Shkruan: Esat Mehmeti

Plaga e mergimit është  shumë e vjetër, është plagë që nuk shihet, po që të djeg në heshtje. Është dhimbje që askush nuk e njeh pa qenë larg vendlindjes. Te jesh i mërguar, ke të bësh me dhimbjen, mallin, dashurinë për vendlindjen, për njerëzit e tu.

E kaluara e popullit tonë, në të shumtën e kohës ishte rrëqethëse, ajo paraqet një dramë shumaktëshe. Njëri ndër aktet e kësaj drame është edhe mërgimi. Në historinë e popullit tonë, mërgimi ishte dhe mbeti ndër plagët më të rënda individuale dhe kombëtare. Mërgimi, si plagë shoqërore, politike, ekonomike, dhe psikologjike e ka përcjellur popullin tonë gjatë tërë historisë së zhvillimit të tij. Tema e mërgimit, aktualisht është ndër më të shpeshtat në mbarë letërsinë shqipe. Andaj, boshti që i jep kuptim jetës sonë, është atdheu, është toka jonë, është fati ynë, janë vuajtjet tona, por kurrë nuk u gjunjëzuam, duke ruajtur identitetin tonë.

Nxitësit kryesorë që e kanë shkaktuar dhe shpejtuar shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e të parëve janë ndër më të ndryshmet si ; presionet politike, përndjekjet, kushtet ekonomike, sigurimi i kafshatës së bukës e shumë çka tjetër. Furia e gjithë këtyre elemente ishte shumë e fortë, duke e dëbuar popullin tonë nga vatrat e veta, duke ia mohuar të drejtat elementare, gjuhën dhe shkrimin shqip, simbolet kombëtare, duke ia vënë këmbën padrejtësisht, e duke synuar ta asimilojë. Ndërsa, një pjesë tjetër e detyruan të merrte udhët e hidhura të mërgimit. Tretja e popullit tonë drejt rrugëve të botës, fatkeqësisht është plagë që edhe sot në heshtje po e përpinë kombit tonë, duke e larguar nga këtu pjesën më vitale, pjesën më të shëndoshë të popullit tonë. Qëllimet e sunduesve dhe masat e rënda e të padurueshme ndaj popullit tonë, u shëndrruan në motive të ikjes së shqiptarëve nga trojet e veta.

            Mërgimi është vendi dhe buka e hidhur e njerëzimit

Të rinjtë tanë po largohen nga vendi që e duan më shumë se jetën e tyre. Ata largohen, ngase ky vend po afron shumë pak, apa thënë aspak mundësi të zhvillimit, ku pa zhvillim cilësor nuk ka ardhmëri të ndritëshme. Viktimë e kësaj plage u bënë pothuaj të gjitha shtresat dhe grupmoshat; fëmijë, nxënës, student etj. Këto janë shkaqet e braktisjes se largimit të rinjve tanë, që me përmasa alarmante po vazhdon edhe sot, por tani me një formë tjetër, duke siguruar viza pune. Nga kjo, kemi një situatë krejt ndryshe, kur numri i njerëzve në vend është më i vogël se i atyre që kanë brakëtisuar vendin. Në rrethana të tilla, s’ka se si të mos ndalesh e të mendosh ç’po ndodh me ne ? ! Duke parë zbrazjen e vendeve tona, duke parë numrin e të mbeturve, del se largimi edhe i një personi është humbje e madhe për vendin. Largimi i një të riut sot, është humbja e një familjeje të madhe nesër, është humbje e një mësuesi, ekonomisti, juristi, doktori, artisti, shkencëtari e çka jo tjetër. Ndonëse, mërgimin po dëmton substancën tonë kombëtare. Me qindra shqiptarë sot gjinden të shpërndarë në të gjitha anët e botës. Shumica e tyre kanë zënë vend në shtetet perëndimore e deri në Australinë e largët. Numri i mërgimtarëve nuk është i saktë asnjëherë, sepse ai rritet çdo ditë e më shumë.

Vertetë, udha e të parëve ishte shumëfish më e rëndë sesa e sotmja, por fatkeqësisht, sot në mënyrë indirekte, të rinjtë tanë i kanë drejtuar sytë drejt mërgimit, që i servohet me ngjyra joshëse. Ndërkaq, në anën tjetër, ky rrugëtim nuk është siç e mendojnë të rinjtë në fillim, si një rrugë shpëtimi për një jetë më të mirë, por është një mundim, që të nënshtron e të godet në palcë, duke vrarë identitetin kombëtar e deri në dorëzimin e plotë, që quhet asimilim. Mërgimtarët tanë për zgjidhjen e problemeve jetësore, në tregjet e botës po shesin fuqinë e tyre. Mjerisht, nga mosdija, disa nga të rinjtë tanë, të profesioneve të ndryshme, sot përpiqen të punojnë edhe punë të ndryshme, edhe pse ndoshta këtë e bëjnë pa dëshirën e tyre, si të vetmen mënyrë mbijetese.

