Organizata Joqeveritare “Horizonti i Ri” ka prezantuar të enjten (më 7 shtator 2023) rezultatet e hulumtimit që janë botuar në publikimin dygjuhësh (në gjuhën shqipe dhe malazeze) me titull “Raporti i të rinjve ndaj medias” (analizë me të rinjtë shqiptarë nga Ulqini dhe Tuzi).
Hulumtimi është kryer në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve për edukimin mediatik dhe të menduarit kritik”, i cili është mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Podgoricë.
Pjesë e këtij projekti kanë qenë 30 të rinj nga shkollat e mesme në Ulqin dhe Tuz, të cilët janë fuqizuar për edukimin joformal mbi edukimin mediatik i cili ka pasur për qëllim që t’i fuqizojë të rinjtë në shkrim-leximin kritik, diversitetin e mediave, leximin e imazheve, përmirësimin e teknikave të komunikimit dhe të debatit, identifikimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme etj.

Një panoramë më e qartë mbi qasjen e të rinjve ndaj medias
Anëtarja e grupit të punës për kryerjen e hulumtimit, Hazreta Cuca nga “Horizonti i Ri” ka thënë se rezultatet e këtij anketimi patjetër që do të ofrojnë një panoramë më të qartë mbi mënyrën se si të rinjtë u qasen mediave, si i përdorin mediat dhe teknologjitë e reja të informacionit.
“Por gjithashtu shpresoj që kjo analizë do t’u ndihmojë edhe institucioneve relevante që të hartojnë strategji të ardhshme për të promovuar edukimin mediatik dhe për të plotësuar nevojat specifike të të rinjve sa i përket kësaj fushe”, ka theksuar ajo.
Cuca ka treguar se kampioni i anketimit është përbërë nga 200 të rinj shqiptarë të moshës 15-25-vjeçare, nga Ulqini dhe Tuzi.
“Ky kampion sigurisht që siguron një grup të gjerë të të dhënave dhe analizave për të vlerësuar prirjet dhe perceptimet e të rinjve shqiptarë ndaj mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, pyetësori i anketimit është përbërë nga 15 pyetje, “të grupuara në disa seksione, kryesisht në tre seksionet kryesore për të kuptuar më mirë burimet e informimit të të rinjve, mënyrën dhe nivelin e përdorimit të mediave nga të rinjtë dhe për të vlerësuar nevojën e tyre për edukimin mediatik”, ka sqaruar Cuca, duke shtuar se anketimi është kryer në terren nga vetë të rinjtë pjesëmarrës në projekt, të cilët paraprakisht janë trajnuar për mënyrën se si bëhet grumbullimi i të dhënave në terren, teknikat dhe fazat e intervistimit etj.

Të dhënat e anketës, një lloj alarmi dhe kritikë për mediat në gjuhën shqipe
Gazetari dhe pedagogu i gazetarisë dhe i komunikimit, Ismet Kallaba, konsulent profesional në këtë hulumtim, ka vlerësuar se “anketimet e këtilla kanë rëndësi të shumëfishtë për të gjithë akterët pjesëmarrës në procesin e komunikimit publik, por edhe për vetë shoqërinë në përgjithësi, sepse ato ofrojnë të dhëna që mund të përdoren për përmirësimin (ndryshimin) e gjendjes ekzistuese”.
Sipas tij, ajo që bie në sy nga të dhënat e këtij anketimi është se prirjet e të rinjve shqiptarë në Malin e Zi përputhen ose janë të përafërta me prirjet e bashkëmoshatarëve të tyre në vendet tjera të botës kur bëhet fjalë për përdorimin e mediave, rrjeteve shoqërore, teknologjive të reja të informacionit etj.
Kallaba ka thënë se ajo që duhet të na brengosë të gjithëve si shqiptarë në Malin e Zi janë të dhënat e përgjigjes së të rinjve në pyetjen se nga cilat media kryesisht informohesh?, ku vetëm 35 për qind e tyre kanë deklaruar se informohen kryesisht nga një media në gjuhën shqipe (20 për qind nga mediat lokale dhe 15 për qind nga mediat kombëtare shqiptare), kundrejt 23 për qind nga mediat malazeze dhe 42 për qind nga mediat ndërkombëtare (globale).
“Ky është një lloj alarmi apo kambane, që tregon për krizën e identitetit gjuhësor e kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi… Por këto të dhëna janë edhe një lloj kritike ndaj medias në gjuhën shqipe që të ofrojnë programe më tërheqëse për të rinjtë dhe në platforma që ata i përdorin më shumë”, ka theksuar ai.
Kallaba ka thënë se të dhënat e hulumtimit përligjin nevojën e edukimit mediatik të të rinjve si pjesë e programit shkollor.
“Kjo e dhënë merr një rëndësi edhe më të madhe kur vjen si kërkesë e vetë nxënësve (të rinjve)”, ka pohuar ai.

Domosdoshmëria e përfshirjes së lëndës së edukimit mediatik në programin shkollor
Bazuar në analizën e të dhënave dhe gjetjeve të hulumtimit janë dhënë edhe disa rekomandime.
“Një nga rekomandimet tona në këtë analizë është që mediat në gjuhën shqipe duhet të jenë më shumë të orientuara nga kërkesat e audiencës së tyre, veçanërisht nga të rinjtë. Kjo nënkupton që mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi duhet të përpiqen të ofrojnë përmbajtje më të përshtatshme dhe tërheqëse për këtë grupmoshë, pra për të rinj, duke marrë parasysh interesat e tyre, nevojat dhe preferencat e tyre”, ka thënë Arta Muçaj, anëtare e grupit të punës për hartimin e publikimit.
Ajo ka thënë se duke marrë parasysh tendencën në rritje të përdorimit të rrjeteve sociale dhe aplikacioneve mobile nga të rinjtë, mediat në gjuhën shqipe do duhej t’i përdornin të gjitha platformat e disponueshme dhe kanalet moderne të komunikimit për të arritur audiencën e të rinjve.
“Për t’u arritur ky objektiv, apelojmë tek institucionet relevante të shqiptarëve në Mal të Zi dhe subjektet politike që të mbështesin mediat në gjuhën shqipe, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë teknologjik. Kjo mund të përfshijë trajnime për gazetarët dhe stafin e mediave për të rritur standardet profesionale, por edhe nga ana tjetër për të pajisur me mjetet dhe teknologjitë e nevojshme për prodhimin dhe transmetimin e informacionit”, është shprehur Muçaj.
Nisur nga të dhënat e hulumtimit për domosdoshmërinë e përfshirjes së lëndës së edukimit mediatik në programin shkollor, Muçaj ka thënë se “dëshirojmë t’i nxisim institucionet arsimore në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe që të përkujdesen sa më shumë në krijimin e kushteve adekuate për zhvillimin e kësaj lënde në mënyrë që edhe nxënësit shqiptarë ta ndjekin njësoj sikur edhe bashkëmoshatarët e tyre që mësojnë në gjuhën malazeze”.
Një prej rekomandimeve të këtij hulumtimi është po ashtu se rezultatet e këtij anketimi mund të shërbejnë si platformë e mirë për studime më të thelluara mbi përdorimin e mediave dhe teknologjive të reja të informacionit nga të rinjtë.
Mbi përvojën e tyre gjatë projektit dhe kryerjes së hulumtimit në terren, në konferencën për shtyp kanë folur Brikena Katana, Sara Iljazi dhe Liriona Mehmeti, nxënëse në Shkollën e Mesme të Ulqinit. /i. k. Koha Javore/

By admini