Shkruan: Esat Mehmeti
Në vitet ‘90, Serbia me masa të dhunshme hoqi nga puna, pothuaj të gjithë punëtorët shqiptarë në Kosovë dhe tani nëpërkëmbemi si pënsionistë.
Rrallë mund të gjendet ndonjë popull në Evropë, që të ketë qenë objekt i shtypjes nacionale siç ishte populli shqiptar, e në veçanti ai i Kosovës. Aty, përveç shtypjes, terrorit, dhunës, likuidimit fizik etj. ishte edhe spastrimi etnik i trojeve shqiptare. Kështu, Kosova edhe pse truall etnik i shqiptarëve, vazhdimisht u ballafaqua me pretendimet e pushtetit serb. Serbia për të realizuar spastrimin e territoreve shqiptare shfrytëzoi të gjitha modelet e saj.
Edhe pse populli shqiptar, ndër popujt më të vjetër të Evropës, rrallë mund të ketë ndonjë popull tjetër që të ketë pasur pushtime dhe pushtues kaq të egër, që kanë njohur këto troje të banuara me shqiptarë. Në këtë tokë shqiptare, regjimi serb u vërsul me tortura, vrasje, masakra, përdhunime, dëbime të dhunshme dhe krime të tjera të kryera nga forcat serbe të cilat u organizuan nga nivelet më të larta të qeverive serbe e jugosllave të asaj kohe dhe çuditërisht, këto krime u kryen para syve të botës.
Serbia për realizimin e qëllimeve të veta pushtuese, në politikën e tyre antishqiptare ishin angazhuar akademikë, politikanë, shkrimtarë, ushtarakë madhor, diplomatë të karrierës, të cilët në bazë të udhëzimeve të kupolës së piramidës shtetërore serbe hartuan projekte, platforma, memorandume, programe, organizuan tribuna, konferenca e simpoziume “shkencore”, e gjithë kjo u bë në emër të “Serbisë së Madhe”. Mbi popullin e Kosovës u veprua me masa të ashpra, sa të egra, aq edhe antinjerëzore. U veprua me mjete të ndryshme politike e ushtarako-policore, kuptohet edhe me ato ekonomike e sociale.
Edhe pse kanë kaluar diç më tepër se tri dekada që kur masat e dhunshme të regjimit të egër të Serbisë, në Kosovë largouan me forcë punëtorët nga të gjitha istitucionet e Kosovës, të cilët me dekada të tëra kanë punuar në institucione e ndermarrje në Kosovë, dhe ende nuk arrijë t’I realizojnë pensionet e tyre në Kosovë ? Këtë po e vuajnë edhe ish-punëtorët e Kosovës në Malin e Zi!
Ndërkohë, po bëhën gati një dekadë që një grup qytetarësh të Malit të Zi, përkatësisht në Ulqin, themeluan Shoqatën e Ish-Punëtorëve të Kosovës në Mal të Zi, “e cila për qëllim kishte njohjen e viteve të punës në ish-ndërmarrjet dhe institucionet e Kosovës deri në vitin 1999 për të realizuar pensionet që u takojnë” thuhej në një komunikatë për opinion të Shërbimit për ionformin të kësaj shoqate të parë të kësaj natyre në Malin e Zi. Atëkohë, një numër jo i vogël i punëtorëve nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Malësia e vise të tjera shqiptarë në Malin e Zi, kanë punuar në Prishtinë e qytetet të tjera të Kosovës, por nuk kanë arritur t’i marrin ato pensione !
Marrëveshje vetëm në letër !
Edhe përkundër asaj së në dhjetor të vitit 2013, Podgorica dhe Prishtina, përkatësisht Ministritë e Punës së këtyre dy vendeve kanë nënshkruar marrëveshje për njohjen reciproke të stazhit, por kjo marrëveshje kurrë nuk u jetësua dhe nuk jam i sigurtë a mbeti vetëm edhe në letër ?!
