Nga Ylber Hysa

Ndër përmendjet e para mesjetare të Arbnit, Arbanonit në rrënjët e fillet e saj, si koncept territorialo-etnik-administrativ, vjen nga një burim rrethanor nga ngjarja e përurimit të Katedrales së Shën Trifunit në Kotorr. Ndonëse e vërejtur dhe e përmendur tashmë te disa autorë, kjo ngjarje me interes meriton një rishikim më kontekstual. Në përurimin e Katedrales së Kotorrit më 1166 rol të veçantë ka edhe delegacioni i Arbanisë, prej atij kishtar deri tek ai administrativ. Ngjarja e përurimit të katedrales – e zbërthyer më tej në një konstelacion të këtillë historiko-administrativ – është edhe më shumë sesa kaq

Çështja e Arbnisë në mesjetë të hershme për shumëҫka përbën një temë qendrore me shumë interes, e cila ka tërhequr vëmendjen e merituar – por që, duket se më shumë ka shtruar pyetje, sesa që ka gjetur përgjigje të merituar.

Debati mbi atë se kur është paraqitur Arbni, Arbanon (Αρβαηοη, Рабан) e më vonë Arbërija, kah është shtrirë dhe ku ishin kufijtë e rëndësia e saj, si dhe transformimi shekullor i tërësisë etno-gjeografike administrative, politike, kishtare e kulturore – vazhdojnë të jenë temë primare e preokupim jo vetëm për albanologjinë.

Ndër përmendjet e para të Arbanonit janë nga viti 1081 tek Anna Komnena në “Aleksijaden” e saj të mirënjohur, që kanë të bëjnë me të bëmat e të atit të saj, perandorit Aleks I Komneni për mbrojtjen e Durrësit. Ajo madje, në fushatën e dytë të normanëve më 1107-1108 përmend edhe “gryka të ngushta të Arbanonit”.

Sërish në kontekst bizantin, gjysmë shekulli më vonë, vjen edhe një përmendje tjetër nga të parat mesjetare të Arbnit – nga një burim rrethanor që është ngjarja e përurimit të Katedrales ikonike të Shën Tripunit në Kotorr – ku Arbanoni është në rrënjët e fillet e saj, si koncept territorialo-etniko-administrativ.

Ndonëse, i vërejtur dhe i përmendur tashmë te disa autorë, kjo ngjarje me interes meriton një rishikim më kontekstual. Në fakt, pjesëmarrja e privilegjuar e delegacionit kishtar dhe civil e përfaqësuesve të Arbanonit në ceremoninë e katedrales së Kotorit më 1166 është më shumë sesa një gjest kurtoazie.

Ata janë aty së bashku me përfaqësuesin e pushtetit suprem të Bizantit, Iznatije – Lazarus, episcopus Arbanensis, Georgio abbate sancti Salvatoris Arbanensis, si dhe Andreas Arbanensis prior, me episcopo L/azaro/ de Arbania – që duket se flasin më tepër për një fqinj të pranuar si një entitet që përfaqësohet në nivelin më të lartë në një ceremoni më shumë se sa simbolike, si kjo e vitit 1166.

Është njëherësh edhe akti më i vjetër i ruajtur në origjinal nga Kotorri, që është përpiluar nga peshkopi Majo. Përmendet nga vetë papa Aleksandri III (1159-1181).

Në fakt, që nga një dorëshkrim Parisinus graecus 1564, мinej për muajin prill nga shek. XII që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, gjendet një shënim i tërthortë që flet për vdekjen e zyrtarin e lartë bizantin, sevastin Konstantin Duka të datës 8 prill 1179, të cilin perandori Manuel Komneni (1143–1180) e “kishte vendosur si arhig i të gjithë Diklesë, Kroacisë, Arbanias e Splitit” (τοῦτον δοῦκ(α) καὶ ἀρχηγὸν καταστής(ας) ἐπὶ πάση Διοκλήᾳ, Δαλματ(ίᾳ), Χορβατ(ίᾳ), Ἀρβαν(ίᾳ) καὶ Σπαλάθ(ρῳ)).

Arbanoni ishte parë i përfshirë gjithnjë në temën e Durrësit, por nga kjo e dhënë autori Komatina mendon se viteve ‘70 të shekullit XII kjo hapësirë ishte rivendosur në aspektin ushtarako-administrativ bizantin në një tërësi me Dioklenë, Dalmacinë e Kroacinë.

Për më tepër, siç vëren edhe ky autor, këto territore tashmë nuk ishin në përbërje të Perandorisë Bizantine por, të mbretërisë Hungareze, ndërsa Dioklea ishte nën administrimin e vendorëve.

