Nga Gjekë Gjonaj
Në Mal të Zi disa shkolla fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe edhe sot vazhdojnë të mbajnë emra nga periudha e hershme e komunizmit. Këtë realitet të hidhur të shqiptarëve e dëshmojnë shkollat shqipe më të mëdha në komunat me shumicë shqiptare në Tuz (Malësi) dhe në Ulqin, si: SH.M. “ 25 Maji”, SH.F. “ Mahmut Lekiq” , SH.F. “ Bashkimi”- Skorraq (Hot), SH.F.. “ Marshall Tito” , SHF. Boshko Strugar” dhe SH.M. “ Vëllazërim -Bashkim”.
Në rrethana të sotme ky fenomen ideologjik nga koha e komunizmit për shkollat shqipe në këtë shtet do të duhej të ishte një histori e kaluar. Që kjo nevojë e kohës të bëhet realitet nevojitet një guxim më i madh, në radhë të parë i të gjithë atyre titullarëve, mësuesve, arsimtarëve, administratorëve dhe prindërve shqiptarë. Nisma duhet të fillojë pikërisht nga shkollat dhe ato të mbështeten nga drejtuesit e komunave dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi. Të gjithë së bashku do të ishte mirë që të kërkojnë zëvendësimin e emërtimeve të shkollave të përmendura me personalitete të mëdha nga fusha e arsimit kombëtar, siç është padyshim edhe Mirash Ivanaj (Ujkaj), kryereformatori dhe ikona e arsimit shqip. Përse ndonjë shkollë shqipe në Mal të Zi të mos mbajë emrin e tij? Le të jetë ky shkrim modest një shprehje mirënjohjeje e falënderimi për këtë figurë kombëtare në prag të 70 vjetorit të vdekjes së tij dhe për të gjithë personalitetet e tjera të shquara shqiptare që janë të angazhuar në misionin e shenjtë e historik kombëtar – mision që ringjalli shpresat e shqiptarëve dhe e mbajti të ndezur zjarrin e atdhedashurisë.
Nga jeta fëmijërore, shkollore dhe studentore
Mirash Ivanaj u lind më 12 mars 1891 në Podgoricë. Prindërit e tij nga fshati Bëkaj të Trieshit për arsye ekonomike u shpërngulën nga fshati në qytetin e Podgoricës. Ata, edhe pse të pashkolluar, e dinin vlerën e shkollës, prandaj në mungesë të shkollave shqipe vendosën që fëmijët e tyre Mirashin dhe Martinin t’i shkollojnë. Kështu vëllezërit Ivanaj shkollimin fillor e përfunduan në Podgoricë , në gjuhën serbe me sukses të shkëlqyer, mirëpo ata paralelisht e mësuan gjuhën e shkruar shqipe me ndihmën e një meshtari vendas. Kjo tregon për pjekurinë atdhetare dhe rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe të prindërve të Mirash dhe Nikollë Ivanajt, të cilët fëmijët e tyre i edukuan në frymën e dashurisë ndaj trojeve shqiptare. Mirashi përfundoi gjimnazin klasik në Pozharevac ( Serbi) për të vazhduar më pas studimet në Beograd dhe në Universitetin Mbretëror të Romës, për filozofi dhe drejtësi, ku kishte mbrojtur dy doktorata shkencore, për letërsi dhe drejtësi, duke u vlerësuar si një ndër studentët më të mirë të këtij universiteti. Ai gjatë shkollimit të tij arriti të zotërojë 11 gjuhë të huaja.
Largimi nga Roma dhe kthimi në Shqipëri
Edhe pse autoritetet italiane të asaj kohe i propozuan Dr. Mirash Ivanajt të qëndronte me punë në njërin nga universitetet e Romës , ai nuk e pranoi këtë ofertë, sepse në shpirt i flinte zëri i Atdheut , i cili e thërriste të kthehej për të punuar me përkushtim për popullin e tij në Shqipëri. Ivanaj pa mëdyshje u kthye në Shqipëri në korrik të vitit 1923, pas dhjetë vjetësh studime intensive në Romë. Në fillim u vendos në Shkodër, ku angazhohet në gazetën “ Republika”, të cilën e drejtonte xhaxhai i tij, Nikollë Ivanaj, si gazetar, korrektor gjuhësor, radhitës, punëtor shtypshkronje dhe drejtor juridik i saj. Mirash Ivanaj si drejtor juridik i kësaj gazete u dallua për nivelin saj intelektual dhe për guximin politik të shprehur në të. Që në numrin e parë në gazetën “Republika” ai shpalli programin e saj me 11 pika dhe në 30 numrat që u botuan në atë kohë, u shpalosën idetë e lirisë, të demokracisë dhe të shqiptarizmës, duke e bërë atë gazetë një tribunë të vërtetë të çështjes kombëtare dhe sidomos të arsimit dhe shkollës laike shqiptare.
