Nga Gjekë Gjonaj

Fillimi i  këtij viti  të ri shkollor  në Shkollën e  Mesme “ 25 Maji” në Tuz nuk ishte  i gëzuar, sikur do të duhej të ishte, as për mësimdhënësit, as për nxënësit  e as për prindërit. Bukurinë dhe kënaqësinë e  një fillim viti   të mbarë e të suksesshëm shkollor e shëmtoi një video  ( incizim)  shokuese   e publikuar në rrjete sociale. Supozohet se videoja në fjalë është krijuar në fund të vitit të kaluar. Në video shfaqen dhjetëra nxënës të ulur në klasë dhe disa prej tyre sillen në mënyrë të papërshtatshme. Hedhin karrige, stola, bërtasin… Në një të shtënë, njëri prej nxënësve hedh një objekt ndaj mësueses, e cila qëndron pranë karriges dhe mban një ditar në dorë. Objekti fluturon pranë saj. Videoja tregon gjithashtu sesi një  nxënës  hidhet drejt murit dhe e godet me atlete…

Këto pamje trishtuese   sjellin  një imazh të keq jo vetëm për shkollën e Tuzit, shkollën shqipe  në përgjithësi,  por edhe për mbarë shoqërinë dhe shtetin. Ato   pasqyrojnë  realitetin e sotëm  të edukimit dhe arsimimit  të nxënësve tanë , të cilin nuk duam ose nuk kemi  guxim ta pranojmë.  Këtë e  dëshmon  edhe  heshtja e këtij   incidenti  për të cilin, siç deklaruan për media drejtuesit e shkollës,  nuk është raportuar në administratën e shkollës dhe se administrata ka qenë në dijeni të rastit vetëm dhjetë ditë më parë. Ndërkohë  edhe  Ministria e Arsimit ka njoftuar se  nuk di asgjë për këtë. 

Njohësit e mirë të fushës së arsimit, të cilët dëshiruan të mbeten  anonim, thonë se raste e tilla nuk duhet të mësohen nga mediat, por shkollat duhet të jenë të parat  që reagojnë  në mënyrë më adekuate, dhe  duhet të jenë të   vetëdijshme se  po përballen me  një problem të madh, shumë më të thellë.  Pavarësisht se vërehet se shkollat po përpiqen të mbulojnë dhunën që ndodh në institucionet e tyre, nuk duhet të jetë praktikë , sepse nëse nuk raportohen rastet e dhunës, atëherë ato mbeten të pazgjidhura.   Raportimi i sjelljes  së papërshtatshme  të  nxënësve  është hapi i parë i detyrueshëm  për të shtypur këtë lloj dhune. Nxënësit  nuk duhet të  gjuajnë e  as të godasin  mësuesin ( mësimdhënësin) me karrige edhe sikur larg qoftë t’i  fyej apo t’i godasë mësuesi. Sikurse edhe  mësuesi , i cili duhet të jetë model për nxënësit,  e di se nuk  mund të përgjigjet  me të njëjtën monedhë.  

Kjo ngjarje  shqetësuese është një kambanë  e alarmit për edukimin e nxënësve jo vetëm  në Malësi, por edhe në Mal të Zi, pasi ky nuk është rasti i vetëm i izoluar i dhunës. Raste të tilla  janë raportuar  edhe në disa shkolla të tjera. Rasti i dhunës në këtë shkollë  po ashtu  është problem shqetësues që duhet të punohet më shumë në edukimin e fëmijëve dhe prindërve të tyre, stafit mësimor dhe profesional, por edhe publikut të gjerë dhe se duhet të intensifikohen masat parandaluese. Kjo i vë  përpara të gjithë ata që punojnë në sektorin e mbrojtjes së fëmijëve dhe sociale, sistemin arsimor,  detyrën që puna  e tyre  duhet të jetë më intensive dhe që si sisteme të jenë shumë më të lidhura. Aty ku ka një lidhje të sistemit, do të ketë një reagim në kohë.

Në këtë shkollë,  e në të gjitha shkollat e  tjera,  duhet ndërhyrë menjëherë. Duhet ndërhyrë me profesionistë dhe duhet marrë shumë seriozisht, nëse me  ose pa vetëdije nuk duam ta shkatërrojmë krejtësisht  misionin e shenjtë që ka shkolla dhe mësuesi,  që është e papranueshme për çdo shoqëri normale.

Drejtori i ri   ka një sfidë të madhe për të organizuar, rregulluar dhe zbatuar drejt kurrikulën e  Shkollës së Mesme të Tuzit  për faktin se   mësimdhënia dhe notimi  në këtë shkollë  është vlerësuar  nga Shërbimi Mbikëqyrës  i  Entit  për Arsim nga viti 2022 si problematike – “i kënaqshëm”.   Ky është vlerësimi  më pak pozitiv për një shkollë  në Mal të Zi,  dhe si  i tillë    në vetvete tregon se është  shqetësim i madh  përpara një rreziku të papritur.

By admini