Ai gjithmonë theksonte: „Shpirti i shqiptarit nuk u ligështua nëpër kohë të këqija, por u mbajt gjallë dhe me sakrifica qëndroi. Ne të gjithë jemi bijtë e këtij populli të lashtë e fisnik. Sa më të ngritur që të jemi, aq më të fortë e më të pasur do ta kemi kombin dhe ne vetë do të jemi të lumtur“
Nga Qazim Rexha
Profesori i ndjerë Bajram Rexha ishte një personalitet i nderuar dhe i respektuar ndër të gjithë shqiptarët që e kanë njohur dhe përherë do të mbetet i tillë. Me profesion profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe, ai ishte një atdhetar i madh, i njohur për vendosmërinë e tij për çështjen kombëtare, për të cilën punoi tërë jetën e tij, duke u bërë ballë dhe qëndruar stoik ndaj peripecive të pushtetit të kohës. Në shoqëri ishte i dashur, i matur, psikolog dhe pedagog i mirë, njeri i kompromisit. Si i tillë, ai është përherë i pranishëm në zemrat dhe mendjet tona, edhe sot kur pushon në shtëpinë e përjetshme në fshatin e tij të lindjes Kllezën.
Është e pamundur që përmes këtij shkrimi të përshkruaj të gjitha përjetimet, mirësitë, vuajtjet tona të përbashkëta. Ai ishte tri-katër gjenerata para meje, por ne takoheshim gjithmonë në Kllezën, Prishtinë e pastaj si kolegë në Gjimnazin e Ulqinit, ku punuam si mësimdhënës. Natyra e tij, qëndrimi ndaj kolegëve, puna e vërtetë pa hile me nxënës, ka bërë që të gjithë ne të tjerët ta respektojmë, t’ia japim vendin e duhur gjatë bisedave, ndejave, tubimeve apo kudo tjetër në shoqëri. Ai kurrë nuk kërkonte prej nesh që të jepte vetë mendimin e fundit, por ne kërkonim prej tij. E pleqëronte mirë çdo gjë. Nuk e di se dikujt i ka thënë një fjalë të rëndë apo e ka ofenduar. Edhe pse i sëmurë rëndë nga astma kronike, ai nuk jepej, kurse ne nuk e hetonim, por çdoherë ishte në ballë të punës për të mirën e nxënësve, shkollës, shoqërisë, KOMBIT etj. I pari hynte në derën e shkollës dhe i fundit dilte prej saj. Edhe sa i përket veshjes, ishte model për një punonjës të arsimit.
Aspiratat e tij për përparimin e të rinjve ishin të mëdha. Pas punës, pushonte 2-3 orë në banesë e pastaj përsëri vazhdonte me aktivitetet e lira me nxënësit në seksione të ndryshme, si në atë të dramës, recituesve, letrar etj. Falë punës së tij me nxënës, sukseset nuk mungonin. Nxënësit shënonin suksese në çdo garë, sallat mbusheshin plot me rastin e shfaqjeve dramatike etj.
Veprimtaria e një njeriu të tillë kuptohet se do t’i bjerë në sy sistemit, i cili nuk mendonte për barazi, zhvillim dhe përparim të shqiptarëve; një sistemi që donte të flitej e të mësohej vetëm në gjuhën e tyre dhe të bënim siç mendonin e planifikonin ata për ne. Dhe rasti më i mirë për të ndaluar hovin e përparimit apo famën e Shkollës së Mesme në Ulqin u shfaq pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, të cilat u organizuan nga studentët, familjarët e tyre etj. Ky rast u shfrytëzua për përgatitjen e planit të pengimit të shkollimit, zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve në Malin e Zi. Planifikuan organizimin e një seminari me pretekstin për të bërë ndryshime në planprogramet mësimore të gjuhës shqipe, historisë, artit muzikor etj., me arsyetimin se planprogramet ekzistuese kishin shumë orë nga kultura kombëtare shqiptare, ndonëse ato ishin plane mësimore për nxënësit shqiptarë.