Dr. Mirash Ivanaj ka punuar në arsim si profesor dhe drejtor i Gjimnazit Shtetëror në Shkodër ( 1925-1930) . Gjatë punës së tij pesëvjeçare në gjimnazin e Shkodrës, me përgatitjen dhe aftësinë e tij të gjithanshme ka qenë shembulli më i mirë i mësuesit, edukatorit dhe drejtuesit, që ka pasur ai gjimnaz që nga krijimi i tij. Por, arritja më e madhe për gjimnazin e shtetit në Shkodër ishte se ai mori dimensionet e një shkolle kombëtare, duke i dhënë përparësi shkollës shqipe dhe ky fakt është domethënës. Mirash Ivanaj ka edhe një meritë tjetër, sepse në kuadër të këtij gjimnazi në nëntor të vitit 1926 hapi edhe një degë të pedagogjikes për përgatitjen e mësuesve të arsimit fillor, që për atë kohë ishin shumë të nevojshëm sidomos për zonat e Veriut të Shqipërisë. Më pastaj ky intelektual i jashtëzakonshëm, me një kulturë të gjerë, me një karakter të fortë malësori dhe me një kapacitet të rrallë shkencor për më se dy vjet ka punuar si profesor në gjimnazin e Tiranës. Për të gjitha këto dhe arsye të tjera, Mbreti Zog, në vitin 1933, e emëroi ministër të Arsimit. Ministri Ivanaj u shqua veçanërisht për reformën e arsimit në Shqipëri. Ai brenda një kohe të shkurtër dyvjeçare u vlerësua si ministri më vizionar, më doktrinar e më reformator nga më të mirët e asaj kohe.
Jeta në arrati
Mirash Ivanaj ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Arsimit në Shqipëri më 30 gusht 1935, pastaj është emëruar Kryetar i Këshillit të Shtetit, edhe këshilltar i mbretit Zog, kur kryeministër ishte, Mehdi Frashëri, punë të cilën e ka kryer deri më 6 prill 1939. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë nga Italia, më 9 prill 1939, ai i zhgënjyer dhe i tradhtuar nga pushteti, si anti-italian që ishte, për të shpëtuar nga ndjekjet, u detyrua të largohet me ngut nga Shqipëria dhe mori arratinë në Greqi e, prej këndej, në Stamboll. Në kërkim të një pune, udhëtoi në Liban, Egjipt, Izrael e vende të tjera.
Rikthimi në Shqipëri dhe dënimi i dhimbshëm
Njohësit e mirë të jetës dhe veprës së Dr. Mirash Ivanajt kanë shkruar se ai më naivitetin e një malësori dhe “besës shqiptare” rikthehet në Tiranë ( Shqipëri) me synimin që të bëjë diçka të mirë për shtetin e tij, por shteti komunist e dënoi 7 vjet me burg politik dhe 5 vjet humbjen e të drejtave politike dhe konfiskimin e pasurisë . Pas më shumë se 6 vjet vuajtjesh e mjerimi , i harruar dhe shëndetlig , ai vdiq në “spitalin” e burgut të Tiranë, më 1953, vetëm pak ditë pa e mbaruar dënimin e dhimbshëm , të rëndë dhe të pa merituar.
Historia nuk do të na e falë lënien në harresë të Mirash Ivanajt
Është për të ardhur keq se sa shpejt i kemi harruar personalitetet e shquara të kombit shqiptar. Rasti i Dr. Mirash Ivanajt është shembull për të keq edhe për shqiptarët e Malit të Zi, të cilët deri më sot pothuaj nuk kanë bërë asgjë në nderim të kësaj figure tonë madhore , këtij intelektuali, misionari, mësuesi, pedagogu, juristi, përkthyesi, poligloti, enciklopedisti, publicisti, ministri, veprimtari politik e shtetari, i cili tërë jetën e tij punoi në shërbim të popullit dhe vendit të tij. Historia nuk do të na e falë lënien në harresë, si deri tani, të këtij personaliteti të shquar shqiptar, i cili ka bërë emër me vlerat dhe kontributin e tij njerëzor e shkencor, në të mirë të shqiptarëve.