Rruga e mërgimtarëve  tanë është e mundimshme, por dashuria për vendlindje është e pandalshme

Siç dihet, mërgimi, si fenomen shoqëror, i ka lodhur njerëzit dhe nuk ka krijues që nuk ka shkruar, apo kënduar për këtë plagë të rëndë të njerëzimit.

Sot shqiptarët gjenden të shkapërderdhur në të katër anët e botës, por dashuria aq e fuqishme për vendlindjen dhe të afërmit e tyre nuk mund të përshkruhet dhe të krahasohet me asgjë. Sado të largohesh nga vendlindja, kjo forcë të tërheq aq më shumë drejt vendit ku ke lindur, miqve dhe të afërmeve të tu. Vendlindja është testament i të parëve tanë. Mërgimtari e ka jetën me “gazep”, ai gjumin e bën, por vendin e vet ëndërron. Pra, ai fizikisht është në dhe të huaj, por me mendje e zemër është në vendlindjen e vet. Ata shpeshherë mallkojnë edhe veten me fjalë: “Më mirë të mos kisha lindur fare, se t’jam i gjallë e me mall “, madje, madje duke shkuar edhe më larg, duke lënë ament : “Nëse vdes, këtu mos me vorrosni, m’çoni në vendlindje, e atje të m’varrosni”! Ky ishte edhe amaneti i prindërve të autorit të këtij shkrimi ( E.M.),të cilët edhe ata, si shumë të tjerë e paten fatin për shumë kohë të shijojnë bukën e hidhur të kurbetit. Po kështu si këta, ka pasurë edhe të tjerë të cilët në shpirt e zemër kanë mbajtur vendlindjen.

Populli ynë është atdhedashës i flaktë dhe kjo është dëshmuar çdoherë gjatë historisë. Vëllëzërit tanë, ngado shkuan, me vete morën doket, zakonet, plagët, moren vajet, këngët, mallin për atdheun e të parëve, morën gjuhën e traditën tonë. Por, krahas gjithë këtyre mundimeve e halleve, ata gjejnë kohë edhe për organizime dhe takime mes vete. Ata janë shumë aktivë në jetën kulturore, politike  e shoqërore. Ata me dinjitet ruajnë dhe mbrojnë identitetin tonë kombëtar. Ne jemi shumë krenar me mërgimtarët tanë, sepse ata e dëshmuan veten në të gjitha kohërat, duke lënë vulën e vendit dhe të kohës në fusha të ndryshme kudo në botë. Shqiptarët, kudo që gjenden, mbajnë lidhje të forta me njëri-tjetrin, me vendlindjen, me të afërmit e farefisin, duke ruajtur gjuhën e traditat tona, si vlerat më të shtrenjta. Ata vendlindjen e shijojnë dhe e mbajnë në zemër.

Sa herë që vijnë pushimet, bashkatdhetarët tanë i japin frymë, i japin gjallëri vendit. Ata vijnë për të pushuar dhe për t`u ç’lodhur në vendlindje, e cila është edhe pjesa me e rëndësishme e botës së tyre. Ata udhëtojnë me qindra e mijëra kilometra, kalojnë rrugë të gjata me plot peripeti vetëm për të pushuar pak ditë dhe për t’u çmallur me të dashurit e tyre. Dashuria aq e fuqishme që përjetohet për vendlindjen dhe të afërmit, nuk mund të përshkruhet dhe të krahasohet me asgjë. Populli ynë liridashës ka thurur shumë fjalë të urta për këtë plagë të dhimbshme si ;“Guri i rëndë peshon në vend të vet ”, “Kur të jesh në dhe të huaj, dita të duket një muaj.”,“Balta ma e amël se mjalta”, etj.

Kjo plagë nuk sherohet vetëm me shkrime e konstatime, kjo është një rrugë e gjatë  për të gjetur barin sherues të kësaj plage.

 Andaj, kuadrot me përgatitje të larta profesionale duhet të mbështeten nga institucionet shtetërore, që njohuritë dhe ëndrrat e tyre t’i bëjnë realitet në vendin e tyre, sepse mërgimi është plagë e pashëruar.

                           ……………………………………………………

By admini