Në fakt, ishte vetë perandori Manuel Komneni që më 1163 arriti t’i mundë hungarezët dhe të krijojë një tërësi kishtaro-administrative me status të dukatit për tërë Adriatikun lindor me seli në Split dhe më vonë ajo u spostua e u rikthye nga Spliti në Diokle dhe anasjelltas. Andaj, edhe përmendet kyr Izanacije nga kjo kohë si administrator me titullin e dukës së Dalmacisë dhe Dioklesë gjersa ajo e kishte selinë në Diokle (dux Dalmacie atque Dioclie).

Kështu mund të shpjegohet prezenca e tij si autoriteti përfaqësues suprem perandorak bizantin në ceremoninë e përmendur të celebrimit të katedrales së Kotorit më 1166.

Image
Katedralja e Shën Trifunit në Kotorr

Të veçuarit e Arbanonit nga koncepti i “tokës greke”

Paraqitja e prijësve kishtaro-administrativë të Arbanias në këtë manifestim, përkrah administratorit bizantin të Adriatikut lindor dhe përfaqësuesit të pushtetit administrativ të Kotorit së bashku me ato kishtare, në këtë mënyrë flet për një përfaqësim përtej simbolikës. Kjo do të thotë se Arbni në treçerekun e shekullit XII ishte njësi e ndarë nga dukati i Durrësit dhe ishte një entitet i veçuar administrativ më vete në kuadër të një sistemi më të gjerë perandorak.

Këtë tezë Komatina e mbështet edhe me një argument tjetër rrethanor, atë të kartës së Stefan Nemanjës nga Hilandari që më 1198, kur thotë se ka marrë nga “Arbanasi dy Pultet”, ndërsa nga “toka greke” hapësirat e caktuara (Llapin me Lipjan, Duboqicën, Zagrllaten, Levce, Lepenicen, Belicen) dhe nga bregdeti toka të tjera (Zeta e të tjera). Të veçuarit e Arbanonit nga koncepti i “tokës greke” e bënë atë si një akter të veçantë politik në kuadër të Perandorisë Romeje.

Për më tepër, mendohet se Andreas Arbanensis prior këtu përfaqëson pushtetin laik të Arbanonit, që sipas Komatinas gjendej në Krujë.

Andrea këtu kishte simbolikën e pushtetit vendor të Arbanonit, sikurse prior Vita aty prezent që përfaqësonte Kotorin apo kyr Izanatije pushtetin qendror bizantin.

Në fakt, në këtë mënyrë Arbni regjistrohet si një njësi administrativo-gjeografike me kuptim etnik që para se të etablohej Principata e parë e Arbërit nën Progonin, Gjinin e Dhimitrin. (Demetrius Dei gratia panyperseuatos et manus archon; nobili Demetrio Arbanensi principi; Dametrius judex Albanaorum; áποιχομένου υρχοντος τοϋ Αρβάοου Γίνη τοϋ Προγόνου).

Prezenca e këtyre dinjitarëve në një ceremoni me rëndësi si kjo e promovimit të Katedrales së Kotorrit më 1166 përfshin autoritete që janë brenda kësaj njësie perandorake të Adriatikut lindor.

Bizanti kishte etabluar diplomacinë edhe përmes shtrirjes dhe distribuimit simbolik të relikvijarëve dhe kulteve të shenjtorëve në arealin e grykës së Otrantos dhe në basenin e Adriatikut, nga Venediku, Zara e Kotorri, që prej shekujve IX-XI.

Shën Trifuni me origjinë nga brendësia e Frigjisë, i vrarë në Nike, ishte kult i nderuar i familjes perandorake në Kostandinopojë. Në fakt, rrënjët e shpërndarjes së tij janë që nga Justiniani, kur sërish kishte rivendosje të kontrollit të Adriatikut nga Bizanti.

Një rivalitet në Adriatik ishe shënuar në mesjetë të hershme dhe në mes të bizantinëve dhe shtetit të Karlit të Madh.

Më vonë, do të jenë benediktinët, që nga Italia jugore nën Bizant, do të shtriheshin edhe në Adriatikun lindor, sidomos në Zetë e Shqipëri të veriut – ku fortifikuan katolicizmin.

