Nga Hajrulah Hajdari
Vullneti i popullit është kategori relative politike, i cili shfaqet sa herë në një shtet organizohen zgjedhjet për pushtetin qendror, thuaja gjithmonë i ndryshuar apo i evoluar. Pra, qytetarët, “flasin” dhe shprehin vullnetin e tyre zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, ndërsa atë ditë politikanët heshtin. Pas shpalljes së rezultateve të shfaqjes së këtij vullneti politik, ata e respektojnë këtë zgjedhje dhe e bëjnë apo e organizojnë pushtetin në nivelin qendror në përputhje të plotë me votën e lirë, pa marrë parasyshë se çfarë konfiguracioni të ri të skenës politike kanë prodhuar. Sipas Kushtetutës të Malit të Zi Kuvendin e përbëjnë deputetët që zgjidhen drejtpërdrejt, në bazë të së drejtës së përgjithshme dhe të barabartë, çka do të thotë se vota e çdo deputeti është dhe duhet të trajtohet e vlerësohet në mënyrë të barabartë. Ndaj, vota e asnjërit deputet nuk mund të ketë peshë më të madhe se e ndonjë deputeti tjetër, sikurse as votat e ndonjërit koalicion para ose paszgjedhor nuk mund të vlerësohet apo të cilësohet më i vlefshëm se i ndonjë tjetër koalicioni. Për këtë arsye, Kuvendi i Malit të Zi nuk ushtronë vullnetin e tij të lirë, por populli sovran shpreh vullnetin e tij nëpërmjet një organi përfaqësues (Kuvendi) që kryen “vullnetin e popullit”, që do të thotë se ka të drejtë ligjore për ushtrimin e pakufizuar të pushtetit. Ky është një diktat i popullit dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë liderët, partitë dhe koalicionet politik, të cilat muarën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2023 dhe siguruan vend në Kuvend.
- Rrezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit 2023 deligjitimojnë “vullnetin e popullit” të 30 gusht 2020
Në rastin sikurse në Mal të Zi, ku asnjë parti politike apo koalicion politik, nuk e ka shumicën për formimin e qeverisë atëherë cilado parti apo koalicion politik që siguron së paku minimumin e nevojshëm të votave popullore (41 deputetë) ka të drejtë të formojë qeverinë. Kushtetuta e Malit të Zi në këtë drejtim është e ngurrtë dhe nuk ofron ndonjë zgjidhje konkrete! Në rastin konkret Millojko Spajiq, i cili ka mandatin e presidentit të Malit të Zi për krijimin e qeverisë së 44-të, është i detyruar që të ndjekë vullnetin e votuesëve të partisë e cila fitoi më së shumti mandate dhe vullnetin e partive apo koalicioneve që e përkrahin qeverinë e propozuar nga ai. Insistimi i krijimit të qeverisë së 44-të “sipas vullnetit të popullit” të dalë nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020, pra të përbërë vetëm nga ato parti, do të thotë se vetëm vullneti i partive politike pro-serbe na qenka “vullnet i popullit” në Mal të Zi, ndërsa “vullneti” i pjesës tjetër të popullit s’është më rëndësi. Por çe do kur 24 dhe 13 nuk bëjnë dot 41. Mandiqi dhe të gjithë të tjerët duhet të dijnë se “vullneti i popullit “ të shprehur më 30 gusht 2020 ka marrë fund dhe nuk ekziston më, as teorikisht e aq më pak politikisht. Ai vullnet u shfuqizua në zgjedhjet e 11 qershorit 2023 edhe për faktin se “Fronti Demokratik” tani më i shndërruar në koalicioin“Bashkë për të ardhmën e Malit të Zi” fitoi vetëm 13 mandate, pra në këndëvështrimin tonë u sankcionua nga vetë vullneti i popullit të tyre! Pra, për cilën vullnet të popullit ngrisin zërian ata!?
