Të mërkurën në Këndin për të Rinj të Bibliotekës së Ulqinit, OJQ Horizonti i Ri organizoi një sesion të veçantë me pjesëmarrësit e projektit “Vendimmarrje me të rinjtë” lidhur me politikat financiare lokale.
Mysafirë i përzgjedhur i këtij takimi ishte Sekretari për buxhet dhe financa në Komunën e Ulqinit z. Arian Murati.
Temat kryesore që ai prezantoi para të rinjve ishin kryesisht të lidhura me informacionet themelore të financave lokale, si për shembull: si krijohet Buxheti i Komunës, në çfarë forme qytetarët paraqesin kërkesat e tyre për hartimin e buxhetit, cilat janë burimet kryesore financiare që e mbushin Buxhetin, cila është struktura e Buxhetit të Komunës, si shpenzohen paratë publike, si realizohet transparenca e buxhetit, cilat janë investimet lokale që bën Komuna e Ulqinit të ngjashme.
Ky projekt i edukimit joformal të të rinjve realizohet në kuadër të programit “OJQ-të në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formimi i politikave – M’BASE” i zbatuar nga Qendra për Edukimin Qytetar (CGO), Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) dhe rrjeti Politikon. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.