Image
Qyteti i vjetër i Kotorrit në Mal të Zi

Ndikimi unik në Zetë e në Shqipëri Veriore

Kotorri së bashku me Dalmacinë, për një kohë të gjatë, kishin qenë nën administrimin bizantin që e pranonte autoritetin e tij qendror, por në aspektin kishtar ishte prore nën patronazhin e Romës dhe kjo nganjëherë harrohet. Në mesjetën e hershme në Zetë dhe në Shqipërinë Veriore një varg qytetesh të mbrojtura me mure rrethuese që ishin qendra peshkopale nën juridiksionin e Romës, sikurse Arbanum, Baleco, Drishti, Danja, Shasi, Sapa, Sarda, Shkodra e të tjera. Benediktinët u vendosën në këto hapësira duke rindërtuar kishat e shkatërruara paleokrishtere për të forcuar kontinuitetin e prezencës, por mbaruan edhe manastire të reja në vende të dukshme, ku kalonin rrugë të rëndësishme që lidhnin qytete, sikurse manastiri i Ratacit nga Sutomore, rrugës për Tivar, apo Shën Mihalin në Prevllakë dhe manastiret në ishujt e Bokës së Kotorrit, pranë Tivatit apo Perastit, që njëherësh janë ngrehinat më të hershme benediktane në këto hapësira. Ata ndërtuan edhe manastiret në vetë qytetin e Kotorrit (Shën Benedikti te muret veriore afër lumit Shkurda dhe Shën Pjetri afër via publica) dhe siç e pamë edhe në shumë hapësira në Shqipërinë Veriore. Këto manastire ishin ndërtuar edhe në qytete të Arbanumit më afër bregdetit si në ujdhesën e Ulqinit të Vjetër apo Manastirin e Shën Nikollës në grykëderdhjen e Bunës, Shën Joanin në Shtoj dhe Shën Aleksandrin e Shën Sofia, Shën Pali si qendër episkopale e Pultit të Epërm, por edhe më thellë në veri deri në Mirditë si në Rubik e Orosh.

Topografia sakrale benediktine që nga bregdeti lindor i Adriatikut nga fjordi Boka e Kotorrit e deri te Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna e deri në brendi të maleve të Shqipërisë Veriore flet qartazi për një rol të shtrirë e me ndikim gati unikal të tyre në Zetë e në Shqipëri Veriore.

Në fakt, kjo periudhë e hershme e krishterimit i bën benediktanët të jenë me mjaft rol në historinë e krishterimit në Zetë e në Shqipërinë Veriore deri nga shekulli XII, duke i ndërlidhur në një konstelacion këto hapësira me katolicizmin.

Klerikët me origjinë shqiptare në Kotorr

Një numër i konsiderueshëm i klerit katolik me origjinë shqiptare është historikisht prezent në Kotorr, madje, edhe në poste më të larta, siç ndodh me peshkopin Thomas (1334 – 1344) me origjinë nga Ulqini. Pasi që kishte kaluar kohë të konsiderueshme si peshkop i Ulqinit, atij papa i kishte pranuar faljen nga pagesa e servicijeve, duke e titullar si frater Thamoas, episcupous Catharensis in Sclavonia.

Po kështu, vetëm katër vjet më vonë, peshkop i Kotorrit u bë edhe Bartolomeu (1348-1349), i cili ndenji vetëm një vit në këtë post, pasi që nga papa Klimenti VI u emërua për peshkop në Trogir të Dalmacisë, më 1349. Për Bartolomeun papa Klimenti VI i kishte shkruar car Dushanit se janë miq, familiater notus. Sipas Farlatit, Bartomoleu ishte pjesë e luftës kundër herezisë në Rashkë, Shqipëri, Sllavoni së bashku me argjipeshkvin e Durrësit Antonin dhe argjipeshkvin e Dubrovnikut, Ilija Saračić.

Më vonë, gjatë kohës së peshkopit të radhës, Adamit (1349-1352), ndërlidhet një fakt interesant, kur peshkopi shqiptar Laurus e shenjtëron altarin e Kishës së Shën Gjergjit në Perast. Pas 24 vjetësh, në krye të peshkopatës së dioqezës së Kotorrit vihet Beranardi (1374-1375) që vinte nga Drishti, i cili qëndroi aty shkurt, vetëm një vit. Bernardi u trashëgua në këtë post nga domenikani që vinte nga Durrësi, Ivani apo Gjoni (1375-1397).

Për të, Blehova-Čelebić nuk përjashton mundësinë të ishte në lidhje direkte me të zotin e Durrësit, Gjergj Topiajn, si dhe me kryesuesin e provincës domenikane të Hungarisë, Dominik Topiajn.

Argjipeshkvi i Tivarit i angazhuar nga Skënderbeu

Argjipeshkvi i Tivarit, Andreu, që ishte në krye të kësaj qendre më të rëndësishme katolike përreth, gjatë viteve 1448-1460, u angazhua nga Skënderbeu për disa shërbime diplomatike. Ai ishte me origjinë nga Mula në Bokë të Kotorrit. Ishte françeskan dhe teolog në Zarë para se të merrte postin me rëndësi si argjipeshkëv.

Gjergj Pelini është prift dhe diplomat që ka tërhequr vëmendjen e historianëve dhe rrjedhimisht për të është shkruar shumë, marrë parasysh aktivitetin e tij kompleks. Por këtu do t’i referohemi vetëm në kuadër të temës që ka të bëjë me Kotorrin e shqiptarët.