- “BAMZ”-ja në zgjedhje nuk ka konkuruar si parti nacionale
“BAMZ”-ja ligjërisht nuk mund të jetë përfaqësuese e popullit pakicë serb në Mal të Zi sepse në zgjedhje nuk ka garuar si subjekt i popullit pakicë por si parti politike e veçantë, pra si të gjitha të tjerat. “Vullnet i popullit” në rastin konkret, dhe kur do herë, është shumica e thjeshtë me 41 deputetë. Në këtë numër mund të përfshihen “Evropa Tani” Demokratët dhe SNP-në që përbënin “vullnetin e popullit” në zgjedhjet e 2020 dhe në zgjedhjet e 2023, natyrisht edhe partitë e popuve pakicë në Mal të Zi, që arritën të kenë numrin më të madh të deputetëve në dy dhjetë vjetët e fundit, përkundër ligjit zgjedhor diskriminues për pakicat! Dhe pikërisht, kjo mund të jetë “vullneti i ri i popullit” pa pjesëmarrjen e të cilëve nuk duhet të krijohet qeveria e 44-të. Diskutabile mund të jetë vetëm mospjesëmarrja e lëvizjes URA, synimet programore të cilës lehtë mund të përfshihen në përbërjen e qeverisë së re. Ndaj kushdo që krijon një shumicë të tillë gëzon të drejtën ligjitime për krijimin e qeverisë.
- Çfarë qeverie i duhet Malit të Zi!?
Nga ana tjetër, duhet të jemi të qartë dhe të ngremë zërin se krijimi i qeverisë vetëm sipas “vullnetit të popullit serb” të shprehur në këtë volum në zgjedhjet e fundit do të ishte vjedhje, nënçmim apo nënvlerësim i votës tjetër në Mal të Zi, që në rastin konkretë është në shumicë. Deklarata e Mandiqit se “nuk do të lejoj që tajkunet të vjedhin vullnetin e popullit dhe të krijojnë qeverinë” është e rrezikshme për demokracinë dhe të ardhmën e Malit të Zi. “BAMZ”-ja me presione, daljen në rrugë apo mitingje nuk mund të ndërrojë vullnetin e popullit, ai është përcaktuar në zgjedhjet e organizuara më 11 qershor.
Malit të Zi i duhet një qeveri pro-evropiane dhe një pushtet i fuqishëm ligjor. Ruajtja e integritetit shtetëror, synimi i hyrjes sa më të shpejtë në BE, përkrahja e NATO-së dhe qëndrimeve të saja në lidhje me luftën në Ukrainë, rrespektimi i vendimit të qeverisë së Malit të Zi për Kosovën, rrespektimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe zhvillimi i barabartë dhe i qëndrueshëm ekonomik duhet të jenë shtyllat kryesore të qeverisë së ardhshme. Bazuar në takimet dhe aktivitetet e mandatarit Millojko Spajiq pas bisedimeve me partitë parlamentare, mendohet se tashmë i ka të qarta qëndrimet e partive politike që i përkrahin principet e përmendura sikurse i ka të qarta edhe qëndrimet e koalicionit “BAMZ” së të udhëhequr nga Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq. Udhëheqësit e këtij koalicioni në vazhdimësi janë shprehur se po sa të vijnë në pushtet do të shqyrtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, do të tërheqin njohjen e Kosovës, veprim të cilin tash më e kanë nisur në komunën e Gollubovcit apo Zetës! “Kasapi i Ballkanit” Millosheviqi dhe kriminelet e luftës Mlladiq dhe Karaxhiqi janë idhuj të tyre ndërsa krimin e ushtrisë serbe në Srebernicë nuk e konsiderojnë dhe as e përjetojnë si gjenocid apo krim të luftës! Po ashtu mendon edhe mentori i tyre Vuçiq.Mendohet se “Fronti Demokratik” dhe tani “BAMZ”-ja ishin dhe janë nën kontrollin e e këtij të fundit. Mandatari Spajiq duke folur për pjesëmarrjen e “BAMZ”-së në qeveri deklaroi se u ka ofruar përveç të tjerave Ministrinë e Arsimit. Sikurse të mendonin për popullin serb, të cilët sipas tyre në Mal të Zi janë të diskriminuar, ata do të duhej të pranonin më dëshirë e pa hezitim këtë propozim. Por ata e dinë mirë se populli serb nuk është i diskriminuar por i previligjuar në Mal të Zi.
