Nga Gjekë Gjonaj
Mëngjesi i 9 shtatorit 2006 solli shqetësim, trishtim dhe torturë të frikshme te popullata e Malësisë. Pikërisht atë mëngjes, në ditën e themelimit të subjektit të parë politik të shqiptarëve -Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, një ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Mal të Zi, u krye aksioni famëkeq policor i pushtetit malazez “ Fluturimi i Shqiponjës”. Forcat policore të armatosura deri në dhëmbë bastisën shtëpitë dhe banesat e malësorëve. Në atë operacion policor u arrestuan 17 të dyshuar, në mesin e të cilëve ishin katër shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, për planifikimin e “kërcënimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Malit të Zi”.
Keqtrajtime, tortura e fyerje
Sipas dëshmive rrëqethëse të të burgosurve, ata u rrahën dhe u prangosën, nga pjesëtarët e Njësisë Speciale Terroriste të Malit të Zi, befasisht në gjumë dhe tek të afërmit e tyre. Gjatë rrugës deri në bodrumet e policisë, në paraburgim dhe në burg, me rastin e sjelljes te gjyqtari hetues dhe në vetë hapësirat e gjykatës, kanë pohuar malësorët e pandehur, janë keqtrajtuar në aspektin fizik dhe psikik, janë fyer mbi baza nacionale dhe fetare, madje nuk kanë munguar as tortura ndaj familjarëve, personave të moshuar dhe të pafuqishëm dhe fëmijëve të tyre. Policia më pas pretendoi se terroristët e arrestuar dhe disa pjesëtarë të UÇK-së kishin planifikuar të hynin në territorin e Malit të Zi në ditën e zgjedhjeve dhe të kryenin aksione terroriste në Tuz dhe Malësi
51 vjet heqje lirie për 17 malësorë “ terroristë”
Pas gati dy vitesh, Gjykata e Lartë në Podgoricë ( gjykatësi Ivica Stankoviq) dënoi të gjithë malësorët të akuzuar për “përgatitje të aksioneve terroriste dhe shoqërim me qëllim të veprimeve antikushtetuese” me nga dy e gjysmë deri në gjashtë vjet e gjysmë, ose gjithsej 51 vjet burg. Sipas aktgjykimit, nga mesi i vitit 2004 deri në shtator 2006, ata kishin planifikuar dhe përgatitur aksione terroriste me qëllim krijimin e një rajoni të veçantë shqiptar në Mal të Zi.
Disa parti shqiptare akuzuan qeverinë në atë kohë se po përpiqej të “disiplinonte” Malësinë dhe shqiptarët, sepse pasi votuan për pavarësinë e Malit të Zi në referendumin e 21 majit, ata vendosën të votojnë për partitë e tyre kombëtare dhe jo për koalicionin qeverisës, duke e vlerësuar këtë operacion si një proces të inskenuar politik. Pretendimet se aksioni i policisë ishte i lidhur me presionin ndaj votuesve u mohuan nga zyrtarët më të lartë malazezë, duke deklaruar se ishte “i domosdoshëm”. Gjykata e Strasburgut në vitin 2015 ka vendosur në favor të 7 malësorëve të arrestuar të cilët në atë aksion paditën shtetin e Malit të Zi dhe detyroi atë t’i dëmshpërblejë.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dhe deputeti i LDSH-së, Nikollë Camaj, duke përkujtuar 9 shtatorin e vitit 2006 , ditën e burgosjes së malësorëve në aksionin famëkeq policor “Fluturimi i Shqiponjës”, kërkuan që Këshilli Nacional për Siguri të hapë dosjet, që e vërteta të dalë në dritë , me shpresë se do të hapen mundësi të reja për të zbërthyer këtë enigmë që na e kurdisën dashakëqijtë.
Gjeloshaj: Do të vijë dita për drejtësi
“Malësia kurrë nuk do ta harrojë torturën që është bërë më 9.9.2006! Kurrë nuk do të harrojmë vendimin antishqiptar për gjykimin e bashkëvendësve tanë me burg, pa asnjë argument! Shqiptarët kurrë nuk do ta harrojnë këtë proces të montuar politik nga shteti i Malit të Zi! Ftoj Këshillin Nacional për Siguri që të hapë këtë dosje, dhe që e vërteta të dalë në dritë. Është koha që të procesohen ata që e montuan këtë proces! Është koha që në emër të shtetit të kërkohet falje për këtë proces të montuar, për ata që kishin vetëm një “faj”, se ishin shqiptar! Do të vijë dita për drejtësi!”, ka deklaruar Gjeloshaj.
Camaj: E drejta vonon, por nuk harron! “ Nga 9 shtatori 2006 e tutje, vite të tëra, ishin kohë sprove e dëshmie të një kurdisje të pafytyrë kundër Malësisë. Na mbetet të bëjmë çmosin që ta zbulojmë kush rrinte pas këtij procesi të montuar politik. Asnjëherë nuk e kam kursyer veten në këtë drejtim; dhjetëra shkrime, dhjetëra tryeza e konferenca, qindra orë prezent në seanca gjyqësore, por tani, nga pozita e deputetit shpresoj se do të hapen mundësi të reja, për të zbërthyer këtë enigmë që na e kurdisën dashakëqijtë! E drejta vonon, por nuk harron!”, ka theksuar Camaj.