Në fakt, organizmi administrativ i Adriatikut lindor që përfshin Dioklenë, Kroacinë, Arbanian e Splitin – i ngjanë një njësie administrative bizantine që mbeti edhe kur ajo më nuk kishte kontrollin efektiv në tërë këtë hapësirë.

Me kalimin e Kotorrit nga kontrolli bizantin në atë serb, comes (knez) i Kotorrit, si i pari i qytetit – tani zgjidhet apo me mirë thënë konfirmohet nga pushteti tjetër qendror. Kjo shihet edhe nga Statuti i qytetit, kreu XXIII:

Statuimus firmiter faciendo quod dominus comes, qui pro tempore ad civitatem Cathari domini nostri excellentissimi regis Rasciae, Diocliae, Albaniae, Croaciae et Celmie atque totius Maritime regionis venerit ex mandato in contione publicha secundum antiquam consuetudines civitatis Cathari ad campanarum sonitum congregate etc.

Image
Katedralja e Shën Trifunit rreth vitit 1910

Albania si nocion i dallueshëm

Ndonëse Albaniae këtu është përfshirë si nocion i dalluar gjeografik te titulli mbretëror i Rashkës, ajo sërish e ruan kuptimin e veçuar e të dallueshëm të një tërësie jo vetëm gjeografike.

Sërish, në shekujt në vijim, në një formë tjetër, Albania vjen si nocion i dallueshëm, tani i një njësie titullare gjeografiko-adminstrativo-territoriale me kuptim edhe më të gjerë.

Tani Kotorri dhe Shqipëria Veriore, pra Arbëria, u përfshinë sërish nën një njësi administrative, këtë herë në “Albanian Venciane” apo e njohur edhe si Albania Ventiana apo Dalmatia at Albania. Ajo vazhdoi si e tillë madje edhe pas vitit 1571, kur këto hapësira nga Durrësi deri në Ulqin ranë nën osmanët. Venediku ruajti edhe me tutje këtë emërtim deri në fund të ekzistencës së saj më 1797. Qendra e Dalmatia at Albania ishte me providurin e saj gjeneral me seli në Zarë.

Në këtë periudhë veneciane, Boka Kotorrit lidhet me shqiptarët edhe me histori kulturore. Ndërlidhja e një personaliteti nga Boka e Kotorrit me shqiptarët është e një rëndësie të madhe për historinë e këtyre kontakteve. Bëhet fjalë për (Vincencio) Vicko Zmajevic i lindur në Perast, afër Kotorrit (23.XII 1670) dhe vdekur në Zarë (11.IX.1745). Ai ishte peshkopi i Tivarit që ka organizuar episodin tejet të rëndësishëm për historinë dhe gjuhën shqipe – Koncilin e njohur të Arbnit, në Mukje më 1703, në kohën e papa Klimentit, me prejardhje shqiptare. Është edhe një moment që e ndërlidh peshkopin Zmajevic me shqiptarët. Ai është njeriu që ka mundësuar shpërnguljen e arbneshëve nga rrethinat e Liqenit të Shkodrës dhe të Krajës në Zarë dhe ka organizuar vendbanimin e tyre që edhe sot ekziston si Arbanasi (Arbneshi) dhe ka ndihmuar komunitetin arbëresh me të holla të veta që të krijojnë kishën e tyre kushtuar zonjës së Loretos, që edhe sot qëndron si simbol i tyre.

Lidhja e shqiptarëve me Bokën e Kotorrit

Lidhja e shqiptarëve me Bokën e Kotorrit është shumë më e thellë në shumë lëmi – por, ky nuk është objekt direkt i trajtimit tonë këtu.

Mbështetur në këtë logjikë historike-juridike, duhet parë më vonë edhe këtë njësi tjetër administrative venedikase për këtë pjesë të Adriatikut lindor – si Albania Ventiana apo Dalmatia at Albania, madje edhe kur ajo nuk e kontrollonte më Shqipërinë, pas vitit 1571.

Në fakt, Venediku përmes përpjekjes për të trashëguar këtë emërtim historik të një njësie të etabluar administrativo-territoriale, synon një legjitimitet historik mbi këto hapësira, si trashëgimtare romako-bizantine mbi Adriatikun lindor.

Ngjarja e përurimit të katedrales në Kotor më 1166 është ndër përmendjet më te vjetra dhe konceptuale të Arbanonit, por – e zbërthyer më tej në një konstalacion të këtillë historiko-adminstrativ – është edhe më shumë sesa kaq. Është pra, edhe një trashëgimi më e gjerë e një përkatësie trashëguese e civilizimit romako-bizantino-vendikas.

Dhe kjo duket si një storie e harruar.

Fusnotat janë hequr nga Redaksia e KOHËS.

/Koha net/

By admini