
Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 115 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe. Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.