Komuna e Ulqinit është e pasur me trashëgimi kulturore (peizazhe kulturore), kështu që përveç objekteve dhe enteve të mbrojtura me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore, këtu hasim në një përmbledhje të lokacioneve arkeologjike, objekteve ambientale dhe strukturave individuale që dëshmojnë për jetën në këtë zonë. Zona e ullishtës së Ulqinit është një trashëgimi jashtëzakonisht domethënëse dhe e vlefshme kulturo-historike dhe natyrore e qytetit të Ulqinit dhe Malit të Zi, e cila dëshmon për ndërveprimin harmonik dhe të ekuilibruar mes njerëzve dhe natyrës që ka mbijetuar gjatë një periudhe relativisht të gjatë shekullore.
Modelet unike tradicionale të përdorimit të tokës në mirëmbajtjen e ullishtave në këtë zonë kanë evoluar në ekuilibër me peizazhin e tyre, kështu që sot kjo ullishtë përfaqëson një njësi unike ambientale me kompleksin më të madh të ullinjve në Mal të Zi.
Trashëgimia kulturore, e cila ndahet në materiale dhe jomateriale, është shprehje e besimeve, aspiratave, vlerave, arritjeve dhe përvojave të njerëzve në një territor të caktuar dhe për rrjedhojë paraqet burim njohurish për një bashkësi të caktuar njerëzore dhe më gjerë.
Shkatërrimi dhe transformimi i peizazheve kulturore mijëravjeçare, si Ullishta e Ulqinit, është një problem kompleks që po ndodh në komunën e Ulqinit dhe po përshpejtohet dita-ditës, duke prekur mjedisin, identitetin dhe trashëgiminë kulturore të komunës së Ulqinit.
Ky proces ndikohet nga shumë faktorë, kryesisht nga ndikimi njerëzor. Ndërtimi dhe urbanizimi i shpejtë po shkatërrojnë strukturat dhe mjedisin autentik të trashëgimisë kulturore të ullishtës. Ndërtimi i objekteve, rrugëve të reja dhe infrastrukturës tjetër urbane shkatërrojnë dhe ndikojnë në peizazhin origjinal historik.
Turizmi është një burim i rëndësishëm ekonomik për Ulqinin, valorizimi turistik i viteve te fundit në këtë hapësirë po shkatërron asete trashëgimore. Këto ndërhyrje rrezikojnë humbjen e traditës shekullore, peizazhit kulturor dhe unik, dhe në vijim me gjithë këto ndryshime përfundimisht do humbet dhe kultura e jetesës së komunitetit lokal.
Për të ruajtur dhe mbrojtur peizazhet kulturore mijëravjeçare, është e rëndësishme të përdoren politika dhe mjete të ndryshme ligjore. Gjithashtu, bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi i popullatës për rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore mund të ndihmojë në parandalimin e shkatërrimit dhe transformimit të këtyre peizazheve të çmuara.
Me këtë anketë dëshirojmë të shqyrtojmë së bashku me ju këto sfida dhe ndryshime që po ndodhin në ullishtën e Ulqinit, e cila paraqet peizazhin unik kulturor të qytetit tonë.
Hap linkun e meposhtem per te plotesuar anketën.