Diku, dy vite më vonë, në tetor të vitit 2015, një Komision Parlamentar i Republikës së Kosovës, e kryesuar nga zonja Dr.Flora Brovina, qëndroi për një vizitë pune në Mal të Zi. Në Ulqin, u takua edhe me një grup pensionistësh kosovarë, shtetas të Malit të Zi, të cilët me dekada të tëra kanë punuar në Kosovë. Ata u njoftuan hollësisht me të dhënat për punën dhe kontributin e tyre në Kosovë, duke u shprehur …”Në shqiptarët nga Mali i Zi, falënderojmë Kosovën dhe popullin e saj. Kosova na ka pritur e pranuar në gjirin e saj si fëmijën e vet. Na ka ushqyer e na ka rritur, na ka arsimuar, na ka dhënë dritën e syve. Na ka dhënë punë dhe na ka përgatitur për punë fisnike. I jemi përjetë mirënjohës Kosovës dhe popullit të saj. Por në anën tjetër, ne kemi dhënë vitet më të mira të jetës në Kosovë.Tash një dekadë e gjysmë kemi vepruar si një grup i listës së ish-punëtorëve kosovarë në Mal të Zi edhe me pozitën tonë të pavolitshme ekonomike, shëndetësore dhe juridike kemi informuar të gjitha institucionet shtetërore të Malit të Zi dhe të Kosovës. Këtë shqetësim iu kemi përcjellë edhe zyrtarëve të lartë të Kosovës (atëherë Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës) gjatë vizitës se tij në Ulqin, por, për çidi jemi injoruar ! Më kot kemi kërkuar pensionet tona në Beograd e Prishtinë, serbët, malazezët edhe boshnjakët, që kanë punuar sikur ne në Kosovë, ata i marrin pensionet. Beogradi e Prishtina ne pensionistëve shqiptarë na diskriminojnë” – ishin shprehur mes të tjerave ish-të punësuarit në Kosovë para delegacionit kosovarë.
Delegacioni i Kosovës, pasi ndoqi me vemendje gjithë hallet e ish-punëtorëve, të cilët akuzuan ashpër klasën politike kosovare të asaj kohe, duke thënë; “…nuk kanë bërë asgjë për të përmbushur kërkesat tuaja “.
Kërkesat tona shkuan në veshë të shurdhër !
Atëkohë, Anëtarët e Komisionit Parlamentar grumbulluan dëshmitë e pensionistëve që kanë punuar në Kosovë, edhe premtuan se “…këtë temë kaq të ndjeshme do ta hapin në Kuvendin e Republikës së Kosovës që edhe Prishtina ta ndjekë shembullin për t’u paguar pensionet”.
Diku në media kemi lexuar se kërkesat tona ia kanë transmetuar ministrit të atëhershëm të Punës dhe për një kohë jetuam me bindjen se ky ministër do t’i zgjidh pozitivisht problemet tona, por çuditërisht JO!
Ndërkohë, një delegacion i Shoqatës tonë kërkoi takim edhe me ministrin e atëhershëm të Punës në Prishtinë, për ta informuar në hollësira me numrin, gjendjen dhe kërkesat e ish-të punësuarve nga Mali i Zi në Kosovë edhe kjo punë shkoi serish në veshë të shurdhër !
Jemi në dijeni se Qeveria e Kosovës kohë më parë ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, që përfitojnë një numër i konsideruar i punëtorëve që ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet 1990/ 91.“Përmes tij do të adresojmë çështjen e pabarazisë disavjeçare, të mosnjohjes të së drejtës pensionale në skemën e pensionit kontributpagues, të një numri të madh të pensionistëve të cilët nuk përmbushin kriterin prej 15 vjetësh, kontribut në sistemin pensional”, patën shkruar disa nga mediat në Kosovë.
Më këtë ligj do të eliminohet padrejtësia ndaj atyre që janë larguar dhunshëm nga puna në vitet 90’, por jo edhe për punëtorët shqiptarë nga Mali i Zi të cilët kanë punuar në Kosovë .
Megjithatë, janë bërë 16 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe statusi i shtetasve të Malit të Zi, të cilët me dekada të tëra kanë punuar në institucione e ndermarrje në Kosovë, ende nuk arrijnë ta realizojnë të drejtën e tyre, pensionet e tyre në Kosovë?
Nuk e di, Departamenti i Pensioneve në kuadër të Ministrisë së Financave në Kosovë a posedon mjaftueshëm të dhëna zyrtare lidhur me numrin e shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët kanë punuar punuan vite të tëra në Kosovë ?
E kemi të qartë se Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje bilaterale për skemat sociale dhe mungesa e komunikimit ka krijuar një hapësirë ku qytetarë po e pësojnë .
Jemi tepër të vetëdijshëm për situatëne në Kosovë, por nëse do ta quanim Shoqatë, apo grup të ish-punëtoreve të Kosovës nga Mali i Zi, ky numër nuk vijë në rritje, por dita-ditës është në rënie e sipërm.Nuk e di a kanë mbetur diç më shumë se 60-70 veta në gjithë Malin e Zi, të cilët në vitët më të mira të tyre kanë dhënë kontributin e tyre në Kosovë dhe tani në vitet e fundit të jetës së tyre, po nëpërkëmben. Pa të drejtë pensioni !
Këtë shkrim po e mbylli me shpresën e mirë se këto fjalë do të shkojnë në vendin e duhur dhe t’na lehtësojë sadopak dhimbjen këtyre pak personave, në këto ditë të mbetura. /Marrë nga “Koha javore”, shkurt 2024/