Bahri Beci

Ndahet nga jeta në moshën 87-vjeçare gjuhëtari i njohur Bahri Beci, anëtar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri e Kosovë

Ndahet nga jeta në moshën 87-vjeçare gjuhëtari Bahri Beci anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, si dhe vetë Akademia e Shkencave.

“Të dashur miq,
Me dhembje e hidhërim ju njoftojmë që babai ynë, Bahri Beci, ndërroi jetë.
Faleminderit babë për kujtimet e bukura e emrin e mirë që na le, për këshillat e urtësinë tënde, për konsistencën e racionalitetin tënd, për arsyetimin e shembullin me të cilin na udhëhoqe e na bëre krenarë.
Ditën e martë, homazhet do të mbahen në Akademinë e Shkencave, në orën 9:00-11:30, ndërsa përcjellja e fundit për në varrezat e Sharrës në orën 12:00.
Pritjet do të bëhen të martën, 22 gusht në orën 17:00-20:00, e më pas të mërkurën dhe të enjten në oraret 9:00-13:00 dhe 17:00-20:00 në Hotel Sheraton. Entela dhe Beneti”, shkruan kryebashkiaku i Shkodrës.

Benet Beci

Po kështu Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njoftoi “me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike”.

Bahri Beci 11

Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e saj të thella familjes e të afërmve, anëtarëve të Asamblesë – familjes shkencore të tij – bashkëpunëtorëve të shumtë, studiuesve dhe studentëve.

Bahri Beci ishte akademik dhe gjuhëtar shqiptar. Veprimtaria e tij shkencore është shtjelluar në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të gjuhës letrare, të historisë së gjuhës, si edhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike. Anëtar i shumë asociacioneve kombëtare e ndërkombëtare. Për punën e tij ka marrë medalje nga Kuvendi dhe nga Presidenti i Republikës.

U lind në Shkodër më 28 shkurt, por u regjistrua në gjendje civile nga familja më 6 mars. Familja e tij nga i ati e kishte prejardhjen e rishtë nga Ulqini, prej ku njëri prej prijësve të Lidhjes së Prizrenit, Mehmet Beci (gjyshi i të atit) ishte zhvendosur pas dorëzimit të qytetit Malit të Zi. Banonin në rrugën Dervishbeg dhe Bahriu studimet fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, këtë të fundit duke e ndjekur tek instituti i mesëm pedagogjik që më pas u mori emrin “Shejnaze Juka”.

Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës (1954-1958) në fushën e Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe. Nga shtatori i vitit 1958 e deri më 1977 u emërua Punonjës Shkencor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Ndoqi dhe kreu studimet pasuniversitare në Paris (1975-’77), ku mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra” (shqip: Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës). Më 1979 ka marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave” për disertacionin “Të folmen e gegërishtes qendrore” dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” në Shqipëri.

Më 1984 në Tiranë, mbrojti sërish doktoratën me temën “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës” dhe në vitin 1994, titullin “Drejtues kërkimesh ose Profesor”. Në vitet 1974-1975 ishte sekretar shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kryeredaktor i revistës “Studime filologjike” (1984-1993), sekretar i revistës “Studia albanica” (1993-1997), shef i Sektorit të Gramatikës dhe të Historisë së Gjuhës në Institutin e Gjuhësisë (1993-1997) dhe drejtor i këtij instituti (1993-1997). Më 1997, ka shkuar në Francë si pedagog i Shqipes në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore të Parisit (INALCO).

Më 2008 u zgjodh si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Edhe Kryetari i Komunës së Ulqini z. Omer Bajraktari ka postuar një shkrim për ndarjen nga jeta të z. Beci.

”E nderuara familje Beci,

Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Bahri Beci, gjuhtarit dhe studiuesit të shquar, birit të një familje të nderuar i cili me punën dhe veprën e tij i ka bërë vend vehtes për tu përmendur me nderim brez pas brezi.

Me këtë rast pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta. Ne të gjithë në Ulqin jemi krenar për emrin, punën dhe veprën e Profesorit.

Në këto momente të veshtira ne, jemi pranë jush e nderuara familja Beci”, shkruan Bajraktari

By admini