Libri Nik Palkola

Nga Gjekë Gjonaj

 Libri “ Dashnia shpëtimi i shpirtit” të autorit Nikë Palkola , i shkruar në dialektin gegë, u bashkohet botimeve shqiptare  të cilat  trajtojnë   tematika të ndryshme, duke filluar nga filozofia jetësore,  pasqyrimi i  bindjeve,   besimet më të hershme të njerëzimit,  virtytet dhe bekimet njerëzore, e deri në  moralin, shprehjen e dashurisë dhe të urtësisë shqiptare dhe botërore.

Që në titullin  e librit  dallojmë mesazhin e dashurisë  dhe miqësisë  që janë shpirtrat binjakë të njerëzimit.

Në këtë  libër prozaik-poetik , të parin me radhë, të autorit Nikë Palkola   ka disa  tërësi. Në to janë radhitur  tregime mistike,  shpirtërore dhe religjioze, që kanë të bëjnë me   jetën, lindjen, vdekjen, dashurinë midis njerëzve, mirësinë njerëzore, mëshirën, lutjet, pendimin, reinkarnimet,   egoizmin, dhunën, mëkatet, shpirtmirësinë dhe shpirtkeqësinë, paqen, lumturinë, bekimin, mallkimin, parajsën, skëterrën, urrejtjen, misteret, prostitucionin, femrën, abortin, suksesin, pasurinë,  luftërat, nderin, besën dhe burrërinë.

Pjesë e këtij libri ,  të përmbledhur në pesë kapituj,  janë   citate , mendime dhe thënie  filozofike të cilat shprehin  përvojën dhe urtësinë   e shkencëtarëve e mendimtarëve  të mëdhenj  të huaj e shqiptarë që nga lashtësia e deri në kohën e sotme. E gjithë kjo  mençuri  popullore e përzgjedhur dhe e përgatitur  me dashuri,  përkushtim  dhe kujdes nga autori  ka një  vlerë të qëndrueshme dhe të përhershme. Ajo është më e vlefshme  dhe më e fuqishme se ari dhe argjendi, ajo jep kuptueshmëri për  fjalën e Perëndisë dhe na udhëheq në shtigjet e drejta. Po ashtu, ajo   ka shërbyer dhe vazhdon të shërbeje edhe sot si udhërrëfim i sjelljes së shumë njerëzve kudo që ndodhen,  në shtëpi, në punë, në pushim, duke biseduar me miq, duke u përpjekur të mos jetë i njëanshëm, por  të respektojë   edhe mendimet e të tjerëve.

Brenda kopertinave të  librit janë përfshirë edhe disa poezi  dhe  gazmore ( humor e satirë)   të përzgjedhura nga autori.  Çdo poezi të autorëve tanë madhorë si Fishta, Noli, Asdreni, Çajupi, Mjeda, Frashëri, Poradeci, Pashko Vasa, etj., e përshkon një ndjenjë  e  shprehjes së bukur, me ndjenja shpirtërore , por mbi të gjitha e atdhetare. Psikologët pohojnë se me anë të humorit njerëzit bëhen më tolerantë, i përballojnë më mirë zhgënjimet dhe mbeten të shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht. Sipas tyre humori i mirë mund të asimilohet, njëlloj sikundër asimilohet shkrimi dhe leximi.

Të gjitha këto tregime, poezi  e  thënie të urta   kanë të bëjnë me njeriun  në kohë e rrethana të ndryshme historike, me  filozofinë e ekzistencës  njerëzore ashtu  siç i kanë shkruar e  shqiptuar  shumë mendimtarë, shkencëtarë, shkrimtarë, poet, klerikë, e besimtarë  të Zotit…

Nga këto  shkrime interesante  lexuesi do të mund të mësojë  shumë gjëra  për të kaluarën e largët dhe të afërt  të njerëzimit, duke përfshirë këtu edhe  botën shqiptare, që patën një rëndësi  të madhe për  gjallimin dhe formimin e botës sonë në përgjithësi dhe  të rrjedhave   dhe dukurive  që e cilësuan atë.

Autori Nikë Palkola me këtë vepër troket, ngacmon dhe provokon lexuesin për çështje, fenomene dhe dukuri të ndryshme, mirëpo  nuk i imponon lexuesit mendimet dhe bindjet e tij. Ai e le   lexuesin  të  përcaktohet për atë përgjigje, për atë mendim  ose thënie që i përgjigjet atij për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.  Përmes këtij libri  autori na zbulon edhe rëndësinë e pranimit të qortimit, disiplinimit, këshillimit dhe korrigjimit për t’u bërë njerëz më të mirë.

Serioziteti i punës së autorit në hartimin e kësaj vepre  me vlerë  vërehet qoftë përmes mënyrës së parashtrimit të lloj-lloj  tematikave, qoftë  të përdorimit të burimeve të shumta dhe të një literature të pasur  që përdori  kryesisht në gjuhën kroate, por edhe shqipe  për të sjellë përfundimet e veta  për dukuri të ndryshme.

Ky libër të shtynë  të ndjekësh “rrugën e drejtë” të pajtimit të njeriut me Zotin. Porosia e tij është të bashkojë edhe më shumë njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare, duke treguar se ajo që i bashkon besimet është më e madhe dhe më e fortë se ajo që i dallon, dhe fuqia që e bashkon njerëzimin, pra Zoti, krijon harmoni dhe jo ndasi.

By admini