- Fuqizimi i mëtejshëm i kërkesave të “BAMZ”-së- ushtrim i kontrollit të Serbisë ndaj Malit të Zi
Në Fondin për ruajtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi, krijuesit serb, si popull pakicë!!! marrin pothujse gjysmën e mjetëve financiare të parapara për financimin e projekteve për përkrahje të aktiviteteve nga neni 36, paragrafi 1 i Ligjit mbi të Drejtat dhe Liritë e Pakicave në Mal të Zi. Në këtë rast serbët ndaj malazezëve janë të priveligjuar, por janë të previligjuar edhe ndaj pakicave tjera në Mal të Zi. Sa është kjo e drejtë!? Pra, ata nuk mendojnë për pozitën e popullit serb në Mal të Zi, thjeshtë ato mendojnë për interesat personale e natyrisht të Beogradit. Fuqizimi i mëtutjeshëm i partive serbe në Mal të Zi ndaj të tjerëve do të thotë, ndër të tjera, të mundësosh ushtrimin e kontrollit indirekt të Serbisë ndaj Malit të Zi. Më sa jam në dijeni “BAMZ”-ja institon të udhëheqë me resurset energjetike, komunikacionin dhe bujqësinë. Asgjë të re në këtë drejtim sepse ky insistim i tyre është i qartë dhe i nxjerrë zbuluar qëllimet e tyre që në një të ardhme jo të largët resurset kryesore dhe strategjike ekonomike t’i vendosin në shërbim të Serbisë, veprim i cili do të rrezikonte integritetin shtetëror të Malit të Zi!
- Pjesëmarrja e shqiptarëve në qeveri duhet të rregullohet me Kushtetutë
Presidenti Millatoviq ka shprehur mendimin se qeveria duhet të përbëhet nga përfaqësuesit e të gjithë popujve në Mal të Zi. Ashtu duhet të mendojmë edhe ne shqiptarët. Partitë politike më lart të përmendura, për krijimin e qeverisë,, në radhët e tyre kanë përfaqësues të popullit malazez, serb, boshnjak, shqiptar dhe kroat dhe në këtë mënyrë shprehin vullnetin real të popullit. Pra, edhe sikur “BAMZ”-ja të ketë garuar si parti nacionale, siç shihet, ajo s’është e vetmja parti politike që përfaqësonë serbët në Mal të Zi. Ambasadorja e SHBA-së në Mal të Zi, zonja Rejnke ditë më parë deklaroi se koalicionin “BAMZ” nuk e shohin si partner bashkëpunues, që indirekt do të thotë se ky koalicion nuk duhet të jetë pjesë e qeverisë, jo për emrin e tyre por për qëllimet dhe veprimet e tyre që nga themelimi deri në ditët e sotme! “BAMZ”-ja pjesëmarrjen në qeveri duhet të shikoje përmes ridefinimit publik të qëndrimeve dhe veprimeve poplitike të saja. Ata nuk duhet të bien ndesh me aspiratat integruese evro-atlantike të Malit të Zi dhe synimet e shumicës për arritjen në Brisel në një kohë sa më shkurtër.
Partitë politike shqiptare nuk kanë çfarë të mendojnë, më pa tjetër duhet të jenë pjesë e qeverisë dhe kjo duhet të shndërrohet në dukuri.. Duhet të jetë detyrë parësore e deputetëve shqiptarë që këtë kërkesë të adresojnë sa më shpejt e më integritet të plotë në vendin e duhur. Kjo çështje duhet të rregullohet më Kushtetutën e Malit të Zi.