“Sirin” është filmi me të cilin Mali i Zi, synon çmimin më të madh në industrinë e filmit. E, një shenjë në këtë film ka edhe Kosova. Është bashkëprodhim minor ndërkaq në kastën e aktorëve është edhe May-Linda Kosumoviq. Bashkëprodhues të filmit janë edhe Kroacia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Franca. Producent i Kosovës i këtij filmi është Fatmir Spahiu.
“Filmi i metrazhit të gjatë ‘Sirin’, me skenar të Clauddia Bottinos e Senad Shahmanoviqit nën regji të Senad Shahmanoviqit, është kandidati malazias për edicionin e 96-të të çmimeve të ‘Acedamy Awards’ në kategorinë për ‘Oscar’ ndërkombëtar”, kanë raportuar mediat e Podgoricës.
Komisioni përzgjedhës i Ministrisë së Kulturës, ka qenë i njëzëshëm në vendim. ”Sirin” ka qenë i vetmi kandidat në konkursin publik të Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi.
Filmi zbërthen jetën e një emigranteje malazeze e cila u largua nga ish-Jugosllavia menjëherë pas fillimit të luftërave të viteve ‘90.
“Si shumë njerëz të tjerë nga kjo zonë, ajo emigroi jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë dhe një të ardhmeje më të sigurt. Pas disa vjetësh të kaluara jashtë vendit, duke dashur të përshtatet plotësisht me jetën në një mjedis të ri, ajo dëshironte të ndryshojë identitetin e saj dhe të fshijë origjinën e saj”, është përshkrimi që i është bërë filmit.
“Sirin” është dhënë të mërkurën mbrëma në “Prishtina International Film Festival”.
Edicioni i 96-të i “Academy Awards” do të mbahet më 10 mars të vitit që vjen. Lista përfundimtare e kandidatëve kombëtarë evropianë do të publikohet pas afatit të aplikimit që është 2 tetori. Në fund të këtij viti, një listë me 15 filma nga lista e ngushtë do të publikohet në raundin përfundimtar për nominim për ‘Oscar’. Nominimi i parë do të shpallet në fillim të vitit 2024 me pesë filmat konkurrent për “Oscar” në kategorinë e filmit ndërkombëtar. /Koha Net/