Në Kollomzë, një fshat që gjendet pak kilometra larg Ulqinit, jetojnë dy vëllezër binjakë, nxënës të klasës së katërt të shkollës fillore.
Janë shqiptarë, por mes veti komunikojnë në një gjuhë tjetër, të cilën e kanë mësuar nga televizori. Shumë para se të mësonin gjuhën e tyre amtare, shqipen, ata nisën të flasin gjermanisht.
Robert dhe Rudolf Lulaj, edhe pse 9 vjeç, komunikimin në gjuhën shqipe e kanë të vështirë, përderisa në gjermanisht komunikojnë lirshëm sikur të ishin lindur dhe rritur në mes të Berlinit.
“Danke” ishte fjala e parë e artikuluar që doli nga goja e Robertit disamuajsh, fjalë të cilën nëna e tyre jo që nuk e priste, por as nuk e kuptonte.
Kalonin ditë, muaj e vite dhe argëtimi kryesor i Robertit dhe Rudolfit vazhdonte të mbetej televizori, nga ku çdo ditë e më shumë mësonin fjalë gjermane. Erdhi koha e shkollës e bashkë me të edhe vështirësitë e para për Robertin e Rudolfin, të cilët njihnin gjuhën gjermane.
Mësuesja e tyre tregon se sa të vështirë e kishte t’ua mësojë fjalët e para shqipe këtyre binjakëve, përcjell koha.net. Vështirësitë e shkollimit për fëmijët e këtij rajoni janë të shumta.
Ata mësojnë në të njëjtën klasë me nxënës të paraleleve më të mëdha.
Roberti dhe Rudolfi edhe gjatë orës komunikojnë gjermanisht. Jo se fshehin diçka, por thjesht u vjen më natyrshëm kjo gjuhë. Rrugës nga shkolla për në shtëpi, Roberti dhe Rudolfi vazhdojnë bisedën me njëri tjetrin…Sigurisht, gjermanisht… Përveç gjuhës gjermane, ata kanë edhe një pasion tjetër, basketbollin. Por, asnjëherë nuk harrojnë t’i kthehen televizorit dhe filmave vizatimorë në gjuhën gjermane.
Gjithsesi provojnë të mësojnë edhe gjuhën shqipe e këtë vetëm pse e duan shumë. /Koha Net/
Binjakët nga Ulqini para shqipes mësuan… by GazetaExpressTV