullsinë shqiptare të këtyre trevave. Ata e ndienin me shumë përgjegjësi misionin e tyre fisnik, prandaj me përkushtim, me aftësi e me entuziasëm iu përgjigjën thirrjes për të kryer detyrën e ngarkuar në hapjen e shumë shkollave e kurseve me qëllim që sa më shumë të zhduket analfabetizmi. Me punën e tyre lanë kujtime të pashlyera, fituan dashurinë dhe nderimin e nxënësve, të kolegëve, të prinërve dhe të mbarë popullatës shqiptare. Veprimtaria arsimore, kulturore e atdhetare e këtyre mësuesve shqiptarë e vendës përbën një kapitull të ndritur të historisë së arsimit lokal e kombëtar, krijoi mundësi që në të ardhmen nxënësit e populli jo vetëm të flisnin shqip, por gjithnjë e mës shumë do të shkruanin, do të lexonin dhe do të mësonin në gjuhën amtare, hodhi bazat për zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare, shërbeu për krijimin e kuadrove të ardhshme, të inteligjencës së re, të qytetarëve të arsimuar e të kulturuar që i dhanë hov zhvillimit të gjithanshëm në këto troje, formimit e forcimit të ndërgjegjes e të identitetit shqiptar, përpjekjeve për të drejta qytetare, kombëtare e demokratike. Punonjësit e arsimit të të gjitha periudhave për kontributin e tyre meritojnë nderimin e thellë, vlerësimin e lartë dhe mirënjohjen e pakufishme të brezave.
(Ky punim u lexua me rastin e manifestimit kulturor për të nderuar figurën e mësuesit, i cili u organizua në sallën e restorantit “Hollegro” në Ulqin , më 30 mars 2002)
Temë nga projekti “““Shkruaj, lexo dhe fol, për ta ruajtur gjuhën shqipe” – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptarëve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2023“”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.