Enti i Statistikave të Malit të Zi (MONSTAT) ka publikuar të enjten (25 janar 2024) rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Mal të Zi, i cili është realizuar në periudhën nga 3 deri më 30 dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas këtyre rezultateve, në Mal të Zi jetojnë 633 158 banorë, ndërsa gjatë procesit të grumbullimit të të dhënave janë regjistruar gjithsej 673 203 persona. Po ashtu numri i amvisërive të regjistruara është 217 441, ndërsa ai i banesave 396 873.
Të dhënat paraprake të regjistrimit tregojnë se në periudhën 12-vjeçare, në krahasim me vitin 2011, është rritur numri i banorëve, amvisërive dhe i banesave në Mal të Zi. Kështu, numri i banorëve është rritur për 13 129 (633 158) apo 2.1 për qind më shumë sesa në vitin 2011 kur Mali i Zi ka pasur 620 029 banorë.
Nëse i referohemi numrit të banorëve sipas komunave vërehet se në përgjithësi rënie të ndjeshme të numrit të banorëve kanë pësuar disa komuna në pjesën veriore të Malit të Zi, përfshirë edhe Cetinën, kurse rritje komunat bregdetare dhe kryeqyteti Podgoricë. Sa u përket komunave ku jetojnë shqiptarët, në të gjitha është shënuar rritje e numrit të banorëve në krahasim me regjistrimin e vitit 2011. Kështu numri i banorëve në Ulqin është rritur për 1 474 (21 395) apo 7.4 për qind më shumë në krahasim me vitin 2011 (19 921). Në komunën e Tuzit jetojnë 13 142 banorë apo 1 763 (15.5 për qind) më shumë sesa në vitin 2011 (11 379). Në komunën e Tivarit jetojnë 46 171 banorë apo 4 123 banorë (9.8 për qind) më shumë sesa në vitin 2011 (42 048). Në Guci jetojnë 4 662 banorë apo 635 banorë (15.8 për qind) më shumë sesa në vitin 2011 (4 027), në Plavë 10 378 banorë apo 1 340 banorë (14.3 për qind) më shumë sesa në vitin 2011 (9 038), kurse në Rozhajë 25 247 banorë apo 2 283 (9.9 për qind) më shumë sesa në vitin 2011 (22 964).
Sa u përket numrit të personave të regjistruar në komunat ku jetojnë kryesisht shqiptarët në Malin e Zi, në Ulqin janë regjistruar 24 026 persona, në Tuz 14 252 persona, në Tivar 50 226 persona, në Guci 5 189 persona, në Plavë 11 056 persona dhe në Rozhajë 29 198 persona.
Megjithatë duke pasur parasysh faktorët e ndryshëm demografikë, si shkallën e lartë të emigrimit të popullsisë, rënien e lindshmërisë etj., të dhënat për rritjen e popullsisë nuk duken reale, por më tepër duken të fryra apo artificiale.

Ulqini, komuna e dytë me rritjen më të madhe të numrit të banesave
Të dhënat e regjistrimit tregojnë se në nivel të Malit të Zi numri i amvisërive është rritur për 15.4 për qind. Kështu nga 188 376 amvisëri sa janë regjistruar në vitin 2011, numri i tyre është rritur në 217 441 në vitin 2023.
Rritje të madhe (26.1) ka pësuar edhe numri i banesave. Kështu nga 314 704 banesa të regjistruara në vitin 2011, numri i tyre është rritur në plot 396 873 në vitin 2023. Rritja më e madhe është shënuar në komunat bregdetare, ku vendin e parë e zë Tivati me 59.9 për qind më shumë banesa sesa në vitin 2011. Komuna e Ulqinit zë vendin e dytë në nivel të Malit të Zi për rritjen më të madhe të numrit të banesave. Në këtë komunë janë regjistruar 25 023 banesa apo 58.7 për qind më shumë sesa në vitin 2011 (15 763). Nëse e krahasojmë numrin e banesave me numrin e banorëve, del se në Ulqin ka më shumë banesa sesa banorë! Vendin e tretë për rritjen e numrit të banesave e zë Budva me 43.9 për qind.
Edhe komunat e tjera ku jetojnë kryesisht shqiptarët në Malin e Zi kanë shënuar rritje të numrit të banesave. Kështu në Tuz është shënuar rritje me 35.9 për qind, në Rozhajë 26 për qind, në Tivar 25.9 për qind, në Plavë 23.4 për qind dhe në Guci 15.8 për qind.
Nga Enti i Statistikave të Malit të Zi (MONSTAT) kanë deklaruar se rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë do të publikohen në mënyrë suksesive gjatë pjesës së dytë të këtij viti, pas përpunimit të të dhënave të grumbulluara gjatë procesit të regjistrimit. /i. k. Koha Javore/

By admini