Këtë e kundërshtuan shumë arsimtarë, ndër të cilët edhe Bajram Rexha. Ai vuri në pah se në programin mësimor të gjuhës shqipe i është dhënë shumë pak hapësirë shkrimtarëve shqiptarë, si Migjeni, Fan Noli, Kolë Jakova, Naim Frashëri, kurse shkrimtarëve sllavë gati tërë programi. Ai kërkoi që të zvogëlohet numri i orëve të shkrimtarëve sllavë e të zëvendësohet me rritjen e orëve të shkrimtarëve shqiptarë.
Seminari u kritikua nga aktivistët politikë vendorë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe zëri mbërriti gjer në organet republikane e federative. Komiteti organizoi disa mbledhje partiake të sindikatave për të matur pulsin se kush prej arsimtarëve i mbron diskutimet e folësve në seminarin për arsim, që shkonin në favor të rritjes së orëve me materie kombëtare. Konferenca e LKJ-së Ulqin mori vendim se kush duhet të dënohet me përjashtim nga partia dhe nga puna. Kjo duhej të aprovohej në organet partiake bazë. Kështu më 27 dhjetor 1981 u përjashtuam nga partia dhe nga puna pesë profesorë nga Gjimnazi i Ulqinit dhe katër mësimdhënës nga shkolla fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë. Por ne kemi qëndruar të vetëdijshëm ndaj këtij akti. Më rëndë na ka ardhur kur jemi ankuar për padrejtësinë që na është bërë dhe përgjigjet që na vinin se jemi të dënuar si armiq të shtetit, njerëz që nuk ia duam të mirën vendit dhe popullit të vet. Prof. dr. Mijat Shukoviq kishte thënë: “Çka lypin ata kur tërë populli i tyre i ka dënuar?! Çfarë argumentesh të tjera kërkojnë?!”
Përditë shoqërohesha me Bajramin, ndonjëherë bashkoheshim edhe me shokët tjerë të dënuar. Kur takonim dikë në rrugë, shumë prej tyre e kthenin kokën në anën tjetër, sidomos aktivistët politikë. Nxënësit donin të na përshëndetnin në rrugë, por i ndjeri Bajram u bënte me kokë dhe u thoshte: “Kaloni, kaloni. Mos i qitni telashe vedit!”
Një nxënës u ul një ditë në tavolinë me ne. Të nesërmen e thirrën në përgjegjësi organet e sigurimit me pretekst se ka takuar dhe shoqëruar armiqtë e shtetit.
Aktivistët e sigurimit të shtetit morën vendim që “armiqtë e shtetit” nuk mund t’i lejojnë të shëtisin të lirë në qytet, por duhet sajuar mënyra se si t’i burgosim. E burgosën profesorin e nderuar Bajram Rexha, ndërsa ne të tjerët pritnim se kush prej nesh e ka radhën. Vazhduan burgosjet…
Duke e parë gjendjen e keqe shëndetësore të Bajramit, e liruan pas disa muajsh “që të vdesë te shtëpia”, por famirësisht kjo nuk ndodhi. Kur i vajta në shtëpi për ta takuar, biseduam për shumë gjëra. Më tha: “Më duhet të shkoj deri në Kllezën të takoj familjarët’“.
„Të çoj unë Bajram“, i thashë, meqë ai nuk e voziste vetë makinën.
„Jo, jo, se mos të sjell ndonjë të padëshiruar në derë’“, më tha.
„Për ne s’ka më ditë të mira Bajram! Le të urdhërojë kush të dojë!“, i thashë.
„Ke familjen për të mbajtur, djemtë për të shkolluar. E sheh, as gratë nuk po na i marrin në punë! S’ka punë për gratë e armiqve të shtetit“.
Arritëm gjer në sistemin pluralist. Na gëzoi pa masë të gjithëve. Ai ishte në krye të të gjithëve, për nga përkrahja, puna e tij e palodhshme atdhetare. Arriti me aktivistët e ndryshëm dhe me përkrahjen tonë të grumbullojë masën rreth partisë së parë shqiptare – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi.
Ai gjithmonë theksonte: „Shpirti i shqiptarit nuk u ligështua nëpër kohë të këqija, por u mbajt gjallë dhe me sakrifica qëndroi. Ne të gjithë jemi bijtë e këtij populli të lashtë e fisnik. Sa më të ngritur që të jemi, aq më të fortë e më të pasur do ta kemi kombin dhe ne vetë do të jemi të lumtur“. /Koha Javore/